HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-14 16:20:46
A+ A- Printo artikullin



Predikimi i parë i Krezhmëve i atë Kantalamesës: kemi nevojë për kthim në jetën shpirtërore



Të gjejmë kohë për të heshtur, të praktikojmë agjërimin, e jo vetëm duke hequr dorë nga disa ushqime, por sidomos e kryesisht, nga teprimet e mirëqenies. Të fitojmë mbi gjthçka, që na ndan nga vullneti i Zotit. Kështu duhet të jenë Kreshmët e të krishterit, theksoi sot Atë Kantalamesa në meditimin e parë, propozuar Kuries Romake. Predikatari i Shtëpisë Papnore, duke folur sot në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, reflektoi për kuptimin e dyzet ditëve, që i paraprijnë Pashkëve. Ndërsa javët e ardhshme, në praninë e Papës, do të flasë për të vërtetat e fesë, duke u mbështetur tek mësimet e Etërve të Kishës latine.

Nga Ungjilli, tek jeta e secilit nga ne: nëse Jezusi shkoi në shkretëtirë për 40 ditë, e atje agjëroi e edhe u tundua, ç’duhet të bëjmë ne, për t’i përngjarë? Pas kësaj pyetjeje, atë Kantalamesa e zhvendosi çdo gjest të Krishtit nga dymijë vjet më parë, në ditët tona. Krishti shkoi në shkretëtirë, e edhe ne duhet të shkojmë, duke gjetur kohë për të heshtur, hapësirë për të hyrë brenda vetes, për të zbritur në thellësi të shpirtit tonë, për të gjetur aty, pjesën më të vërtetë, duke qëndruar para syve të Zotit. E kjo na kujton thirrjen për t’u rikthyer në zemër, që vijon të na e bëjë Shën Agostini:
“Të kthehesh në zemër, do të thotë të kthehesh te ajo, që është më shumë e jona, që është më intimja në shpirtin tonë. Për fat të keq, pikërisht thellësia shpirtërore është më në krizë se asgjë tjetër sot… ka shkaqe të reja e shkaqe të kahmotshme, që na pengojnë për të hyrë në vetvete, e më universali është fakti se përbëhemi nga shpirti e nga trupi, nga shpirti e materia e, prej këndej, jemi si mbi një rrafshinë të pjerrët, që anon nga poshtë e jo nga lart. Anon nga korpi, jo nga shpirti, nga larmitë, nga gjërat e dukshme, të prekshme, të kapshme… po ne kemi nevojë të anojmë nga shpirti, posaçërisht ne, kleri shekullar e rregulltar”.
E atëhrë duhet të largohemi nga zhurmat, nga dëfrimet, nga format e larmishme të kulturës moderne, nga mjetet e teknologjisë, revistat, librat, televizioni, interneti, mjetet dixhitale, që e pushtojnë thellësinë e zemrës, e na i shterojnë energjitë. E ky është agjërimi, që duhet praktikuar sot. Jezusi ndenji pa ngrënë, ky ishte agjërimi i tij, i kohës kur zbriti ndër ne. Epoka jonë kërkon forma të reja agjërimi:
“Agjërimi sot, ai më domethënësi, … quhet përkorje… heqje dorë vullnetarisht nga rehatitë e vogla e të mëdha, nga ajo që është e panevojshme e nganjëherë edhe e dëmshme për shëndetin. Agjërim sot është solidariteti me të varfërit…. është kundërshtimi i mendësisë konsumistike, në një botë që i bën komoditetet, përdorimin, blerjen, qëllimin e vet kryesor, mekanizmin, që mban në këmbë gjithë sistemin. T’i lësh mangut vetes ndonjë gjë, që nuk është e domosdoshme, është më me fryt, sesa të bësh ndonjë pendesë tjetër, të menduar për vete, gjatë Kreshmëve”.
Mbi të gjitha, atë Kantalamesa foli për heqje dorë nga pamjet, që kanë të bëjnë me dhunën, me sensualitetin, që ngacmojnë instinktet më të ulëta e krijojnë ide të rreme për jetën, sepse pikturojnë një botë të bukur, të shëndetshme, të përkryer, të pasur me sende, deri në atë pikë, sa ta nxisin për rebelim, atë që nuk i ka gjithë ato mrekulli, të cilat i shikon ditë natë në mjetet e komunikimit:
Një tip tjetër agjërimi, është ai i fjalëve të këqija. E fjalë të këqija nuk janë vetëm blasfemitë, natyrisht, as vetëm fjalët e ndyra; janë fjalët, që presin si thika me dy teha, fjalët që vrasin, që vënë në dukje vetëm anën më të ligshtë të vëllait, që lindin dyshime e ushqejnë dyshime, duke mbjellë sherre e shamata”.
Duhet hequr dorë edhe nga gjithçka, që mund të shkaktojë pakënaqësi, poshtërim, fyerje. E nëse të shpëton padashur ndonjë fjalë fyese, duhet zbutur menjëherë efekti i saj, duke kërkuar falje.
Së fundi, predikatari i Shtëpisë Papnore kujtoi se Shejtani nuk na lë rehat as ne: na tundon, pikërisht siç bëri me Krishtin në shkretëtirë. Inteligjencë e çoroditur e çoroditëse, Djalli përdor gjërat e mira, si mjete për ta shkëputur njeriun nga Zoti. Atëherë mund të themi se paraja e përdorur mirë, e seksualiteti, i jetuar mirë, janë dhuratë e Zotit, por në se përdoren nga Djalli, për të na tunduar, në se kthehen në idhuj, atëherë bëhen shkatrrimtare për ne e për gjithë ata, që na rrethojnë. Ç’duhet bërë, atëhere? Të nisemi për në shkretëtirë, shpjegoi predikatari i Shtëpisë Papnore, e të kërkojmë dialogun e thellë me Zotin, duke u shkëputur për këto 40 ditë nga gjithçka e tepërt, që na e pengon këtë dialog. Hyji deshi që Krishti të merrte fytyrë njerëzore, zemër njerëzore, për të na ndihmuar ta duam, ashtu si dimë të duam ne, përfundoi rregulltari kapuçin. Shpirti Shenjt, që e nxiti Jezusin të shkonte në shkretëtirë, sot na nxit edhe ne kah shkretëtira pikërisht për këtë, për ta ndjerë përsëri veten plotësisht me Zotin.






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama