HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-22 13:26:17
A+ A- Printo artikullin



E diela e tretë e Kreshmës



Leximi i parë (Dal 17,3-7)
3 Në ato ditë populli hoqi keq për ujë dhe nynykatte kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona”? 4Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çfarë të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë”. 5 Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin dhe nisu! 6 Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë”. Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit. Atë vend Moisiu e quajti: Masa dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është”? RealAudioMP3

Nga Psalmi 95 (94)

Ref. Bëj që ta dëgjojmë zërin tënd, o Zot

Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
2 T’i dalim para me falenderim,
t’i këndojmë këngë hareje!

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

Leximi i dytë (Rom 5,1-2.5-8)

1 Të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, 2 nëpër të cilin [me anë të fesë] fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit.
5 e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.
6 Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për keqbërësit. 7 E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për një njeri të drejtë ‑ ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. 8 Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

Ungjilli (Gjn 4,5-42)

Jezusi arriti në qytetin e Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, birit të vet. Aty ishte pusi i Jakobit.
Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë në grykën e pusit. Ishte diku rreth orës gjashtë. Një grua nga Samaria erdhi të mbushë ujë. Jezusi i tha:
“Më jep të pi!”
Nxënësit e tij kishin shkuar në qytet të blejnë ushqime.
Samaritania i tha: “Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritane?” [Sepse judenjtë nuk marrin e japin me samaritanë].
Jezusi iu përgjigj: “Po ta dije ti çka të dhuron Hyji dhe kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi!’, ti vetë do të lypje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë!”
“Zotëri - iu përgjigj gruaja - ti s’ke as me çka të mbushësh ujë e pusi është i thellë! Nga, pra, mund të kesh ujë të gjallë? A mos je më i madh se ati ynë Jakobi, që na dha këtë pus, piu vetë prej tij, si edhe bijtë e tij e bagëtitë e tij.”
Jezusi iu përgjigj: “Kushdo që pi këtë ujë përsëri do të ketë etje. Kurse, kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap, kurrë më nuk do të ketë etje, madje uji që unë do t’ia jap do të bëhet në të burim që rrjedh në jetën e pasosur.
Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep ashtu uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të mbush!”
Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!”
“Unë nuk kam burrë!” - iu përgjigj ajo.
“Mirë the! - ia ktheu Jezusi - ‘S’kam burrë!’ Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!”
“Zotëri - vijoi gruaja - po shoh se je profet. Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi.”
Jezusi i tha: “Më beso mua, o grua, po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve.
Por po vjen koha - e tani është!- kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë,
sepse Ati kërkon tamam adhurues të tillë. Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.”
Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka”
Jezusi i tha: “Unë jam Mesia, unë që po flas me ty!”
Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?”
Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?”
Ata dolën prej qytetit dhe u nisën për tek ai.Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!”
Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.”
Nxënësit pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?”
Jezusi iu përgjigj: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, të kryej veprën e tij.
A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj e, ja, korrja?’ Ja, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur,
që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e një tjetër korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë: të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”
Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë tek ata. Jezusi ndenji mes tyre dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.”


Krishti, uji që na shuan etjen
Të jetosh si i krishterë do të thotë të përvetësosh gjithnjë e më shumë përvojën e Krishtit, të përmbledhur në dy të dielat e para të Kreshmës: të ecësh me besnikëri ndaj Atit, për të arritur pikësynimin e shndërrimit të lavdishëm. Itinerari është i mundur me një kusht: dëgjimi i Fjalës së Hyjit, ngulja e rrënjëve thellë brenda saj, pranimi i kërkesave që na parashtron. Liturgjia e kësaj të diele dhe e dy të dielave të ardhshme e ndihmon të krishterin të përjetojë edhe një herë, me anë të misterit, etapat e mëdha nëpër të cilat kalonin katekumenët, për të zbuluar kërkesat e thella të kthimit kah Krishti, në shenjat e ujit, të dritës dhe të jetës.
Njeriu i etur për vlera
Në qendër të liturgjisë së sotme është uji, si vendndodhja ku bashkohen dhe takohen dy bashkëbisedues: njeriu dhe Hyji. Uji bëhet simboli, që përmbledh dhe shpreh kërkesën e njeriut dhe përgjigjen e Hyjit (Ungjilli i sotëm). Ekzistenca njerëzore është plot me aspirata të pafundme: etja për dashuri, kërkimi i të vërtetës, etja për drejtësi, liri, bashkim dhe paqe... Dëshira shpesh herë të papërmbushura. Kërkesa për të tërësishmen merr si përgjigje vetëm grimca të vogla, hurba të vogla, që nuk e shuajnë krejt etjen. Nga thellësitë e qenies së vet, njeriu kërkon “më shumë”, absoluten, që mund ta qetësojë dhe t’ia shuajë etjen në mënyrë përfundimtare. Por, ku mund të gjendet uji, që fashit çdo trazim dhe plotëson çdo dëshirë?
Uji që e shuan etjen përgjithmonë
Përgjigjen na e jep Jezusi në takimin me gruan samaritanase. Në traditën biblike Hyji vetë është burimi i ujit të gjallë. Të largohesh prej tij dhe prej ligjit të tij do të thotë të provosh thatësirën më të tmerrshme (shih Jer 2,12-13; 17,13). Në ecjen e mundimshme drejt lirisë, Izraeli, i zhuritur nga etja, e tundon Hyjin, e kërkon ndërhyrjen e tij si një të drejtë dhe kundërshton mënyrën si vepronte Moisiu, i cili duket se është përgjegjës për një aventurë pa rrugëdalje. Populli vajton të shkuarën dhe nuk pranon të ardhmen, sepse e sheh si të rreme. Dëshiron të nënshtrojë Hyjin, për t’i zgjidhur vështirësitë e veta në mënyrë të mrekullueshme (leximi i parë). Por Hyji nuk i përgjigjet kësaj kërkese. Megjithatë, ai jep prova se nuk e braktis popullin e vet: i siguron ujin, për të shuar etjen, që populli ta njohë si shpëtimtar dhe të mësojë t’i besojë.
Shkëmbi nga i cili Mosisiu nxjerr ujin është shenja e Provanisë hyjnore, që e ndjek popullin dhe i jep jetë. Pali do të shpjegojë (shih 1Kor 10,4) se ai shkëmb ishte Krishti, që vepronte në mënyrë të mistershme qysh atëherë. Krishti është edhe tempulli nga i cili, sipas vizionit të profetëve (shih Ez 47; Zk 13,1), do të burojë uji, shenjë e Shpirtit të Shenjtë, që dhuron frytshmërinë dhe jetën. Madje ai vetë do të jetë gurra e ujit që buron përgjithmonë (Ungjilli).
Të lindur nga uji dhe nga Shpirti
Premtimi i ujit të gjallë është bërë realitet në Pashkët e Jezusit. Nga kraharori i tij i shporuar doli “gjak e ujë” (shih Gj 19,34). Personi i Jezusit bëhet burimi nga i cili rrjedh uji i Shpirtit, domethënë dashuria e Hyjit, që derdhet në zemrat tona (leximi i dytë) në ditën e pagëzimit. Kjo dashuri na ka pastruar dhe na ka lindur në një jetë të re, ende para se ne të mund të përgjigjeshim. Ati na ka pranuar në bashkësi me veten. Falë veprës së Shpirtit jemi bërë një gjë e vetme me Krishtin, bij në Birin, adhurues të vërtetë të Atit. Ekzistenca e krishterë, e frymëzuar nga Shpirti, është përjetimi i bijësisë. Nuk është tjetër gjë, përveçse jetë në dashuri, duke rrezatuar çfarë kemi marrë. Eukaristia është afrim me ujin e gjallë, për të marrë plotësinë e Shpirtit të Shenjtë, shujtën gjithmonë të re të dashurisë: “Kush pi nga uji që unë do t’i jap... do të ketë në vetvete një gurrë, që buron deri në jetën e amshuar” . Siç bëri gruaja samaritane, duhet t’u tregojmë vëllezërve çfarë ka përmbushur Zoti në ne, në mënyrë që ata, si bashkëqytetarët e gruas, të arrijnë të shpallin se Jezusi është “shpëtimtari i botës”. Feja duhet të bëhet ngjitëse. Të pagëzuarit, të lindur në jetë të re, rrënjësisht të përtërirë në zemër dhe në shpirt, duhet të japin arsyet e jetës dhe të shpresës , që kanë. Nëse kërkimi dhe etja e njeriut gjejnë në Krishtin përgjigjen e plotë, është e nevojshme të dëshmohet se si shëlbimi nuk gjendet tek “gjërat”, që ndezin dëshira të reja dhe trazime, por tek vlera e vetme, që kemi përqafuar: Jezusi, shpëtimtari i njeriut. Nuk ka ujë tjetër, që mund ta bëjë të lulëzojë shkretëtirën tonë dhe që mund ta fashisë krejtësisht kërkimin tonë: “Na ke bërë për vete, o Zot, dhe zemra jonë është e trazuar deri kur të pushojë në ty” (Shën Agostini).
Takimi i Jezusit me gruan samaritanase

Nga “Trajtesa për Gjonin” e Shën Agostinit, ipeshkëv
“Dhe, ndërkaq, arriti një grua” (Gj 4,7): shëmbëllim i Kishës, ende e pashfajësuar, por shumë pranë shfajësimit. Kjo është tema e kthimit.
Ajo vjen pa e ditur dhe gjen Jezusin, i cili fillon të bisedojë me të.
Të shohim për çfarë dhe të shohim pse “erdhi një grua nga Samaria për të mbushur ujë”. Samaritanët nuk i përkisnin popullit të judenjve: në fakt, ishin të huaj. Është domethënëse si kjo grua, e cila ishte shëmbëllim i Kishës, rridhte nga një popull i huaj. Në të vërtetë, Kisha do të vinte nga paganët, që, për judenjtë, ishin të huaj.
Le të shohim veten tonë tek ajo dhe, nëpërmjet saj, le të falënderojmë Hyjin. Ajo ishte shëmbëllimi, jo e vërteta, sepse edhe ajo, në fillim përfaqësoi shëmbëllimin, për t’u bërë, në vijim, e vërteta. Kështu, besoi në atë, që donte ta bënte shëmbëllimin tonë. “Erdhi, pra, për të mbushur ujë”. Kishte ardhur vetëm për të mbushur ujë, siç bëjnë zakonisht burrat dhe gratë.
“Jezusi i tha: Më jep të pi. Nxënësit e tij kishin shkuar në qytet për të blerë ushqimet. Por, samaritanja i tha: Si vallë, ti, që je jude, kërkon ujë nga unë, që jam grua samaritane? Judenjtë, në të vërtetë, nuk kanë marrëdhënie të mira me samaritanët” (Gj 4,7-9).
Shikoni sa të huaj ishin për njëri-tjetrin: judenjtë nuk përdornin as kovat e samaritanëve. Dhe, duke qenë se ajo grua kishte marrë me vete kovën me të cilën mbushte ujë, u mrekullua që një jude i kërkonte të pinte, gjë që judenjtë nuk e kishin zakon kurrë. Por, ai që kërkonte për të pirë, kishte etje për fenë e gruas nga Samaria.
Dëgjo tani, kush është ai që kërkon të pijë: “Jezusi iu përgjigj: po ta njihje ti dhuratën e Hyjit dhe kush është ai që të thotë: më jep të pi, do t’i kërkoje ti vetë atij dhe ai do të të kishte dhënë ujë të gjallë” (Gj 4,10).
I kërkon të pijë dhe i premton se do t’ia shuajë etjen. Është nevojtar si dikush që pret për të marrë dhe është i begatë, si dikush që është në gjendje ta shuajë urinë. “Po ta njihje ti”, i thotë, “dhuratën e Hyjit”. Dhurata e Hyjit është Shpirti i Shenjtë. Por Jezusi i flet gruas me një gjuhë ende të fshehtë, dhe dalë ngadalë brenda zemrës së saj hapet një udhë. Ndoshta qysh në fillim e mëson. Çfarë është më e ëmbël dhe më e dashur se kjo thirrje: “Po ta njihje ti dhuratën e Hyjit dhe kush është ai që të thotë: më jep të pi, ti vetë do t’i kishe kërkuar dhe ai do të të kishte dhënë ujë të gjallë”?
Cilin ujë, pra, do t’i japë, përveç atij, për të cilin është shkruar: “Në ty është burimi i jetës”? (Ps 35,10).
Në të vërtetë, si mund të kenë etje ata që “ngihen me begatinë e shtëpisë sate”? (Ps 35,9).
Ai premtonte begatinë e Shpirtit të Shenjtë, që shuan çdo uri, por ajo ende nuk e kuptonte dhe, duke mos e kuptuar, si përgjigjej? Gruaja i thotë: “Zot, më jep prej këtij uji, që të mos kem më etje dhe të mos vijoj të vij këtu për të mbushur ujë” (Gj 4,15). Nevoja e detyronte të lodhej, por dobësia nuk e lejonte të përshtatej lehtë. Ah, sikur ta kishte dëgjuar: “Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të lodhur dhe të shtypur, dhe unë do t’ju shujtoj” (Mt 11,28). Jezusi i thoshte kështu, që ajo të mos lodhej më, por gruaja ende nuk po e kuptonte.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama