HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-14 13:34:55
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, dom Dedë Plani



Dom Dedë Plani (Shkodër, 21. 01. 1891- Shkodër, 30. 04. 1948) dha shpirt në spital më 30 prill 1948, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore. Njeri i mësuar, i mirë, i zellshëm, tejet delikat, e kaloi me sukses provën e madhe.

Zoti nuk i çon kurr njeriut vuajtje, më shumë se mund të mbartë

Dom Dedë Plani është një nga figurat më tragjike të klerit të martirizuar katolik në Shqipëri. Me një jetë krejt të thjeshtë. Nxënës i Jezuitëve, vijoi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës e pastaj në Primiz (Austri), pa ngjarje, që vlejnë të shënohen. Veç asaj të shugurimit meshtarak, më 3 gusht 1919, atje ku kishte studiuar.
Nuk u shqua për ngjarje të mëdha, vepra të mëdha, guxim të madh. Nuk ishte predikatar i ndjekur fort nga besimtarët. As shkrimtar i famshëm. Nuk do të linte pas kryevepra në fusha të ndryshme të dijes, si shumë nga sivëllezërit e tij. Nuk njihej për guxim të jashtëzakonshëm, as për trimëri të rralla.
Por dëshmoi se edhe njeriu më i butë e më delikat, “bëhet trim si zana’, kur është fjala për të mbrojtur një ideal, që vlen më shumë se jeta, madje i kapërcen kufijtë e jetës.
Po ç’ faj kishte ky prift i thjeshtë katundi, që shërbente në Rrenc, fare pranë Shkodrës? Pse shkuan një ditë të vitit 1947 e i vunë prangat? Për të provuar, më pas, mbi turpin e tij të brishtë, të gjitha llojet e torturave? Ai nuk kishte asgjë interesante për të treguar. Mundej vetëm të thyhej. E të sajonte përralla me tradhti të larta, kryer në kishë e nga Kisha. Po kjo u mjaftonte xhelatëve. Provuan, prandaj, mbi trupin e tij, të gjithë torturat e mundshme. Të bindur se do të nxirrnin në gjyq një prift, që do ta mohonte publikisht Zotin e Kishën e tij.
Nuk e dimë në se e ka studiuar kush historinë e torturave, që kur u krijua njerëzimi. Sidoqoftë, duhet të jetë një histori tepër e pasur me modele, e sidomos me dhimbje. E nuk e dimë as nëse e ka shkruar kush historinë e torturave në burgjet komuniste të Shqipërisë, si kontribut për historinë botërore të torturave, që arrin deri atje, sa të kryqëzojë vetë Zotin. Dom Deda dha ndihmesën e tij në këtë lëmë, duke provuar mbi shpinë deri në ç’masë mund të duroheshin.
Kujtojmë se disa nga torturat e zakonshme, pa shumë fantazi, ishin: sharrimi i duarve e i këmbëve, natyrisht pa anestezi; fryrja e trupit me pompë; varja nga këmbët ose nga krahët në një pemë në mes të dimrit, në tufan, derisa paralizohej gjithë trupi. Torturë, kjo, që zbatohej edhe ndër kampe, kur ndokush nuk e realizonte normën.
Pastaj, shtrëngimi i gjymtyrëve me hekura, që hynin thellë në mish, ndërsa gjaku rridhte pika pika e formoheshin plagë të rënda, të cilat shumë shpejt ktheheshin në gangrenë. Vinin, pastaj, me radhë, izolimi ndër biruca frigorifere, rrahja deri në vdekje...
Dom Dedën nuk mundën ta nxirrnin në gjyq, sepse u mbeti në dorë. Zoti nuk i çon kurr njeriut vuajtje e mundime, më shumë se është i zoti mbartë. E shpëtoi nga duart e xhelatëve, ashtu, me kockat jashtë, me sqetulla të zgropuara nga djegia prej vezëve të valuara; me kurrizin vrima-vrima nga thumbat e ngulur gjatë hetuesisë e nga cingaret e shuara në mish të gjallë. Me dhëmbët e shkulur, nga frika se do të hante gjuhën e s'do të mund të trillonte më, në gjyq, krimet e veta e as të tjerëve. Nga kthetrat e sigurimit të kuq, ai kaloi, pa gjyq, drejt e në krahët e mëshirës së amshuar!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama