HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-23 13:23:47
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Marc Ouellet (Uellet): një vit me Papën Françesku



Të varfrit, familja dhe të rinjtë. Këto janë, sipas prefektit të Kongregatës për ipeshkvijtë dhe kryetarit të Komisionit Papanor për Amerikën Latine, kardinalit Marc Ouellet, tri përparësitë “që burojnë “ nga veprimtaria baritore e Papës Bergoglio. Duke folur dje, në Vatikan, në takimin me temë: “Homazh dhe angazhim në përvjetorin e parë të papnisë së Papës Françesku”, kardinali Ouellet vëren, para së gjithash, se ipeshkvi i Romës “është gjithnjë afër deleve të veta romake”; ndër to, “famullitë e Romës” dhe Kuria Romake, të cilës, “i ka kushtuar një pjesë të madhe të energjive të veta”.
“Veprimit, që po kryen – nënvizon kardinali – nuk i mungon guximi, por ai duhet forcuar nëpërmjet rishikimit të kushtetutës ‘Pastor Bonus’”. Vëmendja e Françeskut për të varfrit “i çudit dhe, në të njëjtën kohë, i shqetëson disa mjedise, që e kanë akuzuar për marksizëm”, vijon Ouellet, ndërsa familja është “në krye të listës së përparësive për kërkim, për dialog dhe për orientimet baritore të përshtatshme përballë gjendjes së saj gjithnjë e më të brishtë në botën e sotme”. “Këshillimi i madh”, që po zhvillohet, vëren, ngjall kundërshti dhe zgjon pritshmëri, “duke rrezikuar të shkaktojë edhe zhgënjim”, por “ia vlen”, sepse nevojitet një “përgjigje afatgjatë për sfidat aktuale të ungjillëzimit”.
Kardinali Ouellet ka besim të plotë se Papa do të dijë të gjejë mjetet e përshtatshme për punën baritore me familjet dhe me mbarë Kishën, duke filluar nga familja “e themeluar mbi sakramentin e martesës”. Papa u dëshmon të rinjve se Jezusi është “një person real, me të cilin mund të jetohet një miqësi, që e ndryshon jetën”. Në thirrjen apostolike Evangelii gaudium, vijon kardinali, Papa Françesku “bashkërendit dy vizione, të kundërta nga pamja e jashtme”, por që në të vërtetë janë plotësuese. Nga njëra anë “ideja konciliare e popullit të Hyjit, të cilën ai e parashtron me tërë dendurinë e saj historike dhe misterike, një popull në ecje nëpër histori nën shtysën e Shpirtit të Shenjtë”; nga ana tjetër “shëmbëllimi paradoksal i Nënës Sonë të Shenjtë Kishë, hierarkike dhe mariane, që i dallon dhe i personalizon anëtarët e këtij populli të Hyjit, pa caktuar mes tyre ndonjë dallim në dinjitet”.
Një “ekleziologji eukaristike dhe mariane”, që kërkon shërbim “në frymën e përvuajtërisë, mëshirës e përdëllimit” dhe nxit për mision. “Të gjitha befasitë e këtij vit të parë të papnimit” të Françeskut, përfundon Ouellet, kishin për qëllim “ta rizgjonin të gjithë Kishën për mision”. Predikimi i tij për mëshirën dhe përdëllimin, gjestet e pranimit dhe të butësisë, përmendja e pajtimit dhe e paqes “janë një hir i madh për kthim misionar, në epokën tonë të globalizimit të indiferencës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama