HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-03-31 16:11:01
A+ A- Printo artikullin



Papa: kush ka fe, ecën kah premtimet e Zotit; nëse jo, është “turist ekzistencial”



Nuk duhet të sillemi kot nëpër jetë, përfshirë edhe jetën e shpirtit, por duhet të ecim gjithnjë drejt cakut që, për të krishterin, do të thotë të ndjekë premtimet e Zotit. Premtime, të cilat nuk të zhgënjejnë kurrë. Ky është mësimi që nxori sot Papa nga Leximet, të cilat i shpjegoi në homelinë e Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Ka të krishterë, që u besojnë premtimeve të Zotit dhe i ndjekin gjatë gjithë jetës. Pastaj ka edhe të tjerë, me jetë fetare të amullt. E të tjerë akoma, të bindur se përparojnë, nësa s’bëjnë tjetër, veçse turizëm ekzistencial. Papa Françesku dalloi tri kategori besimtarësh, të cilët i bashkon mendimi se jeta e krishterë është udhë për t’u bërë, në sa i ndan, mënyra si e bëjnë këtë udhë. Mbi të gjitha, shpjegoi Papa, duke rikujtuar fragmentin e shkëputur nga Libri i Izaisë Profet, Zoti, para se të kërkojë ndonjë gjë, premton. Premton një jetë të re, një jetë plot gëzim. E pikërisht këtu, theksoi Ati i Shenjtë, duhet ta kërkojmë bazën e virtytit të shpresës: te besimi në premtimet e Zotit, duke e ditur mirëfilli se ai nuk të zhgënjen kurrë e se themelore për jetën e krishterë është të ecësh kah premtimet. Pastaj, kujtoi në vijim Papa, ka edhe të krishterë, që kanë tundimin të ndalen në vend:
“Shumë të krishterë, të ndalur në vend! Shumë, ata që kanë shpresë të ligshtë. Po, besojnë se do të na presë Qielli e se gjithçka do të shkojë për mrekulli. Bëjnë mirë, që besojnë, por nuk lodhen fare ta kërkojnë këtë! Zbatojnë Urdhërimet, normat, gjithçka, gjithçka… Por janë të ndalur. Zoti nuk mund t’i bëjë tharm në popullin e vet, sepse nuk luajnë vendi. E ky është problemi: të ndalur. Pastaj ka të tjerë, që ecin në rrugë të gabuar: të gjithë ne ndonjë herë kemi gabuar rrugë, këtë e dimë. Problemi nuk është të mos gabosh rrugë, problemi është kur njeriu, që ka gabuar, nuk kthehet, edhe kur shikon se ka gabuar”.
Modeli i atij, që beson dhe ndjek udhën e fesë, është funksionari i mbretit, sipas Ungjillit, që i kërkon Jezusit shërimin e të birit të sëmurë e nuk dyshon për asnjë çast se duhet të vihet për udhë drejt shtëpisë, kur Mësuesi e siguron se i biri është shëruar. Në kundërshtim me këtë njeri, pohoi Papa, është grupi më i rrezikshëm, në të cilin bëjnë pjesë ata, që e gënjejnë veten, ata që ecin, pa bërë udhë:
“Janë të krishterë endacakë: sillen e përsillen, duke e jetuar jetën, si të ishte turizëm jetësor, pa cak, pa i marrë seriozisht premtimet. Këta, që sillen kështu, e gënjejnë veten, sepse thonë: ‘Unë ec!’. Jo, ti nuk ecën: ti sillesh. Endesh. Ndërsa Zoti na kërkon të mos ndalemi kurrë, të mos e ngatërrojmë rrugën, të mos shëtisim kot nëpër jetë. Të mos vërtitemi e të mos e vërtisim jetën. Na kërkon t’i shikojmë premtimet, të ecim përpara me premtimet, si ai njeriu, që besoi në fjalën e Jezusit. Besimi na vë për udhë kah premtimet. Besimi në premtimet e Zotit”.
Jeta jonë prej mëkatarësh na bën të dredhojmë rrugë, të gabojmë drejtim, pohoi Papa Françesku. Por më pas siguroi: “Zoti na jep gjithnjë hirin të kthehemi përsëri në rrugë të drejtë:“Krezhmët janë kohë e bukur për të menduar, për të vërejtur nëse jam për udhë, apo tepër i ndalur. Nëse jam ndalur, duhet të bëj kthesë. E nëse gabova rrugë, duhet të shkoj, të rrëfehem e të rifilloj ecjen në rrugë të drejtë. E nëse jam turist teologal, një nga ata që vërtiten rreth jetës, pa bërë kurrë një hap para, duhet t’i lypi Zotit hirin për të rinisur rrugën, për t’u vënë për udhë, por gjithnjë drejt premtimeve”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama