HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-10 13:47:46
A+ A- Printo artikullin



37. Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, atë Serafin Koda



Atë Serafin Koda (Janjevë, Kosovë 25. 04. 1893 - Lezhë,11.05.1947) frat françeskan, dha shpirt mbasi hetuesit komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.RealAudioMP3

Ai po, kishte të drejtë të ankohej...

Në vitet 1944-1989 në Shqipëri u burgosën, u torturuan, u vranë 7 ipeshkvij, 4 ipeshkvij nderi, 56 famullitarë, 30 rregulltarë françeskanë, 13 rregulltarë jezuitë, 10 seminaristë e një mori shekullarësh. Akuzën për këtë zhdukje kriminale, Pandi Kristo, pasi përfundoi edhe vetë në burg, e pati përmbledhur kështu: “Ata lleshrat e prengërat i kemi vrarë faj e pa faj, vetëm pse ishin katolikë. Ata, po, kanë të drejtë të ankohen”.1
Ndërmjet tyre, atë Serafin Koda
Bënte pjesë në grupin e famullitarëve, me shërbim ndër malësi e fshatra. Nuk ishin fretër të dorës së dytë. Përkundrazi. Shikoheshin si më të vlershmit. Sepse flijoheshin për të çuar dritë, ku drita e fesë dhe e kulturës mungonte. E ishin model për të rinjtë, që dikur do t'i zëvendësonin e që, para këtyre fëtyrave hjerarkike, të lodhura nga mundi e nga vrazhdësia e jetesës, por gjithnjë të kthjellta e të gëzuara, entuziazmoheshin si fëmijët e mesjetës para kallëzimeve të kryqtarëve, që ktheheshin nga Toka e Shenjtë.
Ishte ndërmjet atyre që, me zhgun, konop e ungjill, iu ngjitën shkëmbijve të famullive të vështira të maleve, ku veç Krishti mund t’i ndihmonte banorët për ta vijuar jetën ndër kullat, që i përngjisnin çerdhes së shqiponjës e strofullit të bishave. Për atë Krisht ishin ngjitur deri aty. Për mos e ndërruar Kryqin me gjysëm hënën turke të pushtimit. Prandaj, në një farë mënyre, ashtu të prapambetur e të mjerë, siç ishin, ata përfaqësonin çka kishte më të mirë kombi: vetqeveriseshin. Ishin plotësisht të lirë. Ishin princa e mbretër në maje të shkëmbit të vet. S’njihnin kënd tjetër mbi krye, veç Zotit. Ishin të varfër, po, si Shën Françesku, e në varfëri kishin gjetur lirinë e plotë, lirí që të ngatërruarit ndër rrjetat e parasë e të sundimit, nuk mund ta shijojnë kurrë. Prandaj të bijtë e Françeskut nuk e kishin vështirë të kuptoheshin me malet. E prandaj, ndoshta, këto famullí kaq të vështira, i mbajtën gjithherë vetëm zhgunamurrtët.
Atë Serafini shërbeu në Dushman, Shalë, Prekal, Bushkash, Vukël, e, së fundi, në Lezhë. Jetoi gjatë ndërmjet maleve, duke bekuar ferishte ndër djepa, nuse e dhëndurë ndër darsma, të vdekur në dërrasë. E bekoi e bekoi….Që nga 25 prilli 1893, kur u shugurua, për të kremtuar Meshën e parë më 30 korrik 1925, e deri në pranverë të vitit 1947, kur shërbente në Lezhë. I vunë prangat pas një mbledhjeje të provincës, për çështje që nuk kishin të bënin fare me politikën. Ishin vite shumë të vështira e françeskanët, të varfër deri në palcë edhe kohë më të begata, vuanin për bukën e gojës. Për bukën e përditshme bëhej fjalë në atë mbledhje, në pranverë të viti 1947. Kur sigurimi ëndërronte të përsëriste skenën e mohimit të Pjetrit, në Oborrin e Pilatit. U munduan, prandaj, të nxirrnin fjalët që u interesonin, nga goja e fratit të rënë në kthetrat e tyre. E me që fjalët nuk po dilnin, deshën t’i kapnin me dorë, t’ia tërhiqnin nga gryka, për t’i mbledhur, pastaj, ashtu të gjakosura, në procesverbalet e tyre. Po kush ia doli, deri më sot, ta kapë me dorë fjalën e pathënë? Për të vërtetuar fajin e pabërë? E për të pohuar krimin e pakryer? Duke mos mundur t’ia nxirrnin fjalën, që u duhej, e zhytën në një fuçi me ujë, ia ngulën thonjtë në fyt e ia shqyen gërmazin. Ashtu, duke vdekur, e çuan nga burgu, në infermieri, gjithnjë brenda kuvendit të Lezhës, ku një grua e fisme, infermierja Marie Ndoja, u kujdes për të me dashuri motre, derisa e dëgjoi duke i drejtuar, ashtu veç me buzë, Zojës së Bekuar lutjen e fundit: “O Zojë, të lutem, më liro sa më shpejt!”. Nuk lutej për lirimin nga burgu, Frati. Kërkonte një liri shumë më të çmuar se vetë liria njerëzore: lirimin nga “burgu i jetës”. E Zoja e liroi duke ia hapur rrugën drejt lumnimit.
Ai, po, kishte të drejtë të ankohej!
Po të lumët nuk kanë më asnjë ankim!
Atë Serafin Koda jetoi 54 vjet, 37 jete të kushtuar, 32 meshtarie. Eshtrat-relike i pushojnë në muret e Kishës së Zojës Nuncjatë, në Lezhë, aty ku, sipas gojëdhënës, shkeli së pari Shën Françesku e zuri fill françeskanizmi ndër shqiptarë.

1 Dosja e Diktaturës, Pj. I, Tiranë, 1995, fq 177





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama