HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-03-21 14:00:07
A+ A- Printo artikullin



Papa: përvujtëria e lutja, të nevojshme për të mos e “përvetësuar” Fjalën e Zotit



Për të mos e qëlluar në zemër Fjalën e Zotit, duhet të jemi të përvuajtur e të aftë për t’u lutur. Dy sjellje, të cilat Papa Françesku i kujtoi sot paradite gjatë Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës. RealAudioMP3
Fjala e Zotit mund edhe të përvetësohet, të përdoret sipas qejfit, në se i krishteri nuk përvuhet e nuk lutet. Shtytjen për ta vënë në dukje këtë kurth e për t’u ruajtur prej tij, Papa e mori nga Ungjilli i ditës, në të cilin Jezusi rrëfen shembëlltyrën e vreshtarëve vrasës, që një herë vrasin shërbëtorët e, në fund, edhe të birin e të zotit të vreshtit, duke dashur të rrëmbejnë gjithë trashëgimin e tij. Këtë fjalë e dëgjojnë farizenjtë, pleqtë, priftërinjtë, të cilëve, shpjegoi Papa, Jezusi u drejtohet, për ta kuptuar sa poshtë kishin rënë, sepse nuk ia kishin hapur zemrën Zotit:
“Kjo është drama e këtyre njerëzve, e edhe drama jonë! E përvetësuan Fjalën e Zotit. E Fjala e Zotit, u bë fjala e tyre, fjalë në përkim të plotë me interesat e tyre, me ideologjitë e tyre, me teologjitë e tyre, gjithnjë në shërbim të tyre. E secili e interpretonte sipas dëshirës, sipas interesit të vet. Kjo është drama e këtij populli, që për ta vijuar këtë udhë, vret. Por ky është edhe suksesi i Jezusit”.
Krerët e priftërinjve e të farizenjve, vijoi Papa Françesku, kur e dëgjuan këtë shembëlltyrë të Jezusit, e kuptuan se po fliste për ta. Prandaj kërkonin ta kapnin, e ta shihnin të vdekur. Në këtë mënyrë, pohoi Papa, Fjala e Zotit vihej në pranga, Shpirti Shenjt mbyllej në kafazin e dëshirave të secilit prej tyre. E kjo na ndodh pikërisht edhe ne, vërejti Papa Françesku, kur nuk ia hapim zemrën risisë së Fjalës së Zotit, kur nuk i bindemi Fjalës së Zotit:
“Po është një frazë, që na jep shpresë. Fjala e Zotit ka vdekur në zemër të këtyre njerëzve; pa harruar se mund të vdesë edhe në zemrën tonë. Po nuk vdes kurrë për fare. Sepse është në zemrën e njerëzve të thjeshtë, të pëvuajtur, të Popullit të Zotit. Kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turma e Popullit të Zotit, për të të cilin ai ishte profet. Nga turma e thjeshtë, njerëzit, që e ndiqnin pas, sepse çka thoshte Jezusi u bënte mirë zemrave të tyre. Këta njerëz nuk gaboheshin: nuk e përdornin Fjalën e Zotit për interesat e tyre, e ndjenin e përpiqeshin për t’u bërë pakëz më të mirë”.
E ne, tha në përfundim Papa, ç’mund të bëjmë, për të mos e vrarë Fjalën e Zotit, për t’iu bindur, për të mos e mbyllur në kafaz Shpirtin Shenjt? Dy gjëra, krejt të thjeshta, ishte përgjigjja:
Kjo është sjellja e atij, që dëshiron ta dëgjojë Fjalën e Zotit: e para, përvujtëria; e dyta, lutja. Këta njerëz nuk luteshin. Nuk kishin nevojë të luteshin. Ndjeheshin të sigurt, të fortë, ndjeheshin ‘zota’. Përvujtëri e lutje: me përvujtëri e lutje të shkojmë përpara për të dëgjuar Fjalën e Zotit e për t’iu bindur. Në Kishë. Përvujtëri e bindje në Kishë. E kështu nuk do të na ndodhë, çka u ndodhi atyre njerëzve: nuk do të vrasim, për të mbrojtur Fjalën e Zotit, atë Fjalë, në të cilën besojmë! Fjalën e Zotit, së cilës ne ia ndryshojmë krejtësisht kuptimin”.







Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama