HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-11 14:12:40
A+ A- Printo artikullin



Evangelii Gaudium (XIV) - Kisha duhet të kujdeset për brishtësitë e shoqërisë



Në kapitullin e katërt të thirrjes apostolike Evangelii Gaudium, ku Papa Françesku flet për çështjet shoqërore, zënë vend të veçantë dy argumente: shpërndarja e të ardhurave dhe pikat e brishta të shoqërisë.
Papa pohon se nuk duhet pritur më, për t’i dhënë një zgjidhje strukturore çështjes së varfërisë, sepse “planet asistenciale, që u bëjnë ballë disa nevojave të ngutshme, duhen parë vetëm si përgjigje të përkohshme” (n. 202). Ai kërkon të hiqet dorë nga autonomia absolute e tregjeve dhe e spekulimit financiar, dhe të merren në shqyrtim shkaqet e pabarazisë, e cila është “rrënja e të gjitha të këqijave”. Politika ekonomike duhet të mbajë parasysh gjithmonë dy gjëra: dinjitetin e çdo njeriu dhe të mirën e përbashkët, sepse vetëm kështu mund të zërë vend edhe etika në ekonomi. Rritja e barazisë nuk përkon me rritjen e ekonomisë, por me shpërndarjen më të drejtë të të mirave. Shpërndarja e drejtë nuk realizohet, nëse lejojmë të veprojnë të lira “forcat e verbra” dhe “dora e padukshme” e tregut.
Varfëria mundet vetëm nëse e kërkojmë zhvillimin tërësor të të varfërve përtej asistencializmit, nëse e tejkalojmë logjikën sipas së cilës “mëtohet se të ardhurat bymehen duke tkurrur tregun e punës dhe duke krijuar, kështu, të përjashtuar të rinj” (n. 204). Për tejkalimin e këtyre vizioneve ekonomike nevojiten politikanë “që e kanë vërtet për zemër shoqërinë, popullin dhe jetën e të varfërve” (n. 205). Për formimin e këtyre politikanëve është i domosdoshëm Ungjilli, sepse ai e hap shikimin përtej kësaj bote dhe Papa shprehet i bindur se, “duke u nisur nga një hapje e tillë, mund të formohet një mendësi e re politike dhe ekonomike, e cila do të ndihmonte në tejkalimin e dikotomisë absolute që ekziston ndërmjet ekonomisë dhe të mirës së përbashkët shoqërore” (n. 205).
Përgjegjësitë për një ekonomi, që synon të vendosë barazinë, duhen ushtruar me vështrimin përtej kufinjve kombëtarë, sepse “asnjë qeveri nuk mund të veprojë përjashta përgjegjësisë së përbashkët”, “nëse dëshirojmë të arrijmë një ekonomi botërore të shëndoshë”, në respekt të sovaranitetit të kombeve. Në këtë shoqëri, anëtarët e Kishës duhet të angazhohen fort për përfshirjen shoqërore të të varfërve.
Tejkalimi i pabarazive nuk është i mundur nëse nuk mbahen parasysh disa pika të brishta të shoqërisë, të cilat kanë nevojë për vëmendje dhe kujdes të veçantë. Duke përmendur kapitullin 25 të Ungjillit sipas Mateut, ku Jezusi identifikohet me më të vegjlit, Papa shkruan se “të gjithë ne të krishterët jemi të thirrur të kujdesemi për më të brishtët e tokës” (n. 209). Mendësia e “suksesit” dhe e “privatësisë”, që karakterizon veprimet e botës, i lë në harresë nevojtarët, sepse, sipas asaj mendësie “nuk ka kuptim të investosh për ata që mbesin pas” (n. 209).
Papa Françesku rendit pesë brishtësi të kohës sonë: emigrantët, skllavëritë moderne, gratë, fëmijët e palindur dhe pakujdesinë ndaj botës së krijuar.
1.“Emigrantët – shkruan – përbëjnë për mua një sfidë të veçantë, sepse jam Bari i një Kishe pa kufinj, që ndjehet nëna e të gjithëve” (n. 210). Ati i Shenjtë i fton shtetet t’i hapin kufinjtë dhe uron që qytetet bashkëkohore ta tejkalojnë mosbesimin e pashëndoshë ndaj të huajve dhe të zhvillojnë “sinteza kulturore”.
2. Skllavëritë moderne janë një tjetër plagë e shoqërisë, prandaj Papa u drejton të gjithë besimtarëve katolikë këtë pyetje: “Ku është ai që ti e vret çdo ditë në fabrikën e vogël të paligjshme, në rrjetin e prostitucionit, tek fëmijët që i përdor për të lypur dhe tek ata që duhet të punojnë në fshehtësi, sepse nuk i kanë letrat në rregull?” (n. 211).
3. Gratë gjenden shpesh herë të përjashtuara nga shoqëria, për shkak të dhunës së burrave dhe mundësive më të pakta për të mbrojtur të drejtat e veta, megjithëse ato kryejnë “gjestet më të admirueshme të heroizmit të përditshëm për mbrojtjen dhe kujdesjen ndaj brishtësive të familjeve të tyre” (n. 212).
4. Për sa i përket çështjes së fëmijëve të palindur, Papa Françesku sqaron prerazi se për doktrinën e Kishës në lidhje me abortin nuk duhet të presim asnjë reformë të pandehur dhe asnjë “modernizim”. Nëse nuk mbrohen të drejtat e njeriut në çdo fazë të zhvillimit të tij, shkërmoqen themelet e çdo të drejte njerëzore.
5. Pika e fundit e brishtë, që rendit Papa, është bota e krijuar. Jetojmë në trup dhe kemi marrëdhënie me krijesat, prandaj “shkretimi i tokës është si një sëmundje për secilin”. Zoti na i ka dhënë të mirat e kësaj bote për t’i shijuar, por edhe për t’i mbrojtur.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama