HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-04-11 14:29:29
A+ A- Printo artikullin



Papa: djalli nuk mungon as në shekullin XXI; të mësojmë nga Ungjilli si ta luftojmë



Të mësojmë nga Ungjilli si të luftojmë kundër tundimeve të djallit. Ishte një orë e vërtetë mësimi, Mesha e sotme e Papës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Mësim i jashtëzakonshëm, për të nxënë si luftohet kundër djallit, që nuk mungon as në kohët tona. Të gjithë tundohemi, sepse shejtanit nuk i pëlqen shenjtëria e njeriut. Prej këndej, pohoi Papa, jeta duhet parë si luftë e vazhdueshme kundër së keqes.RealAudioMP3

“Jeta e Jezusit ishte luftë. Ai erdhi t’i kundërvihej së keqes e ta mundte. Ta mundte princin e kësaj bote, të ngadhënjente mbi djallin”. Papa Françesku ia kushtoi gjithë homelinë luftës kundër djallit. Luftë, nënvizoi, që duhet ta përballojë çdo i krishterë. Demoni, vijoi të shpjegojë Françesku, e tundoi Jezusin disa herë. E edhe Jezusit iu desh të provojë, gjatë jetës, tundime e deri persekutime. Prandaj ne, të krishterët, që duam të ecim në gjurmët e Jezusit, duhet t’i njohim mirë këto të vërteta:
“Edhe ne tundohemi. Edhe ne na sulmon vazhdimisht djalli, sepse shpirti i së Keqes nuk e do shenjtërinë tonë, nuk dëshiron të jemi dishepuj të Jezusit. E si vepron shpirti i së Keqes për të na larguar nga udha e Jezusit me tundimet e veta? Tundimi i djallit ka tri karakteristika e ne duhet t’i njohim, për të mos rënë në kurth. Si vepron djalli, për të na larguar nga udha e Jezusit? Tundimi nis ngadalë, por shkon duke u rritur: rritet gjithnjë. Së dyti, është ngjitës; rritet e i ngjitet edhe tjetrit, përcillet nga njëri, tek tjetri, përpiqet të përhapet në të gjithë bashkësinë. E, në fund, për të qetësuar shpirtin, përligjet. Rritet, përhapet, përligjet!”.
Tundimi i parë i Jezusit, vijoi të shpjegonte Papa, ishte gati-gati përpjekje e tunduesit që ta bënte për vete: prandaj e ngacmon Jezusin të hidhet nga Tempulli duke e joshur me fjalët: po e bëre këtë, të gjithë do të thonë “Ja Mesia!”. Përpiqet t’i bëjë Zotit, atë që i bëri Adamit e Evës. Mundohet ta mashtrojë. Flet si të ishte mësues shpirtëror. E kur nuk i pi ujë fjala, atëherë nis e rritet, rritet e kthehet edhe më i fortë. Jezusi, kujtoi Papa, e thotë këtë në Ungjillin e Shën Lukës: kur djalli dëbohet, sillet e përsillet, gjen një mori shokësh e kthehet me gjithë ta. Rritet, pra, duke grumbulluar edhe të tjerë, si vetja. Kështu ndodhi edhe me Jezusin. Djalli bëri për vete të gjithë armiqtë e Zotit, e iu sul bashkë me ta. E ai, që dukej si një fill uji, një fill i vogël uji, i parrezikshëm, vërshoi e u bë baticë.
Tundimi rritet e përhapet. E në fund, edhe përligjet. Papa kujtoi se kur Jezusi predikon në Sinagogë, armiqtë e tij mundohen menjëherë ta ulin, duke thënë: “Po ky është i biri i Jozefit, zdrukthëtarit, e i Marisë! S’ka shkelur kurrë në universitete! Me ç’autoritet vjen e na flet, atëhere? Nuk ka studiuar kurrë, asgjëkundi!”. Tundimi, vijoi Ati i Shenjtë, i përfshin të gjithë, e të gjithë, kundër Jezusit. Duke arritur pikën kulmore me përligjjen e priftit, që thotë: “A nuk e dini se është më mirë të vdesë një njeri, për të shpëtuar mbarë popullin?”.
Kemi një tundim, që rritet: rritet e u ngjitet dhe të tjerëve. Të mendojmë për një thashethemnajë, për shembull. Unë e kam zili njërin, e edhe tjetrin e tjetrin. E, para së gjithash, e kam zilinë në shpirt, e kam vetëm unë, po më lind menjëherë dëshira ta ndaj edhe me të tjerët e shkoj te një tjetër e i them: ‘A e ke parë filanin?’. E nis e përhap fjalë te njëri e te tjetri. Ky është mekanizmi i thathethemeve, e të gjithë e kemi ngapak tundimin t’i marrim të tjerët nëpër gojë! Ndoshta ndonjëri nga ju nuk e ka, sepse është i shenjtë, por edhe unë tundohem të merrem me thashetheme! Është tundim i përditshëm, ky. E nis kështu, ëmbël e ëmbël, si rrymë uji. Por rritet pastaj, përhapet, përligjet”.
Duhet të jemi shumë të vëmendshëm, nënvizoi Papa, kur në zemrën tonë ndjejmë se nis diçka, që mund t’i shkatërrojë njerëzit. Ta ndalojmë me kohë këtë rrymë uji, sepse kur të rritet e të përhapet, do të jetë një baticë e tillë, që do të çojë në përligjjen e së keqes, siç u përligjën ata, që donin ta dënonin Krishtin, me pretendimin se ishte më mirë të vdiste një njeri i vetëm, sesa i gjithë populli.
“Të gjithë tundohemi, mbasi ligji i jetës shpirtërore, jetës sonë të krishterë, është luftë. Sepse princi i kësaj bote, djalli, nuk e do shenjtërinë tonë, nuk do që ta ndjekim Krishtin. Ndonjëri nga ju, ndoshta, edhe mund të më thotë: ‘Por, o Atë, po më dukeni pak si shumë i prapambetur: vini na flisni për djallin. E kur, në shekullin XXI!’. Sigurisht! Sepse djalli është. Është edhe në shekullin XXI. E nuk duhet të jemi aq shpirtfoshnja. Duhet të mësojmë nga Ungjilli si luftohet kundër djallit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama