HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-03-23 16:33:49
A+ A- Printo artikullin



Françesku: takimi me Jezusin na e ndërron jetën; mëshira është më e madhe se paragjykimet



“Zoti është shumë më i madh se paragjykimet”. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar takimit të Jezusit me Samaritanen, sipas Ungjillit të së dielës. Papa nënvizoi se të gjithë jemi në kërkim të ujit të gjallë të Mëshirës dhe shtoi se Krezhmët janë kohë e përshtatshme për të shikuar brenda nesh, në shpirt. Ati i Shenjtë, në përfundim, i ftoi besimtarët për takimin e së premtes së ardhshme, në Ditën pendestare “24 orë për Zotin”. Do të jetë, kujtoi, festa e faljes. RealAudioMP3

Gjest, që i kapërcen pengesat e armiqësisë e dialog, që i thyen skemat e paragjykimeve ndaj grave! Papa Françesku e përmblodhi kështu takimin e Zotit me Samaritanen tek pusi, treguar nga Ungjilli. E vuri theksin mbi atë “më jep të pi” shqiptuar nga Zoti:
Kërkesa e thjeshtë e Jezusit, është edhe nisja e dialogut të çiltër, përmes të cilit Ai, me delikatesë të madhe, hyn në botën shpirtërore të një njeriu, të cilit, sipas skemave shoqërore, nuk duhej as t’ia hidhte sytë. Aq më pak, t’i fliste. Po Jezusi e shikon, e edhe i flet! Nuk ka frikë. Kur shikon një njeri, shkon përpara, sepse di të dojë. I do të gjithë. Nuk heq dorë kurrë nga takimi me njeriun, për shkak të paragjykimeve”.
Jezusi, shtoi Papa, e vë Samaritanen para një situate, pa e gjykuar, por duke e bërë ta ndjejë veten të përfillur, të pranuar, e duke ngjallur kështu, në shpirtin e saj, dëshirën për ta kapërcyer rutinën e përditshme. Kjo e Jezusit, vijoi Papa, nuk ishte thjesht etje për ujë, por për takim me një shpirt të etur. Jezusi kishte nevojë ta takonte Samaritanen, për t’i hyrë në zemër: i kërkoi një pikë ujë, për të vënë në dukje etjen e shpirtit të saj:
“Gruaja preket thellë nga ky takim: i bën Jezusit ato pyetje, që i kemi të gjithë në shpirt, por që shpesh nuk duam t’i përfillim. Edhe ne kemi shumë pyetje për të bërë, por nuk kemi guxim t’ia drejtojmë Jezusit! Krezhmët, të dashur vëllezër e motra, janë kohë e përshtatshme për të shikuar brenda nesh, për të hyrë në shpirtin tonë, për të shquar nevojat tona të vërteta shpirtërore e për t’i lypur ndihmë Zotit, në lutje”.
E dhe sot, i nxiti Papa besimtarët, duhet ta ndjekim shembullin e Samaritanes e të lypim ujin, që shuan etjen në amshim. Ungjilli, shpjegoi pastaj Ati i Shenjtë, rrëfen se dishepujt u mrekulluan, kur e panë Mjeshtrin e tyre duke folur me atë soj gruaje:
“Po Zoti është më i madh se paragjykimet, prandaj nuk pati frikë të ndalet me Samaritanen: mëshira është më e madhe se paragjykimi. Këtë duhet ta nxëmë mirë! Mëshira është më e madhe se paragjykimi e Jezusi është shumë i mëshirshëm, shumë!”.
Ja, pra, pse Samaritania ngarendi në qytet, për t’ua treguar të gjithëve ngjarjen e jashtëzakonshme. Kishte shkuar të mbushte ujë në pus, e aty kishte gjetur një ujë tjetër, ujin e gjallë të mëshirës, që gurron për jetën e pasosur. Gjeti ujin, pohoi Papa. të cilin e pati kërkuar etshëm gjithë jetën, e i kumtoi atij fshati, që e dënonte, që nuk donte ta pranonte fare, se kishte takuar Mesinë:
“Një, që ia ndryshoi jetën. Sepse çdo takim me Jezusin na e ndryshon jetën. Gjithnjë. Është hap para, një hap më pranë Zotit. Çdo takim me Jezusin na e shndërron jetën. Gjithnjë! Kështu është gjithnjë!”.
Kjo faqe ungjillore, vijoi Françesku, na nxit edhe ne ta lëmë shtambën, në dukje, simbol i gjërave më të rëndësishme, por që e humbet gjithë vlerën, përballë dashurisë së Hyjit:
“Të gjithë e kemi një shtambë të tillë, a ndoshta edhe më shumë! Po ju pyes ju, e edhe veten: ‘Cila është shtamba shpirtërore, ajo që të rëndon, që të largon nga Zoti?’. Ta lëmë pakëz mënjanë e të dëgjojmë me zemër zërin e Jezusit. Ai na jep një ujë tjetër, ujë, që na afron me Zotin”.
Edhe ne, i ftoi besimtarët Papa, jemi të thirrur ta rizbulojmë sa rëndësi ka kuptimi i jetës sonë të krishterë, nisur në Pagëzim e, si Samaritania, ta dëshmojmë gëzimin e takimit me Zotin:
“Ta dëshmojmë gëzimin e takimit me Jezusin, sepse, siç e thashë, çdo takim me Jezusin na e ndryshon jetën, na mbush me gëzim, me atë gëzim shpirtëror, që vjen prej Tij. Kështu është Zoti. E t’i tregojmë gjërat e mrekullueshme, që di të na i bëjë Zoti në zemër, kur marrim guximin ta lëmë mënjanë shtambën tonë”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, së paku 40 mijë, Papa kujtoi Ditën Botërore të Tuberkulozit, duke i ftuar besimtarët të luten për gjithë të prekurit nga kjo sëmundje si dhe për ata, që i ndihmojnë në mënyra të ndryshme. Më pas nënvizoi se të premten e të shtunën e ardhshme, do të jetohet një çast i posaçëm pendestar, titulluar “24 orë për Zotin”, që do të nisë me kremtimin në Bazilikën e Shën Pjetrit:
“Do të jetë, siç mund ta quajmë, festa e faljes, që do të kremtohet edhe në shumë dioqeza e famulli të botës. Ndjesa, që na fal Zoti, duhet kremtuar, si kremtoi babai i shembëlltyrës së djalit plangprishës, i cili, kur iu kthye i biri, bëri festë, duke ia harruar të gjitha mëkatet. Do të jetë festa e faljes”.
Nga ana e Papës, në fund, edhe një përshëndetje drejtuar gjithë pjesëmarrësve e organizatorëve të Maratonës së Romës, të cilën Ati i Shenjtë e quajti “Ngjarje e bukur sportive e Qytetit tonë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama