HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-10 15:18:17
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: diktatura e një mendimi të vetëm e vret lirinë e popujve dhe të ndërgjegjes



“Edhe sot ekziston diktatura e një mendimi të vetëm”, që e vret “lirinë e popujve, lirinë e njerëzve, lirinë e ndërgjegjeve”: është e nevojshme “t’i mbajmë sytë hapur e të lutemi”. Kështu tha Papa në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në këtë të enjte të Kreshmëve, në prag të së Dielës së Larit:RealAudioMP3

Hyji i premton Abrahamit se do të bëhet ati i një numri të madh kombesh, por ai dhe pasardhësit e tij duhet të mbajnë besëlidhjen me Zotin. Homelia e Papës Françesku zë fill në leximin e parë, për të shpjeguar pse farisenjtë ishin të mbyllur kundrejt mesazhit të Jezusit: gabimi i tyre – thekson Papa – ishte se “i shkëputën urdhërimet nga zemra e Hyjit”. Mendonin se gjithçka mund të zgjidhet me zbatimin e urdhërimeve, por urdhërimet “nuk janë një ligj i ftohtë”, sepse burojnë nga një marrëdhënie dashurie dhe janë “udhëzime” që na ndihmojnë për të mos gabuar në udhën tonë drejt takimit me Jezusin.
Kështu farisenjtë ia mbyllin zemrën “çdo risie”, nuk e kuptuan “rrugën e shpresës”. “Eshtë drama e zemrës së mbyllur, drama e mendjes së mbyllur dhe, kur zemra është e mbyllur, mbyll edhe mendjen: Kur zemra e mendja janë të mbyllura, nuk ka vend për Hyjin”, por vetëm për gjërat që ne mendojmë se duhen bërë. Ndërsa “urdhërimet mbartin një premtim dhe profetët e zgjojnë këtë premtim”. Ata, që e kanë zemrën dhe mendjen të mbyllur, nuk mund ta pranojnë “mesazhin e risisë” që sjell Jezusi, mesazhin që e kishin premtuar besnikëria e Hyjit dhe profetët”:

“Është mendimi i mbyllur, që nuk hapet ndaj dialogut, ndaj mundësisë se ekziston diçka tjetër, ndaj mundësisë së Hyjit për të na folur, për të na thënë si është udha e tij, siç ka bërë me profetët. Këta njerëz nuk i kishin dëgjuar profetët dhe nuk dëgjonin as Jezusin. Është diçka më shumë sesa thjesht kokëfortësia. Jo, është më shumë: është idhujtaria e mendimit të vetëm dhe këtë mendim donin t’ia impononin popullit të Hyjit, prandaj Jezusi i qorton: ‘Ju i ngarkoni mbi shpatulla popullit shumë urdhërime, që vetë nuk i prekni as me gisht”.

Jezusi “e qorton mos koherencën e tyre”. “Teologjia e këtyre njerëzve – vëren Papa – bëhet skllave e kësaj skeme të mendimit: mendimi i vetëm”:

“Nuk ka mundësi për dialog, nuk ka mundësi për t’u hapur ndaj risisë që sjell Hyji me anë të profetëve. Këta njerëz i kanë vrarë profetët; ia mbyllin derën premtimet të Hyjit. E kur në historinë e njerëzimit shfaqet fenomeni i mendimit të vetëm, sa fatkeqësi ndodhin! Të gjithë i kemi parë, në shekullin e shkuar, diktaturat e mendimit të vetëm, që vranë shumë njerëz, dhe në çastin në të cilin ata ndjeheshin zotërues, nuk mund të mendohej ndryshe. Duhet menduar kështu!”.

Por edhe sot, vijoi Papa, ekziston idolatria e mendimit të vetëm:

“Sot duhet menduar kështu dhe, nëse nuk mendon kështu, nuk je modern, nuk je i hapur, ose më keq. Shumë herë, disa qeveritarë thonë: ‘Unë kërkoj një ndihmë, një ndihmë financiare për këtë gjë’, ‘Po nëse do këtë ndihmë, duhet të mendosh kështu e duhet të bësh këtë ligj, atë tjetri e atë tjetrin...’ Edhe sot ekziston diktatura e mendimit të vetëm dhe kjo diktaturë është njësoj me atë të këtyre njerëzve: marrin gurët për të vrarë lirinë e popujve, lirinë e njerëzve, lirinë e ndërgjegjeve, marrëdhëniet e njerëzve me Hyjin. Dhe sot Jezusi kryqëzohet përsëri”.

Thirrja e Zotit “përballë kësaj diktature – përfundon Papa – është gjithmonë po ajo: të rrimë zgjuar e të lutemi; të mos jemi mendjelehtë, të mos blejmë” gjëra “që nuk i shërbejnë përvujtërisë dhe lutjes. Zoti na dhëntë lirinë e zemrës së hapur, për të pranuar Fjalën e tij, që është premtim, gëzim dhe besëlidhje. E me këtë besëlidhje duhet të ecim përpara”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama