HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-13 12:27:09
A+ A- Printo artikullin



Evangelii gaudium - Edhe formimi i krishterë është kumtim i Ungjillit



Gjithë kapitulli i tretë i thirrjes apostolike Evangelii gaudium i kushtohet kumtimit të Ungjillit. Në pjesën e fundit të këtij kapitulli, Papa Françesku flet për domosdoshmërinë e thellimit të kerygma-s. Kerygma, kjo fjalë greke, që do të thotë predikim dhe nënkupton kumtimin e thelbit të lajmit të mirë, është kjo: “Jezu Krishti të do, ka dhënë jetën për të të shpëtuar dhe tani jeton përkrah teje çdo ditë, për të të ndriçuar, për të të forcuar, për të të çliruar” (n. 164). Pranimi i këtij kumti i hap udhën një ecjeje të gjatë, në të cilën të krishterët formohen dhe piqen: “Çdo qenie njerëzore ka gjithnjë e më shumë nevojë për Krishtin dhe ungjillëzimi nuk duhet të lejojë që dikush të kënaqet me pak, por duhet të thotë me plot bindjen: ‘Nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua’ (Gal 2,20)”.RealAudioMP3
Formimi i krishterë nuk përfundon me njohjen e thellë dhe të drejtë të doktrinës, por vazhdon gjithmonë me përpjekjet e pandërprera për të zbatuar çfarë na kërkon Zoti. Ai na ka dashur dhe kërkon që ne t’i përgjigjemi me dashuri: “Ky është urdhri im: ta doni njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha ju” (Gj 15,2). Përgjigjes sonë ndaj dashurisë së Zotit i paraprin gjithmonë dhurata e hirit, që merret në pagëzim. Pagëzimi fillon në ne jetën “sipas Shpirtit” të Zotit (Rom 8,5).
Pagëzimi nuk është pikëmbërritja e atij që e pranon kumtin e parë, por pikënisja e jetës së krishterë, që, nga ana e saj, duhet të jetë gjithnjë e lidhur me këtë kumt. Kumti i parë, nuk është i parë vetëm në radhën e veprimeve, sepse vjen i pari e, pas tij vjen pagëzimi, por “është i pari në kuptimin cilësor, sepse është kumti parimor, ai që duhet dëgjuar gjithmonë në mënyra të ndryshme dhe gjithmonë duhet ta shpallim sërish gjatë katekezës, në një formë apo në një tjetër, në të gjitha etapat dhe momentet të tij” (n. 164).
Përjashta kerigma-s nuk ka asnjë element tjetër më të thellë, që mund ta përforcojë jetën e krishterë, prandaj ajo mbetet përgjithmonë elementi themelor i formimit në fe. Për ta ruajtur vendin qendror të kumtit të parë, Papa thotë se duhet të mbajmë parasysh tre elemente: 1) “duhet të shprehë dashurinë shpëtimtare të Hyjit, që u prin detyrimeve morale dhe fetare”; 2) “nuk e imponon të vërtetën dhe i bën thirrje lirisë” dhe 3) “të mos e rrudhë predikimin në një numër të vogël doktrinash shpesh herë më filozofike sesa ungjillore” (n. 165).
Papa na kujton se katekeza mistagogjike, pra ecja e të pagëzuarit drejt thellimit të jetës së hirit, që ka marrë në pagëzim, duhet të mbajë parasysh dy pika: 1) “Përvojën formuese gjithnjë në rritje, me pjesëmarrjen e tërë bashkësisë” dhe 2) “vlerësimin e shenjave liturgjike” (n. 166). Sikurse tërë populli i Hyjit e kumton fenë, po ashtu tërë populli i Hyjit ndihmon për rritjen në jetën e fesë. Njëra ndër udhët, që porosit Papa Françesku, për këtë rritje është ajo e bukurisë: “Të kumtosh Krishtin do të thotë të tregosh se të besosh në të dhe ta ndjekësh nuk është vetëm një gjë e vërtetë dhe e drejtë, por edhe e bukur” (n. 167). Në këtë drejtim “të gjitha shprehjet e bukurisë së vërtetë mund të pranohen si një shteg, që ndihmon për t’u takuar me Zotin” (n. 167). Kjo nuk është një mënyrë për të nxitur relativizmin estetik, por është një përpjekje për të rigjetur forcën joshëse të bukurisë, me anë të së cilës mund të mbërrihet në zemrën e njeriut, për të ndezur brenda saj dritën e të vërtetës dhe të mirësisë së Hyjit. Në këtë vështrim, arti mund të jetë një ndihmë e madhe për katekezën.
Për sa i përket angazhimit moral, katekeza duhet të “tregojë gjithmonë të mirën e dëshirueshme” (n. 168). Në këtë pikë, Papa bën këtë vërejtje: “Më shumë se si ekspertë diagnozash apokaliptike, apo gjykatës të zymtë, që mburren kur vënë në dukje çdo lloj rreziku apo shmangieje” njerëzit duhet të na shohin si “lajmëtarë të gëzueshëm të propozimeve të larta, kujdestarë të së mirës dhe të bukurisë, që shkëlqejnë me anë të jetës besnike ndaj Ungjillit” (n. 168). Nëse dëshirojmë që Ungjilli të veprojë në jetën e njerëzve, duhet të ndërtojmë një Kishë që di të shoqërojë çdo njeri, një Kishë që u mëson njerëzve “artin e shoqërimit” dhe “ritmin e shëndoshë të afërsisë” (n. 169), për të cilin nevojitet “arti i pritjes” dhe “arti i dëgjimit” (n. 170).
Në të gjithë këtë proces ungjillëzimi, Fjala e Hyjit luan rolin kryesor. Papa na kujton se e kemi tejkaluar ndarjen e Fjalës nga Sakramenti dhe se Fjala na përgatit për Sakramentin, me anë të cilit arrin pikën më të lartë të forcës së saj vepruese.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama