HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-22 13:25:54
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e Javës 24-30 mars



Më 24 mars përkujtohet shën Katerina e Suedisë. Emri Katerina vjen nga greqishtja dhe do të thotë “e pastër”. E tillë qe Katerina Ulfsdotter, e njohur ndryshe si Katerina e Suedisë, e dyta e tetë fëmijëve të Shën Brigitës, mistikes së madhe suedeze, që la një shenjë të pashlyeshme në historinë dhe letërsinë e vendit skandinav. Lindur më 1331, në moshë fare të re e martuan me një burrë nga një derë fisnike. Fisnik, mbi të gjitha në shpirt, ai jo vetëm që e miratoi dëshirën e vajzës për të zbatuar kushtin e pastërtisë, por e lidhi edhe vetë atë kusht. Në moshën 19 vjeçare, Katerina u bashkua me nënën në Romë, ku ndau me të përkushtimin e thellë ndaj fesë dhe shtegtimet e shumta. Pas vdekjes së Brigitës, Katerina e barti trupin e së ëmës në atdhe, në vitin 1375, dhe hyri në kuvendin e Vadstenës, ku u zgjodh edhe abateshë. Vdiq më 24 mars 1381.
Më 25 mars përkujtohet Lajmërimi i mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit. “Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, me emrin Nazaret, tek një virgjër e fejuar me një burrë prej shtëpisë së Davidit, me emrin Jozef. Virgjëra quhej Mari. (...) Engjëlli i tha: “Shpirti i Shenjtë do të zbresë mbi ty, fuqia e të Tejetlartit do të të mbulojë. Ai që do të lindë do të jetë i shenjtë dhe do të quhet Biri i Hyjit. (...) Atëherë Maria tha: Ja, jam shërbëtorja e Zotit, ndodhtë në mua sipas fjalës sate” (Lk 1 26.3538). Mishërimi i Krishtit na kujton se historia e njeriut është historia e Hyjit, që nga ngjizja deri në lavdinë e ringjalljes. Duke kaluar përmes misterit të kryqit dhe të vdekjes.
Më 26 mars përkujtohet Shën Eutiku, nëndiakon i Aleksandrisë së Egjiptit. U martirizua nga ipeshkvi heretik arian Gjergji, në kohën kur perandor i Romës ishte Kontanci, për shkak të fesë së tij katolike.
Më 27 mars përkujtohet Shën Ruperti. Me prejardhje nga Irlanda, pinjoll i një dere fisnike, rreth vitit 700 shkoi në Bavari, ku iu përkushtua predikimit dhe jetës murgare shëtetëse. Me ndihmën enjë konti bavarez themeloi ndërtoi një kishë kushtuar Shën Pjetrit, pranë liqenit të Wallerit dhe një manastir pranë lumit Salzach, në afërsi të qytetit romak Juvavum. Rreth këtij manastiri lindi qyteti i Salsburgut (qyteti i kripës), i cili e kujton Rupertin jo vetëm si ipeshkvin e parë, por edhe si ri-themeluesin e qytetit, mbi rrënojat romake. Vdiq më 27 mars, të dielën e pashkëve të vitit 718. Ikonografia e përshkruan me një enë me kripë.
Më 28 mars përkujtohet e lumja Jeane Marie de Maillé (Zhanë Mari de Majé). E veja me prejardhje fisnike, pasi e humbi të shoqin në luftë, e dëbuar nga shtëpia ku kishte lindur dhe e zhveshur nga të mirat tokësore, jetoi, e mbyllur në një qeli të vogël pranë një kuvendi françeskan, duke lypur bukën e gojës dhe plot me besim në Zotin. Vdiq në vitin 1414.
Më 29 mars përkujtohet i lumi John Hambley (Gjon Hëmbli), meshtar e martir. U dënua me vdekje në vitin 1587 gjatë mbretërimit të Elizabetës I, vetëm sepse ishte meshtar.
Më 30 mars është e diel, festa e Zotit, e diela IV e Kreshmës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama