HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-20 15:09:06
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 21-27 prill



Më 21 prill përkujtohet Shën Anselmi i Aostës. U lind në Aosta (Itali) rreth vitit 1033, në një familje fisnike. Në vitin 1060 hyn në kuvendin benediktin të Bekut, në Francë, ku edhe bëhet prior. Këtu fillon përsiatjet teologjike, me të cilat u bë njëri ndër teologët më të mëdhenj të Perëndimit. Më 1093 emërohet arqipeshkëv i Kantërbërit. Për shkak të mosmarrëveshjeve me pushtetin politik, e dëbojnë dy herë nga atdheu. Vdiq në Kantërbëri më 1109.
Më 22 prill përkujtohet shën Agapitus, papë. U zgjodh ipeshkëv i Romës më 13 maj 535, por papnimi i tij zgjati vetëm pak më shumë se njëmbëdhjetë muaj. Gjatë kësaj periudhe perandori i Lindjes, Justiniani, pushtoi pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës verilindore, ku mbretëronin gotët. Pastaj vendosi të hynte në Itali dhe të merrte Romën. Princi ostrogot Toedati e detyroi Papën të nisej në drejtim të Bizantit, për ta bindur perandorin që të hiqte dorë nga synimet e tij. Si mbërriti në Kostandinopojë, Agapitus u prit me të gjitha nderimet, por nuk ia arriti ta bindte Justinianin. Përfitoi nga udhëtimi në Lindje për të luftuar herezinë monofizite dhe, i stërmunduar nga udhëtimi, u sëmur rëndë e vdiq më 22 prill 536.
Më 23 prill përkujtohet Shën Gjergji, varri i të cilit gjendet në Lod (Tel Avivi i sotëm). Filloi të nderohej si martir i Krishtit në të gjithë Kishën, të paktën që në shekullin IV. Tradita popullore e përfytyron si një kalorës, që lufton me dragoin, simbol i fesë së patundur, që ngadhënjen mbi fuqitë e liga.
Më 24 prill përkujtohet shën Maria Kleofa. Ndoshta ishte kushërirë e Zojës, sepse bijtë e saj përmenden si “vëllezërit e Jezusit”, shprehje semite që nënkupton kushërinjtë. Njihet edhe si Maria e Jakobit, prandaj mendohet se ishte nëna e atij që përmendet si Jakobi i Vogël, që pastaj u bë ipeshkëv i Jeruzalemit. Bënte pjesë në grupin që shkonte pas Jezusit në mbarë Galilenë dhe shën Gjoni e rendit ndër “gratë e përshpirtshme”, përbri Nënës së Jezusit dhe Marisë Magdalenë tek këmbët e kryqit.
Më 25 prill përkujtosht shën Marku ungjilltar. Me gjak hebre, u lind ndoshta jashtë Palestinës, në një familje të kamur. Shën Pjetri, i cili e quan “biri im”, dhe e pati me siguri shok udhe në lindje e në Romë, ku edhe ka gjasa të ketë shkruar Ungjillin. Marku jetoi gjatë edhe me Shën Palin, të cilin e takoi në vitin 44. Në vitin 66 Shën Pali na jep informacionin e fundit në lidhje me Markun, në letrën që i shkruan Timoteut nga burgu: “Merr me vete Markun. Mund të kem nevojë për shërbimet e tij”. Marku vdiq ndoshta në vitin 68, me vdekje natyrore. Ka edhe një traditë, që thotë se u martirizua në Aleksandri, më 24 prill, dhe paganët ia zvarritën kufomën nëpër rrugët e qytetit.
Më 26 prill përkujtohet shën Kleti, papë. Të dhënat biografike të papës së tretë janë fare të pakta. Me prejardhja nga Athina, qe ipeshkëv i Romës në vitet 79-90 dhe pati meritën të ndërtonte një përkujtimore mbi varrin e shën Pjetrit, pranë të cilit qe varrosur edhe vetë.
Më 27 prill është e Diela e Mëshirës Hyjnore, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama