HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-11 14:01:44
A+ A- Printo artikullin



Ati i Shenjtë: duhet të jemi të fortë kundër abuzimeve me të miturit. Fëmijët të rriten me një baba e një nënë



Nuk luhet me fëmijët e me të rinjtë. I indinjuar, Papa Françesku, në takimin me delegacionin e Zyrës Ndërkombëtare Katolike për Fëmijët (Bice). Anëtarëve të organizmit, Ati i Shenjtë u kujtoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të të miturve, duke folur sidomos për fëmijët, që detyrohen të punojnë në moshë të njomë, për ata që merren ushtarë e për çdo lloj dhune, që përdoret mbi të miturit. Nënvizoi më pas, se e ardhmja është në duart e fëmijëve, të cilët kanë rëndësi njësoj si të moshuarit, “urtia” e një populli. E nuk harroi të përmendë edhe çështjen e abuzimeve ngaeksponentë të Kishës, duke kërkuar falje për dëmet e shkaktuara:RealAudioMP3
“Kisha është e vetëdijshme për këto dëme! Është dëm personal dhe moral i këtyre njerëzve… por janë njerëz të Kishës! E ne nuk duam të bëjmë hapa mbrapa në trajtimin e kësaj çështjeje e të sanksioneve, që duhet të jenë mëse të detyrueshme. Përkundrazi, mendoj se duhet të jemi shumë të ashpër! Me fëmijët nuk luhet!”
Papa u ndal në misionin e Zyrës, e cila, theksoi, është shprehje konkrete dhe aktuale e dashurisë së Zotit tonë Jezu Krisht për fëmijët:
“Duhet ritheksuar e drejta e fëmijëve për t’u rritur në familje, me një baba e një nënë, të aftë të krijojnë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin dhe pjekurinë e tyre emocionale… Duke pasur si pikë referimi për meshkujt, atin, e për femrat, nënën”.
Papa Françesku preku një çështje tepër të rëndësishme, që po diskutohet kohët e fundit në botën perëndimore, atë të programeve shkollore e të projekteve edukative, të cilat, sipas organizatave botërore si OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë), duhet ta transferojnë të drejtën për të edukuar fëmijët nga familja në shkollë. Është e nevojshme, nënvizoi Ati i Shenjtë, të përkrahim prindërit në edukimin moral dhe fetar të fëmijëve të tyre:
“Lidhur me këtë, dua të shpreh refuzimin tim për çdo lloj eksperimenti edukativ me fëmijët. Me fëmijët e të rinjtë nuk bëhen eksperimente. Nuk janë kavie laboratori! Tmerret e manipulimit edukativ, që përjetuam në diktaturat e mëdha genocide të shekullit XX nuk janë zhdukur; e ruajnë aktualitetin nën pamje të ndryshme e nën propozime që, me pretekstin e modernitetit, i nxisin fëmijët e të rinjtë të ecin në udhën diktatoriale të ‘mendimit të vetëm’”.
Duke përmendur një bisedë të kohëve të fundit me një edukator, Papa vuri në dukje se, nganjëherë, kur flitet për “projekte konkrete edukimi”, nuk kuptohet nëse dërgohet fëmija në shkollë, apo në një kamp riedukimi. Atëherë, marrin rëndësi të veçantë organizma kishtare si Bice, lindur me dëshirën e Papës Piu XII për të mbrojtur fëmijët, menjëherë pas përfundimit të Luftës II Botërore. Që atëherë, kjo Zyrë për Fëmijët ka bashkëpunuar vazhdimisht me organizmat ndërkombëtare, duke kontribuar edhe në hartimin e Konventës së OKB-së të vitit 1989:
“Të punosh për të drejtat e njeriut do të thotë ta azhurnosh gjithnjë formimin antropologjik, të jesh i përgatitur mirë për realitetin e jetës së njeriut dhe, të dish t’u përgjigjesh problemeve dhe sfidave të kulturave bashkohore e të mendësisë së përhapur përmes mass mediave”.
Papa Bergolio kujtoi në fund, Familjen Shenjte, që ikën në Egjipt për të mbrojtur Foshnjën Hyjnore. Nganjëherë, tha, për t’i mbrojtur fëmijët, duhet ikur, nganjëherë, duhet ndalur e, nganjëherë, duhet luftuar. Por, gjithnjë, nevojitet dhembshuri e ëmbëlsi.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama