HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-18 14:42:00
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Dom Zef Maksen



Dom Zef Maksen (Worrigen, Gjermani, 02.08.1906 –?? 02-1946) meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: "Des i lum, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit".RealAudioMP3

Një vorr, për dom Zef Maksen

I lindur në Worrigen të Gjermanisë, pranë Këlnit, humbi pa datë, pa gjurmë, në valën e mizorisë komuniste kundër klerit katolik.
Ndërmjet këtyre dy kohëve, një jetë shembullore, e përkushtuar, në emër të Krishtit. U nis nga vendi i tij i lulëzuar, për të sjellë Ungjillin në zonat më të varfëra të Matit, kryesisht në Kthellë. U përpoq t’i lidhte malësorët e mbyllur në botën e vet të ngushtë, me botën e madhe, krejt të panjohur për ta. T’u printe drejt Evropës, ku mendësia e tyre do të takohej me mendësinë e zhvilluar të njerëzve e të viseve të tjera. Për ta bërë jetën e tyre më pak të varfër, më të këndshme, më të gëzueshme, me bindjen se hapi i parë në këtë rrugë, ishte shkolla. U përpoq, prandaj, të përhapte arsimin në trevat e Matit, të shkëputur e të harruar nga bota. Vitet e fundit punoi në Durrës, ku, më 1946, i vunë prangat. I ri, 46 vjeç, i arsimuar, i mëshirshëm, plot me energji për vijimin e misionit, u akuzua si agjent i Gestapos.
Shokët e qelisë tregojnë se një natë të errët e morën. E nuk e kthyen më. Nëpër korridoret e burgut u përhap fjala se e kishin pushkatuar diku, në mes të një pylli. U bë kështu, pjesëtar i grupit të madh të njerëzve, që diktatura i la deri pa varr!
Shumë është folur e është shkruar për njerëzit e pavarr. Më 1991, kur diktatatura ra, ishin ende gjallë të gjithë ata, që e njihnin mirë “hartën” e varreve, ku u kallën individë e masa të masakruarish. Gropat, përrenjtë, skërkat, pyjet vijojnë të ngrejnë zërin në kupë të qiellit e të tregojnë me gishta shkëmbijsh, lisash, gëmushash, vendet ku flejnë, të harruar e të mohuar, ata që meritojnë monumentet më të bukura mbi trupat e masakruar, në një vend vërtet të lirë.
Veç Librit të madh, të zi, të komunizmit, që tundi ndërgjegjën e dremitur të botës, sot kemi edhe “Librin e zi të komunizmit shqiptar”, vepër e Agim Mustës, botuar më 2007. Aty janë të gjitha varret e panjohura. Aty përshkruhen me hollësi viset, ku u ekzekutuan kundërshtarët e komunizmit: furrat e gëlqeres, ku u dogjën trupat; vaskat me acid, ku u humbën eshtrat; llumet e kënetave, ku u fundosën; ndërtimet të reja, që u ngritën mbi trupat e tyre periferive të qyteteve, brigjet e deteve, thellësitë e pyjeve... Pikat e ekzekutimeve u mbetën në mendje jo vetëm atyre, që i kryen, por edhe banorëve të zonave. Pylli i Sodës, në Vlorë; Antenat e Radios e Zalli i Kirit, në Shkodër; Mali me Gropa e sa e sa vende të tjera tragjike, ruajnë në gjirin e tyre sekretin e varreve të pakërkuara e të harruara.
Në Librin e zi të komunizmit të kuq shqiptar, ndeshemi vazhdimisht edhe me 40 martirët, për të cilët po flasim, përmes dëshmive me vlerë, mbledhur nga autori i tekstit. Po aty janë edhe listat me emrat e njerëzve, që i kryen gjithë këto mizori. Që mund të flisnin, e s’folën! Që mund të flasin, e s’po flasin. Pa kujtuar, këtu, hartat e varreve, që duhet të jenë ende, diku, në ndonjë skutë.
E pra Shiqipëria vijon të flejë prej vitesh, krejt e qetë, mbi një shtrat të mbushur me eshtra. Ndërmjet tyre, eshtrat e Misionarit katolik gjerman, që erdhi e humbi në pyjet tona.
Pak para se ta merrnin nga qelia, për ta zhdukur në terr e në heshtje, si hajdutët, i vetëdijshëm se po shkonte drejt vdekjes, i pati thënë një shoku të qelisë: “Gëzohem që po vdes në tokën e misionit, sepse kështu shqiptarët do të më kujtojnë gjithnjë si kasnec i Ungjillit”. Domethënë, i Qytetërimit të dashurisë, i Dritës.
Po sa e kujtojnë sot shqiptarët, gjermanin martir, që deshi të sillte Gjermaninë e tij në Kthellë, e derdhi edhe gjakun natën, në mes të pyllit, për të ndezur një pishtar, në terr? Në një kohë kur s’ka mbetur pa u zbuluar asnjë nga varret e faraonëve, vdekur mijëra vjet para Kishtit?
Dom Zef Maksen nuk kërkon ndonjë shpërblim të madh nga shqiptarët: vetëm një varr të thjeshtë, me një dru dëllinje në formë kryqi mbi kokë, diku, në Kthellën e Tij! E meriton!





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama