HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-20 12:42:54
A+ A- Printo artikullin



Evangelii gaudium (XIII) - Përmasa shoqërore e ungjillëzimit



Në kapitullin e katërt të thirrjes apostolike Evangelii gaudium Papa Françesku flet për përmasën shoqërore të ungjillëzimit. “Të ungjillëzosh – shkruan Papa – do të thotë të bësh të pranishme Mbretërinë e Hyjit” (n. 176). Nëse nuk kujdesemi për përmasën shoqërore të ungjillëzimit, rrezikojmë ta shtrembërojmë domethënien fillestare të shpalljes së Ljamit të Mirë. “Kerygma (predikimi, ajo që Papa quan shpallja e parë) ka një përmbajtje shoqërore të pashmangshme”, sepse “jeta e përbashkët dhe angazhimi me të tjerët është në qendër të Ungjillit” (n. 177). Përmbajtja e këtij predikimi sjell patjetër rrjedhoja morale.RealAudioMP3
Angazhimi shoqëror themelohe mbi fenë në Trininë e Shenjtë. Ne shpallim Atin, që na do; Birin, i cili, duke u bërë njeri, ka afruar çdo njeri me zemrën e Hyjit; dhe Shpirtin e Shenjtë, që “kërkon të depërtojë në çdo situatë njerëzore dhe në të gjitha lidhjet shoqërore” (n. 178). “Vetë misteri i Trinisë na kujton se jemi krijuar në shëmbëllimin e bashkësisë hyjnore, prandaj nuk mund as të realizohemi, as të shpëtohemi vetëm” (n.178). Për këtë arsye Ungjilli është i lidhur ngusht me zhvillimin njerëzor. Pranimi i lajmit të parë të dashurisë së Hyjit sjell edhe reagimin e parë, që është: “të dëshirosh, të kërkosh dhe të kesh për zemër të mirën e të tjerëve” (n. 178).
Lidhja ndërmjet pranimit personal të Ungjillit dhe kujdesit për të tjerët gjendet në vetë tekstin ungjillor, jo vetëm në urdhrin e dashurisë për të afërmin, por edhe në atë thënie të Jezusit, në të cilën na tregon se ai është bashkuar krejtësisht me çdo njeri: “Çfarëdo që të bëni vetëm për njërin prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, e keni bërë për mua” (Mt 25,40). Leximi i Shkrimit të Shenjtë na e bën të qartë se “Ungjillit nuk na parashtrov vetëm marrëdhënien personale me Hyjin”, dhe përgjigjja ndaj dashurisë së Hyjit nuk mund të kufizohet me ndonjë vepër bamirësie për një nevojtar të caktuar, sa për të qetësuar ndërgjegjen. Ungjilli shpall mbretërinë e Hyjit. Të pranosh Ungjillin do të thotë “të duash Hyjin, që mbretëron në botë” (n. 180). Drejtësia shoqërore, paqja dhe dinjiteti i të gjithëve do të ekzistojnë në atë masë në të cilën Hyji do të mbretërojë mes nesh.
Krishti i ringjallur i urdhëroi apostujt t’ua shpallnin Ungjillin të gjitha krijesave, prandaj, shkruan Papa, duke cituar Dokumentin e miratuar nga ipeshkvijtë e Amerikës Latine në Paprecida, “misioni i shpalljes së Lajmit të Mirë të Jezu Krishtit ka destinacion universal. Mandati i tij i dashurisë përfshin të gjitha përmasat e ekzistencës, të gjithë njerëzit, të gjitha mjediset e bashkëjetesës dhe të gjithë popujt. Asgjë, që është njerëzore, nuk mund të jetë e huaj për të” (n. 181).
Papa Françesku thotë se mësimet e Kishës në lidhje me ndonjë rrethanë konkrete mund të kenë nevojë për zhvillim të mëtejshëm dhe mund të jenë të diskutueshme, “por nuk mund të mos jemi konkretë”, prandaj, “Barinjtë, duke pranuar kontributet e shkencave të ndryshme, kanë të drejtë të japin opinione mbi gjithçka që ka të bëjë me jetën e njerëzve, duke qenë se detyra e ungjillëzimit mbart me vete dhe kërkon zhvillimin tërësor të çdo qenieje njerëzore” (n. 182). Askush nuk mund të kërkojë që feja të mbyllet vetëm brenda jetës private, me pretendimin se ajo ekziston për t’i përgatitur njerëzit për lumturinë qiellore. “Hyji dëshiron që bijtë e tij të jenë të lumtur edhe në tokë” (n. 182), prandaj të krishterët duhet të merren edhe me çështjen e rendit shoqëror. Duke folur për përmasën publike të shpalljes së lajmit të mirë, Papa pyet: “Kush do të guxonte ta mbyllte brenda një tempulli mesazhin e Françeskut të Asizit dhe të së lumes Terezë të Kalkutës?” (n. 183).
Feja e krishterë mbart me vete dëshirën e thellë për ta ndryshuar botën dhe për t’ua lënë atë pasardhësve më të mirë se e kemi gjetur: “E duam këtë planet madhështor, ku na ka vënë Hyji, dhe e duam njerëzimin, që banon në të, me të gjitha dramat dhe mundimet e tij, me dëshirat dhe shpresat, me vlerat dhe me brishtësitë, që ka” (n. 183). Papa thekson se rendi shoqëror dhe mbarëvajtja e shtetit janë detyrë e politikës, por Kisha nuk mund të rrijë anash në luftën për drejtësi. Mendimi shoqëror i Kishës është pozitiv dhe propozues. Ai është paraqitur në mënyrë të përshtatshme në Përmbledhjen e doktrinës shoqërore të Kishës, përdorimin e të cilës Ati i Shenjtë e porosit me ngulm, duke kujtuar, me shumë përvuajtëri se “as Papa as Kisha nuk e kanë monopolin e interpretimit të realitetit shoqëror dhe të propozimit të zgjidhjeve për problemet bashkëkohore”, prandaj “u takon bashkësive të krishtera ta analizojnë me objektivitet situatën e vendit të tyre” (n. 184). Çështjet për të cilat Papa Françesku flet në këtë kapitull janë dy: 1) përfshirja e të varfërve në shoqëri dhe 2) paqja e dialogu shoqëror.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama