HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-18 14:42:37
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë Lajmin e mirë (Mk 1,12-13) – Jezusi në shkretëtirë



Menjëherë pas pagëzimit, Shpirti e shtyn Jezusin drejt shkretëtirës, ku ndenji dyzet ditë. RealAudioMP3 Qëndrimi i Jezusit në shkretëtirë nuk nënkupton vetëm shkëputjen e tij nga bota, për të jetuar më thellësisht bashkimin me Atin e amshuar, por edhe përmbledhjen dhe përmbushjen e të gjithë historisë së Izraelit në personin e tij. Izraeli ishte endur dyzet vjet nëpër shkretëtirë, në kërkim të tokës së premtuar. Në shkretëtirë kishte përjetuar afërsinë dhe dashurinë e Hyjit, por, po aty, edhe e kishte humbur besimin në Hyjin. Në shkretëtirë Hyji i kishte dhënë Ligjin dhe manën. Në shkretëtirë i kishte dhënë urdhër Moisiut të godiste me shkop shkëmbin, nga ku shpërtheu uji, me të cilin shoi etjen e popullit të vet.
Në këto dyzet ditë, Jezusi përjeton dhe përmbledh tërë historinë e Izraelit. Me këtë përjetim na tregon se nuk është i huaj në histori, por i lidhur me historinë e secilit dhe të të gjithëve. Në shkretëtirë, përfaqëson Izraelin dhe njerëzimin para Hyjit Atë, para se të hyjë në rrugët dhe sheshet e qyteteve, për t’u kumtuar të gjithëve lajmin e mirë, atë lajm, që bie si vesë në shkretëtirën e shpirtit dhe e rigjallëron njeriun së brendshmi.
Ungjijtë e Mateut dhe Lukës na tregojnë se pas dyzet ditësh, kur Jezusi ishte i uritur, iu afrua djalli për ta tunduar. Mateu dhe Luka rendisin edhe tre tundimet e famshme të Jezusit dhe përgjigjet e Birit të Hyjit ndaj gënjeshtarit të lashtë, ndërsa Marku nuk flet për tundimet e veçanta, por thotë se “aty ndenji dyzet ditë, i tunduar nga djalli” (Mk 1,13). Përvoja e Jezusit në shkretëtirë është përvojë e përhershme sprove dhe tundimi. Skena e teatrit të shkretëtirës nuk është e zbrazur dhe statike. Nuk ka asgjë të përbashkët me vetminë romantike apo me meditimin larg botës. Aty Jezusin e tundonte satani, “rrinte me egërsirat dhe i shërbenin engjëjt” (Mk 1,13). Para se të hyjë në rrugët dhe sheshet e qyteteve, për t’u folur njerëzve për dashurinë e Hyjit, ai hyn brenda gjendjes shpirtërore të çdo njeriu, që në shkretëtirën e vet përjeton tundimet, egërsinë e natyrës së trazuar dhe kujdesin hyjnor. Ai i flet njeriut si dikush që e njeh njeriun në thellësi. Dyzet ditët e Jezusit në shkretëtirë, që përkojnë me dyzet vjetët e Izraelit, tregojnë se Jezusi e ka përshkuar tërë shkretëtirën tonë.
Pasi e përshkoi skaj më skaj këtë shkretëtirë, “si e kapën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Predikonte ungjillin e Hyjit e thoshte: koha u plotësua dhe mbretëria e Hyjit është afër. Kthehuni dhe besojini ungjillit” (Mk 1,14-15).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama