HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-13 12:31:42
A+ A- Printo artikullin



Një vit me Papën Françesku: Kisha e dyerve të hapura



Më 13 marsin e një viti më parë zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, kardinali Horhe Mario Bergolio. Fillonte kështu, papnia e Papës Françesku, Pasardhësi i 265-të i Pjetrit, një muaj pas tërheqjes historike të Benediktit XVI nga shërbimi pjetrin. Të përshkojmë së bashku disa nga çastet më të rëndësishme të këtij viti, të shoqëruara nga fjalët e Atit të Shenjtë:
“Vëllezër e motra, mirëmbrëma!”
Papnia e vrullshme e Françeskut filloi me përshëndetjen më normale, që mund të mendohet. Por s’ka asgjë për t’u çuditur: nisi kështu revolucioni i Horhe Mario Bergolios, revolucion i thjeshtësisë ungjillore, i përvuajtërisë, i normalitetit... Gjestet e para të Papës së ri – i pari me emrin e Varfanjakut të Asizit, i pari jezuit, i pari nga Amerika Latine – ndryshojnë skema e zakone, që nga ajo përkulje, në mbrëmjen e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, për të kërkuar bekimin e popullit. Ipeshkvi dhe populli, një binom që Papa Françesku e përdor menjëherë për të përcaktuar programin e shërbimit të tij. Ipeshkvi i ri i Romës mendon për një Kishë, që “ecën, ndërton dhe rrëfen”, siç nënvizoi në meshën e tij të parë në Kapelën Sikstine, një ditë pas zgjedhjes. E ëndërron një “Kishë të varfër”, siç u thotë gazetarëve, ardhur nga të katër anët e botës në Sallën Pali VI, për t’u takuar me Atin e Shenjtë. Në atë rast, Papa Bergolio kujtoi këshillën e mikut të tij, kardinalit Hummes, në Konklav:
“Mos i harro të varfërit!”. E ajo fjalë më hyri në zemër: të varfërit, të varfërit. Pastaj, gjithnjë në lidhje me të varfërit, mendova për Françeskun e Asizit. Më pas, mendova për luftrat, ndërsa vazhdonte numërimi i votave, deri sa mbaruan. E Françesku është njeri i paqes. E kështu, doli edhe emri, nga zemra ime: Françesku i Asizit. Njeriu i varfërisë, njeriu i paqes, njeriu që e do dhe e ruan Krijimin e Zotit, në këtë çast, kur ne kemi marrëdhënie jo aq të mira me Gjithësinë, apo jo? Është njeriu, që na jep frymën e paqes, njeriu i varfër… Ah, sa do ta doja një Kishë të varfër e për të varfërit!” (Takimi me gazetarët, 16 mars 2013)
Është opcioni preferencial i Kishës për të varfërit, që Papa Françesku e vë në dukje sërish me jetën e thjeshtë, me vendimin për të jetuar në Shtëpinë e Shën Martës, për të mos përdorur makinat e përfaqësisë, duke dëshmuar se “pushteti i vërtetë është shërbimi”, siç tha në Meshën e fillimit të shërbimit pjetrin. E sidomos gjatë vizitës së tij historike në Asizi, ku i ftoi besimtarët të zhvishen nga “mondaniteti shpirtëror”, që të çon në mëkatin më të madh, atë të idhujtarisë. Për këtë, sipas Papës, duhet ta lemë Atin e Gjithpushtetshëm të na dojë e të na përqafojë me dashurinë e Vet. Temën e mëshirës hyjnore, Papa argjentinas e ka në gjak e, edhe në moton ipeshkvnore “Miserando atque eligendo” (e pa me dashuri dhe e zgjodhi). Asaj ia kushtoi lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit mbushur plot e përplot me besimtarë. Zoti, u tha Ati i Shenjtë, nuk lodhet kurrë e na fal gjithnjë:
“Ai nuk lodhet kurrë së faluri, por ne, nganjëherë, lodhemi së kërkuari falje. Të mos lodhemi kurrë, të mos lodhemi kurrë! Ai është Ati i dashur, që fal gjithnjë, që ka një zemër të mëshirshme për të gjithë ne. E, edhe ne, të mësohemi të jemi të mëshirshëm me gjithkënd” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 17 mars 2013).
Një mesazh, që Papa u çon personalisht të rinjve të burgosur në “Casal del Marmo” të Romës, të Enjten e Madhe. Mëshira e Zotit na shndërron, na siguron Papa Françesku, na jep një shpresë, e cila është më e fuqishme se gabimet e bëra gjatë jetës. Ati i Shenjtë u drejtohet të gjithëve, sidomos rinisë, që jeton në një kohë të karakterizuar nga mosbesimi dhe nga mungesa e pikave të referimit:
“Dhe ju lutem, mos lejoni t’ju vjedhin shpresën! Mos lejoni t’ju vjedhin shpresën! Atë, që na e jep Jezusi” (E Diela e Larit, 24 mars 2013).
E shpresa kumtohet me buzëqeshje. Për Papën Françesku nuk mund të ekzistojë i krishteri, i trishtuar, me fytyrë si për mort. E as Ungjilli nuk mund të rrijë mbyllur vetëm në bashkësitë e krishtera. Ati i Shenjtë pati shqiptuar një fjalë, që është bërë lejtmotivi i papnisë: shkoni në “periferitë ekzistenciale”, aty ku ka shumë vuajtje. Jo më kot, famullitë e para që vizitoi, janë pikërisht në periferi të Romës. “Më mirë një Kishë e aksidentuar – është i bindur Papa – se sa një Kishë e sëmurë, që ka si pikë referimi vetëm vetveten”. Të pagëzuarit në Krishtin duhet të jenë dishepuj e misionarë:
“Të ndjekësh, ta shoqërosh Krishtin, të rrish me Të kërkon “dalje”. Dalje nga vetvetja, nga një mënyrë për ta jetuar fenë me lodhje e veç për zakon, nga tundimi për t’u mbyllur në skemat personale, që e ngushtojnë horizontin e veprimit krijues të Zotit” (Audienca e përgjithshme, 27 mars 2013).
Hyji, për të cilin flet Bergolio, është ai i shën Injacit të Lojolës, “Deus semper major”, “Zoti i të papriturave”. E s’ka dyshim se edhe papnia e Françeskut nisi nga një e papritur. Ishte tërheqja e Benediktit XVI, që i hapi udhën zgjedhjes së Papës nga “fundi i botës”. “Jemi vëllezër”: ky është qëndrimi i të dyve, para një bote të hutuar, që pyet si mund të jetojnë dy papë në Vatikan. E akti i parë i këtij bashkëpunimi është Enciklika “Lumen Fidei”, shkruar “me katër duar”, siç pati thënë Papa Françesku.
Apostull i mirësisë dhe i butësisë, Horhe Mario Bergolio u kërkon ipeshkvijve të jenë barinj, jo burokratë, të luftojnë me guxim për grigjën e tyre, të rrinë para, në mes e pas saj. E kjo vlen edhe për meshtarët:
“Këtë ju kërkoj: të jeni barinj me erën e deleve, barinj në mesin e grigjës e peshkatarë njerëzish” (Mesha e Bagmit, 28 mars 2013).
E për të qenë peshkatarë njerëzish, duhet dalë pa frikë në det të hapur. “Shpesh – kritikon Ati i Shenjtë në Thirrjen e tij të parë Apostolike ‘Evangelii Gaudium’ – sillemi si të ishim kontrollues të Hirit Hyjnor e jo ndërmjetës. Po Kisha nuk është doganë, është shtëpia atërore, ku ka vend për çdo njeri”. Kisha e Françeskut i mban dyert e hapura. E jo vetëm për t’i lënë njerëzit të hyjnë, por edhe për t’i dhënë mundësi Jezusit të dalë për të takuar gratë e burrat e kohës sonë:
“Një derë e mbyllur! Kjo nuk është punë e mirë! Të largon nga Zoti! Nuk i hap dyert! E kështu, kur marrim këtë udhë, kur sillemi në këtë mënyrë, nuk u bëjmë mirë njerëzve, Popullit të Zotit. Por Jezusi ka themeluar shtatë Sakramente e ne, me këtë sjellje, themelojmë të tetin: sakramentin e doganës baritore!” (Mesha Shenjte, 25 maj 2013).
Fjalët e Papës Françesku, të thjeshta e të thella, shprehje e jetës së përditshme, u ndezin zemrat miliona njerëzve, jo vetëm brenda Kishës. Ati i Shenjtë flet për “kulturën e takimit”, përqafon të sëmurët, del në fotografi me një grup të rinjsh, pi kafe në një barakë të favelave braziliane. Në këndvështrimin e tij - për të cilin flet gjatë në intervistën e botuar në revistën “Qytetërimi Katolik”, transmetuar edhe nga ne – Kisha është një “spital fushor” për të shëruar plagët e kësaj bote. Fjalë të përshtatshme për të na kujtuar vizitën e tij të parë baritore në atë bisht toke në mes të detit, që është ishulli i Lampeduzës, udhëkryq shpresash e fatkeqësisht, edhe vdekjesh e vuajtjesh. Aty, duke pasur përballë sytë e fytyrat e dëshpëruara të emigrantëve, Papa Françesku bën një thirrje të fuqishme e i flet ndërgjegjes së secilit prej nesh:
“Kush ka derdhur lot për vdekjen e këtyre vëllezërve e motrave? Kush ka vajtuar për këta njerëz, që ishin mbi barkë? Për nënat e reja, që mbanin në kraharor fëmijët? Për këta burra, që dëshironin vetëm të mbanin familjet?Jetojmë në një shoqëri, që e ka harruar vajtimin, pjesëmarrjen në dhimbjen e tjetrit: globalizimi i indiferencës na e ka zhdukur aftësinë për të qarë!” (Mesha e Lampeduzës, 8 korrik 2013).
Vetë Papa nuk e ka humbur aftësinë për të derdhur lot, siç e tregoi gjatë vizitës në Kaliari të Sardenjës, ku u takua me të papunët e me ata, që s’kanë një punë të sigurtë. Ati i Shenjtë mallëngjehet kur dëgjon dëshmitë, e lë mënjanë fjalimin e përgatitur dhe denoncon: “Pa punë, nuk ka dinjitet”:
“Punë, punë, punë. Është lutje, një lutje e nevojshme. Punë do të thotë dinjitet, punë do të thotë të çosh bukën në shtëpi, punë do të thotë të duash! Për të mbrojtur këtë sistem ekonomik idhujtar, zë vend kultura e hedhurinave: nuk na duhen gjyshërit, nuk na duhen të rinjtë. E ne duhet t’i themi ‘jo’ kësaj kulture të mënjanimit” (Fjala në Kaliari, 22 shtator 2013).
Të rinjtë e të moshuarit. Papa flet shpesh për solidaritetin ndërmjet brezave. E bën edhe me Ditën Botërore të Rinisë në Rio-de-Zhanejro, festë e fesë, që e shndërron plazhin e Kopakabanës në një Çenakull gjigant në qiell të hapur, ku ngjishen njëri pas tjetrit 3 milion të rinj nga e gjithë bota. “Papa ka besim tek ju”, i siguron Ati i Shenjtë, që u kërkon të rinjve të ecin kundër rrymës. E me një metaforë të këndshme, pohon se “Jezusi na jep diçka më të madhe se Kupa e Botës!”. I paharruar, imazhi i Papës Françesku, që ngjitet në avion me çantën e tij të zezë, nga e cila nuk ndahet. E në konferencën e shtypit, në fluturim, thotë me thjeshtësi:
“Nuk kishte brenda çelësin e bombës atomike! E mbaja me vete, sepse kështu bëj gjithmonë: kur udhëtoj, e marr me vete… Epo, duhet të mësohemi të jemi normalë. Normaliteti i jetës” (Konferenca e shtypit në avion, 28 korrik 2013).
E ky normalitet i zë ngushtë gazetarët, të cilëve Papa Françesku u përgjigjet haptas edhe për temat më “të rrezikshme” si për lobin gay në Vatikan, për kungimin e të divorcuarve, për IOR-in (Instituti i Veprave Fetare), apo për reformën e Kuries. Idetë e Atit të Shenjtë zbatohen më pas, në realitet. Ngrihet Këshilli i tetë kardinajve, nga pesë kontinentet, për riorganizimin e administrimit të Kishës, por reforma që ka më për zemër Papa, është pikërisht “kthimi i zemrave”. E kontribuon për këtë me homelitë e meshëve në Shtëpinë e Shën Martës, që dëgjohen në gjithë botën, falë Radio Vatikanit. Por edhe me audiencat e së mërkurës, konceptuar si dialog me besimtarët:
“’Me leje’, ‘më fal’, ‘faleminderit’: nëse në një familje thuhen këto tri fjalë, ecet përpara. ‘Me leje’, ‘më fal’, ‘faleminderit’. Sa herë themi ‘faleminderit’ në familje? Sa herë i themi faleminderit atyre, që na ndihmojnë, na qëndrojnë pranë, na shoqërojnë në jetë? Shpesh e marrim gjithçka si të mirëqenë! E kjo ndodh edhe me Zotin” (Dita mariane, 13 tetor 2013).
Papa Françesku bëhet megafon i të fundmëve të shoqërisë dhe dënon disa herë dhunimin e dinjitetit të njeriut, sidomos flet kundër trafikut të njerëzve, të kësaj skllavërie të re të kohës moderne. Kandidat i Çmimit Nobel për paqen, Ati i Shenjtë kërkon dhe realizon një Mbrëmje lutjeje për fundin e konfliktit në Siri. Marrin pjesë besimtarë të çdo feje e, edhe jo besimtarë. Kurrë ndonjëherë Sheshi i Shën Pjetrit nuk kishte parë kaq shumë koka të mbuluara me shamitë e myslimanëve në lutje. E Ati i Shenjtë flet për viktimat e luftës:
“Mendoni për fëmijët e uritur në kampet e refugjatëve… Sikur vetëm për këtë të mendoni: ky është fryti i luftës! E nëse doni, mendoni për sallonet e mëdha, për festat që bëjnë zotërinjtë e industrisë së armëve, të cilët prodhojnë armë, që përfundojnë në terrenin e luftës. Fëmijët e sëmurë, të uritur, në një kamp refugjatësh, përballë festave të mëdha, mirëqënies së fabrikantëve të armëve” (Homeli në Shtëpinë e Shën Martës, 25 shkurt 2014)
Por Papa kritikon edhe përdorimin e armëve të tjera, më të holla, si thashethemet, të cilat, paralajmëron, vrasin, sjellin përçarje, i rrjepin njerëzit së gjalli. E kur e thotë? Ati i Shenjtë flet para 19 kardinjave të rinj, përfshirë Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, krijuar në Koncistorin e tij të parë, në fund të shkurtit:
“Kardinali – e jua them veçanërisht juve – hyn në Kishën e Romës o vëllezër, e jo në ndonjë oborr mbretëror. Të gjithë t’i shmangim e ta ndihmojmë njëri-tjetrin për t’i shmangur zakonet e sjelljet e oborrit: intrigat, thashethemet, grupazhet, favoritizmat, preferencat. Gjuha jonë të jetë ajo e Ungjillit: ‘po, po; jo, jo’; sjelljet tona, ato të Lumnive e jeta jonë, ajo e shenjtërisë” (Mesha për kardinajtë e rinj, 23 shkurt 2014).
12 muajt e parë të papnisë së Françeskut karakterizohen nga popullariteti i jashtëzakonshëm i Atit të Shenjtë në nivel botëror. Faqja e tij në Twitter i kalon 12 milion ndjekësit. Revista amerikane “Time” e zgjedh si ‘Personazhin e vitit’. Por, kur shtegtarët në Sheshin e Shën Pjetrit brohorasin “Françesku”, Papa përgjigjet: “Jo Françesku, por Jezusi!”. Ai Jezus, që u kërkon të fejuarve ta ndjekin në ditën e Shën Valentinit, kur i mbledh në një takim të paharruar në Vatikan. Ta ndjekin, duke besuar në vlerën e martesës, në bukurinë e saj të përhershme. Pikërisht familjes dhe sfidave baritore, që i shtron përpara Kishës, Papa i kushton një Koncistor të jashtëzakonshëm, në përgatitje të Sinodit të tetorit. Edhe kësaj radhe, Ati i Shenjtë ledhaton plagët e atyre, që kanë dështuar në jetën familjare:
“…duhet ta ndjejmë dhimbjen e falimentimit, t’i shoqërojmë këta njerëz, që kanë dështuar në dashurinë e tyre. Jo t’i dënojmë! Të ecim me ta! E të mos bëjmë statistika me gjendjen e tyre” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 28 shkurt 2014).
“Mëshirë – pati thënë dikur kardinali Bergolio – është emri i Zotit tonë”. Një emër, që tani, bota mbarë mund ta dëgjojë nga goja e Papës Françesku, i cili edhe sot u kërkon besimtarëve në Twitter “Lutuni për mua”, duke e ditur se pa busullën qiellore, Barkën e Pjetrit e merr era.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama