HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-21 15:59:15
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Dom Luigj Prendushi



Dom Luigj Prendushi (Shkodër, 24. 01. 1896 - Shelqet, 24. 01. 1947) u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.RealAudioMP3

Ungjilli, kapitali më i çmuar!

Dom Luigj Prendushi lindi në Shkodër, më 24 janar 1896. U nis krejt i mitur për në Piemont të Italisë, ku i kreu të gjitha shkollat: nga fillorja, në kolegjet më të mira të Skarnafacios e të Sarvanos. Gjatë shkollimit, zgjodhi edhe rrugën e jetës: atë të përkushtimit ndaj Zotit e të afërmit. Pas shumë motesh në dhe të huaj, ai mund të vijonte qetësisht udhën e zgjedhur, aty ku e kishte nisur. Në vise të begata, të përparuara.
Tregohet se motit qe mbytur një varkë, ku kishte shumë tregtarë, me shumë mallra, Njerëzit shpëtuan, po mallrat u mbytën. Si kaloi droja e rreziku, tregtarët nisën të qanin me lot për mallrat e humbura. Ndërmjet tyre, vetëm njëri nuk ankohej. Ishte meshtar. Kur e pyetën si mund të rrinte aq i qetë, u përgjigj: - Nuk kam asnjë arsye për t’u qarë. Kapitali im është Ungjilli. Ai nuk mund të mbytet në det!
Me këtë kapital kthehej Dom Luigj Prendushi, në një vend ku të shkelje i ngarkuar vetëm me dije, nuk ishte ndonjë nder i madh.
E kështu, nga drita e dijes evropiane, në terrin e shpeshtë të padijes së vendit, prej të cilit qe larguar fare i vogël. Mes njerëzve, që i gjeti, si i kishte lënë. Prandaj erdhi, për t’i çliruar shqiptarët nga mendësia e kërkimit të një kafshate buke, një zheleje në shtat, dy tjegullave mbi kokë, një grazhdi për shtroje e një pushke në gozhdë, për t’u ruajtur nga bishat e egra e nga armiku.
Erdhi të banonte pranë tyre, në shtëpitë, që ishin më shumë shpella, të ndriçuara nga zjarri i vatrës, në Mazrek, Nënshat, Shllak, Dardhë (Pukë), Koman, Kaçë, Naraç, Shelqet.
Erdhi në viset e veta, nga viset me pallate të larta, kisha madhështore, hotele vezulluese, rrugë, që zjenin nga njerëzit, gjithë gjallëri. Erdhi, duke sjellë me vete një pasuri të pallogaritshme, një pikë takimi me viset më të përparuara të botës perendimore. Ungjillin!
Pa i shkuar për asnjë çast në mendje të dredhonte rrugë, të rikthehej në vendet e lulëzuara, ku mund ta vijonte qetësisht jetën meshtarake. E aq më pak, t’ia mbathte këmbëve, nga një vend që kishte nisur të ushqehej me bijtë e vet.
Për këto krime, e arrestuan. Akuzat e vetme “Prift katolik” e “spiun i Vatikanit”.Dënimi, me vdekje. Pushkatimi, më 24 janar 1947. I vetmi shpërblim i jetës së tij, shkrirë për Ungjillin e njerëzit e kombit të vet, gjetja e eshtrave. Që nga maji i vitit 1992 pushon në Tënzonë, duke pritur zgjimin e madh, në varrezën e Rrëmajit, pranë njerëzve të familjes, të cilët i pati lënë ende i njomë, për t’i shërbyer Zotit e shqiptarit!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama