HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-21 15:56:17
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku merr pjesë në lutjen për familjarët e viktimave të mafies



Së bashku, dorë për dore, Papa Françesku dhe don Luigji Çioti, themeluesi i Fondacionit “Libera” (Çliro), hyjnë në kishën e shën Gregorit VII pranë Vatikanit, për t’u lutur së bashku me familjarët e viktimave të pafajshme të mafies. Një violinë që vajton, në një kishë mbushur plot, aq sa të merr frika të numërosh, sepse si mund të jenë kaq shumë ata, që kanë të paktën një person të familjes, viktimë të mafies. 842 emra, ndër të cilët 80 fëmijë, lexohen nga një rresht pa fund njerëzish. RealAudioMP3
Këto janë imazhet e mbrëmjes së lutjes për viktimat e pafajshme të mafies, që Fondacioni “Libera” e organizon që nga viti 1996, në ditën e parë të pranverës, çdo 21 mars. Për të kujtuar… që vrasje të tilla të mos përsëriten. Kësaj radhe, i pranishëm, Ati i Shenjtë, i cili dëgjoi don Çiotin t’i thotë se janë shumë, tepër, njerëzit, të cilëve mafia u ka marrë jetën dhe dinjitetin. Para “Vëllait”, siç e quajti Papën don Çioti, denoncoi edhe se:
“Jo gjithmonë Kisha ka treguar kujdes, tepër heshtje, nënvleftësime, qëndrime tepër të matura e fjalë sipas rrethanave. Por edhe shumë e shumë dritë e pozitivitet”.
Emra si ai i ipeshkvit të Kazertës, imzot Rafaele Nogaro, i don Pino Puljizit, i don Pepe Dianës, vrarë nga mafia e kamorra, janë dëshmi për impenjimin e Kishës Katolike. E Papa flet fjalë shprese, kërkon që ndjenja e përgjegjësisë të fitojë mbi korrupsionin në çdo anë të botës, që të shëndoshet indi shoqëror. Shpreh solidaritet. Ecni përpara, u thotë famijarëve të viktimave, që do të mblidhen edhe nesër në Latina për të kujtuar viktimat e mafies me të rinj e familje nga e gjithë Italia. E Papa Françesku nuk mund të rrijë pa iu drejtuar burrave e grave të mafies:
“Ju lutem, kthehuni në udhën e Zotit. Ndaluni. Mos bëni më keq. Ne lutemi për ju. Po jua kërkoj në gjunjë: kthehuni. Është për të mirën tuaj. Jeta e tanishme, kështu siç e keni, nuk mund t’ju japë kënaqësi, gëzim e lumturi. Pushteti, paratë, që i keni fituar me punë të ndyra, me krime mafioze, janë të lyera me gjak nuk mund t'i merrni me vete në atë jetë. Kthehuni: keni akoma kohë për të mos përfunduar në ferr. Ai ju pret në vazhdoni në këtë rrugë. Edhe ju e keni pasur një nënë e një babë. Mendoni për ta, qani e kthehuni në udhën e Zotit”.
Don Çioti i dha Atit të Shenjtë stolën e don Pepe Dianës, meshtar i vrarë nga Kamorra në Casal de Principe, që të kremtojë me të. Në fund, të gjithë thonë Atynën për të dëgjuar më vonë dëshminë e njërit prej të pranishmëve. Përshëndetja e don Luigji Ciotti-t dhe bekimi i Papës mbyll këtë lutje në kujtim të viktimave, fli të pafajshme të mafies italiane, që të kujtojnë viktimat e çdo mafieje, në çdo kohë e në çdo vend.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama