HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-07 12:59:34
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, martirizimi i grupit të 4 marsit 1946



Drejt Kalvarit, gozhdue si Krishti!
(Sipas dëshmisë okulare të Atë Daniel Gjeçajt)

Ishte agimi i përgjakshëm i 4 marcit 1946. S'ishte e para herë që shi në orët e para të ditës, në të zbardhun të dritës, në qytetin e Shkodrës ndiheshin të shtîme pushkësh me ushtimë të xânun, si ato që bien në mish njeri. E 'i mend, komunistat e kishin doke me e zbatue dënimin me pushkatim shi atëherë, kur shumica e banorëve ishte endè në të shtrueme.RealAudioMP3
Mbas pushkatimit, zakonisht, trupënt e të dekunve, ashtu njeni mbi tjetrin, lêheshin, si të ishin thasë plehi, në dispozicion të qytetarëve për tanë ditën: pak kush vinte për me shfrye mëninë; shumica merrte mnerë e trishtim.
Në muzg të natës, mandej, ashtu grumbull si ishin, ngreheshin rrëshanë dhe hidheshin përzietas në një gropë të përbashkët. Mbuloheshin me kujdes, për mos me lânë gjurmë as shenj vorri. Ketë fat patën Atë Gjoni e shokët e tij.
Të kthejmë për një ças te orët e fundit të këtyne dëshmorëve të fesë. Qysh prej 22 frorit të 1946-tës deri në orën e pushkatimit, herojtë tonë e kaluen kohën në të lutuna të vazhdueshme e në biseda shpirtënore, tue i dhanë zemër njeni-tjetrit për hapin e fundit në dishmí të Fesë, në besnikí të Ungjillit e të Kishës.
Këto fjalë na i vertetoi edhe Dom Tomë Laca, sekretár i Argjipeshkvit të Shkodrës e famullitár i përkohshëm i katedrales së qytetit. I takoi këtij t'u çonte të dënuemëve kungimin e mbramë dhe t'i përcillte ata në vendin e ekzekutimit. Ma vonë edhe ai vetë do të përshkohej nepër të njejtën udhë, drejt Kalvarit e do të gozhdohej në të njejtën krygjë. Si Krishti!
E njëmend, në të zbardhun të 4 marcit, i shoqnuem nga rojet e burgut, Dom Toma u paraqit në dhomën e errët të dënuemve. Ishte i ngushtuem t'i rrëfente të gjithë sbashkut, por dishmitarët e fesë, plot trimní e paqë shpirtënore, i bânë me dijtë se nuk kishin nevojë për rrëfim, mbasi ishin rrëfye ditë për ditë me njeni-tjetrin, e ketë edhe në ag të asaj dite. Gjatë kohës ndërmjet dënimit e atij çasi - i thanë - kishin jetue ma fort për qiell, që i pritëte, se sa për tokë, që po e lêjshin. Muerën, prandej, kungimin, me përkushtí të martirëve të parë të krishtenimit dhe, me një trimní që vinte nga nalt, u bânë me dijtë rojeve se ishin gati për udhëtim.
Udhëtimi në kamionin e dekës, prej burgut në Rrëmaj, pranë qytetit, ishte relativisht i shkurtë. Shkuen tue këndue psalmet e shtegtarëve të popullit të zgjedhun në drejtim të Jeruzalemit. Ata shtegtojshin drejt Jeruzalemit qielluer. Shkuen tue i dhânë zemër ata meshtarit, që ishte ngarkue me i zemrue. Dom Toma derdhej në lot!
Pater Gjonit e shokëve nuk u dridhej buza as s'u ligështohej zemra. Udhëtojshin për amshim, pritshin me padurim dekën, që i çonte në të ngjallun.
Të rreshtuem njeni brí tjetrit, me Pater Gjonin në mes, të lidhun dorë për dorë, si të dojshin me formue një kunorë, thurë me zhguna e veladona, me rregulltarë e besimtarë, mbasi një nga një puthën Kryqin e shëlbimit, shqiptuen një zâni e një zemre fjalën e fundit të jetës e porosinë e mbrame: "Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Kisha katolike!".
Batarja e trupit ekzekutues, plumbat e plotonit me hyll të kuq, ua këputën zânin.
U rrëxuen për dhé, tue e zbutë rishtas me gjak atë tokë, që me gjak asht lagë tash sa shekuj…
Gjaku i Shllakut shkroi edhe një rresht në analet e përgjakshme të shtatë shekujve histori të Françeskanizmit në Shqipní.
Atë ditë binte shí si donte Zoti vetë.
Në baltë e gjak, kush desht me pa, mujti me dallue kjartë më një grumbull të dekunsh frat e prift, jezuit e të krishtênë: ishte Kisha martire e Shqipnísë.
Heshtuen vizituesat dhe, miq e anmiq, kaluen para tyne: të parët tue derdhë lot, të dytët, dashtë pa dashtë, tue u përkulë me nderim para të fortëve: "Sic fortes ceciderunt" (II Reg. 1, 19).
Dikush nesh, pa u kujtue rojet, lagu në gjak të Pater Gjonit një faculetë të bardhë mëndafshi, për ta ruejtë posi relike. Ishte shenji i Kishës nën dhé, që pret ditët e ngadhënjimit. "Sanguis martyrum semen christianorum".
Ne nesre, sbashkut me një koleg temin(1), shkuem kinsè për të shetitë, kah vendi i pushkatimit, me qellim që të vertetojmë se ku i kishin vorrue. Kurrkund shenj grope as dheu të çuem rishtas. Ma vonë muerëm vesht se gropën e kishin çilë natën afër shtratit të lumit, në záll, që e mbulon uji mbas shinave. Dheun tepricë e kishin tretë e gropën e kishin rrafshue me kujdes, me fundërrí të qytetit: teneqe, kutia, zhele, plehna, në mënyrë që të zhdukej çdo gjurmë e krimit të kryem e çdo dishmí e martirizimit.
Me kohë Kiri, i çuem mal e breg - do të kenë mendue neronat e rij, do t'i merrte eshtënt e do t'i tretëte në dét.
S'e dijshin ata se toka Shqipnísë, lumejtë e deti i brigjeve tona, do të shenjtnoheshin me reliket e martirëve arbënorë, me gjakun e tyne të lum.

1 Sipas veprës së Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama