HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-23 13:24:32
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Dom Mark Gjani



Dom Mark Gjani (Shën Gjergj, Pulaj, 10. 07. 1909 - Shën Pal, Mirditë, 1947), u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli.RealAudioMP3

Edhe të vdekur, ia dreshtën hijen...

Më 1689, trupi i vdekur i imzot Pjetër Bogdanit, stolisur me petka ipeshkvnore u mbart madhërisht nga xhamia kryesore e Prishtinës, kthyer pak më parë në kishë, ku u kremtuan sjellet fetare të përmortshme. Në funeralin e tij morën pjesë kler, ushtri, popull. Të gjithë, me sy të përlotur. Nësa Shqipëria vishej në zi, Kisha vajtonte e grigja e Kosovës shqiptare mbetej pa bari.
Pak muaj më pas, tatarët ripushtuan trojet e çliruara. Hynë ngadhnjimtarë në Serbi, Kosovë, Maqedoni. Morën Prishtinën. Prenë kortarë-kortarë Dom Gjon Bogdanin, kaluan nën teh të shpatës familjarët e prelatit të vdekur, e nxorën kufomën e tij, me mitër në krye, dhe e lanë të bëhej ushqim për qentë e rrugëve, në mes të sheshit kryesor të qytetit. Nuk ishin shqiptarë. Ishin turq! Edhe të vdekur, ia dreshtën hijen...
Më 30 dhjetor 1940, kur Atë Gjergj Fishta dha shpirt në spitalin civil të qytetit të Shkodrës, mbarë Shqipëria u vesh në zi për humbjen e Poetit Kombëtar. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit, i rrethuar nga gjithë qyteti e dhe autoritetet më të larta të kohës. Meshën e dritës e kremtoi Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës, në sa një breshëri telegramesh ngushëllimi nga mbarë bota, arrinin në Kuvendin Françeskan.
Më 20 mars 1967, me urdhër të shtetit komunist, eshtrat e Fishtës u zhvarrosën. U mblodhën në një thes çimentoje e, sipas burimeve të ndryshme, pas tri ditësh u hodhën në rrjedhën e lumit Drin, në rrethinat e Shkodrës. Nuk ua hodhën qenëve, po peshqve, pakëz më ndryshe nga eshtrat e Bogdanit. Ata që e kryen këtë krim, nuk ishin turq. Ishin shqiptarë. E zhvarrosën, sepse edhe së vdekuri, ia dreshtën hijen!
Më 1945, në qelitë e sigurimit të Mirditës, torturohej mizorisht Dom Mark Gjani. Trupi i tij i zhveshur varej për shpatullash, i vënë në një nga provat më të rënda, ndërmjet qiellit e tokës, pa ushqim, pa ujë, i sharë, i pështyrë, i urryer për vdekje.
Po ç’kish bërë ky njeri? Jeta e tij pati nisur më 1909, në Shkodër, ku kreu shkollën fillore e të mesme, për të studiuar, më pas, filozofi e teologji në Gjenovë të Italisë, ku u shugurua meshtar. Nga porti i famshëm italian, prej nga niseshin anije drejt katër anëve të botës, u nis edhe ai, menjëherë mbasi kishte kryer studimet. Për të shkuar drejt e në Orosh të Mirditës, në një botë krejt të mbyllur në vetvete, të cilën u përpoq ta ungjillëzonte, d.m.th, ta lidhte me qytetërimin evropian. Prandaj, paradoksalisht, ishte i varur aty, në dhomën e torturave, në Shën Pal të Mirditës. E aty dha edhe shpirt, ashtu, i varur për krahësh. Atëherë trupin e stërmunduar, gjithë plagë të gjakosura, ia hodhën qenëve të uritur të Shën Palit, që iu turrën, duke lënë pas, një grusht eshtra. I morën edhe ato e i hodhën në përrua. Nuk ishin turq, ishin shqiptarë! Që ia dreshtën hijen. Ia dreshtën, se edhe i vdekur, i mësonte shqiptarit ç’është në të vërtetë Atdheu, kombi, shteti. Se shteti i përket kombit. Se Shqipëria mund të mbahet në këmbë e të përparojë, vetëm nëse shqiptarët janë shqiptarë me shpirt, e jo vetëm me trup. Se nuk e gënjeu kurrë popullin me fjalë të mëdha, herë dykuptimshe, e herë gjysma-fjalësh. Se, si kirurgu i mirë, para se ta përdorte bisturinë, i njohu mirë varrët, që e rrezikonin jetën e të sëmurit, të cilit i kishte kushtuar gjithë vetveten, në emër të Krishtit, me bindjen se shpirti i shqiptarit duhej edukuar, duke i mësuar një herë ç’është atdheu, për ta bërë, pastaj, ta donte me gjithë zemër.
I sati katolik ishte, që bëhej ushqim për qentë? E, sidomos, kush e kishte radhën ...?
Çnjerëzore e ndoshta tipike për doket barbare të lindjes, kjo praktikë synonte të zhdukte çdo gjurmë të njerëzve që, duke vdekur, nuk mund të torturoheshin më. Ishte hakmarrja e papërligjur e një shteti, që do t’ua kishte hedhur qenve të Shën Palit edhe amshimin. Pikërisht sepse dritën e amshimit e dronte, para hijes së atyre, që vdisnin burrërisht, në emër të tij.
Në këtë botë, gjithçka varet nga mënyra si i shohim njerëzit e ngjarjet. Për komunistët, Dom Mark Gjani ishte i dënuari, i humburi, i zhdukuri pa nam pa nishan.
Për Kishën, martir, nësa pritet të jetë i lum e ndoshta, një ditë, edhe shenjt!





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama