HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-30 12:58:19
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 31 mars - 6 prill



Më 31 mars përkujtohet Shën Beniamini, martir. Në Argon të Persisë, Shën Beniamini, diakon, nuk hoqi dorë nga predikimi i fjalës së Hyjit, prandaj, nën mbretërimin e Vararanit V, pësoi martirizimin pas torturave të gjata, në vitin 420.
Më 1 prill përkujtohen Shën Agapa dhe Kionina, virgjëra dhe martire. Gjatë përndjekjeve të perandorit Dioklecian, pasi nuk pranuan të hanin mishin kushtuar idhujve, i dorëzuan tek qeveritari Dulcecius, i cili i dënoi me djegie, në vitin 304.
Më 2 prill përkujtohet Shën Françesku nga Paola. U lind në Paola (Kalabri) në vitin 1416. Hyri në urdhrin françeskan, por pas një viti doli nga kuvendi dhe bëri një sërë shtegtimesh, për të kërkuar, me anë të tyre, thirrjen e vet. Vendosi të bëhej heremit dhe u vendos në Paola, në një tokë që ishte pronë e familjes. Shumë shpejt filluan të shkonin tek ai njerëz që donin ta kishin si udhërrëfyes shpirtëror, prandaj iu desh të themelonte disa hereme dhe kështu lindi kongregata heremite paolane, e quajtur edhe Urdhri i të Vegjëve. Urdhri u miratua shpejt, falë famës së Françeskut si mrekullibërës. Mrekullive të tij u shkoi zëri deri në Francë, në oborrin e Luigjit XI, që ishte i sëmurë. Luigji i kërkoi Papës Siksti IV t’ia dërgonte Françeskun tek kryet e shtratit. Shenjti iu bind Papës, edhe pse iu desh të linte me dhimbje heremin për të hyrë në një oborr mbretëror, por bindja i dha frytet e veta. Luigji nuk u shërua, por Françesku u bë ndërmjetës për përmirësimin e marrëdhënieve të Francës me papatin. Vdiq në Tur të Francës më 2 prill 1507.
Më 3 prill përkujtohet Shën Siksti I, papë. Meshtar romak, më 115, u zgjodh si pasardhës i Pjetrit me votat e të gjithë klerit të kryeqytetit perandorak. Njëri ndër vendimet që mori ishte se kelkun dhe pajisjet e shenjta të altarit mund t’i preknin vetëm meshtarët. Vdiq në vitin 125.
Më 4 prill përkujtohet Shën Isidori i Seviljes. I fundmi i Etërve Latinë, shkrimet e të cilit qenë shumë të rëndësishme në Mesjetë, sidomos “Etimologjitë”, një përmbledhje e dobishme e shkencave të lashta. Qe mbi të gjitha ipeshkëv i zellshëm dhe ndihmoi për ngritjen kulturore dhe morale të klerit spanjoll. Vdiq më 4 prill 636.
Më 5 prill përkujtohet Shën Irena nga Selaniku, virgjër e martire. Nuk iu bind urdhrit të Dioklecianit për dorëzimin e librave të shenjtë, prandaj Dulceciusi e dënoi me djegie në Selanik, në vitin 304.
Më 6 prill është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama