HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-20 15:20:56
A+ A- Printo artikullin



Stiki e Stikirà



"Stiki" e "Stikirà" është teksti i këngës së liturgjisë bizantine të Pashkëve, që u këndua para Papës në Meshën e Natës së Pashkëve:

"Çohet Zoti e armiqtë e tij shemben përdhe, të mundur.
Sot pamë Ngjalljen e Zotit, Pashkët hyjnore, Pashkët e reja, të shenjta, Pashkë misterioze, Pashkë tejet solemne.
Pashkët e Krishtit Shëlbues.
Pashkë të papërlyera, Pashkë të mëdha, Pashkët e besimtarëve.
Pashkë që na hapin portat e Parajsës; Pashkë që i shenjtërojnë të gjithë ata, të cilët besojnë në Krishtin e ngjallur!
Si shpërndahet tymi në hapësirë, ashtu Ti i shkapërndan armiqtë e tu.
Hë, ju, gra ungjillore, ejani nga vegimi e thoni Sionit:
“Po të sjellim lajmin e gëzimit, lajmin e Ngjalljes së Krishtit!
Gëzoju, ngazëllo, galdo Jeruzalem, duke kundruar mbretin tënd, Krishtin, që del nga Varri si dhëndërr.
U shofshin të pashpirtët para Zotit, të drejtët galdofshin!
Gratë mirofore në ag të ditës së re shkuan tek varri i Jetëdhënësit e gjetën një Engjëll ulur mbi gur, që u foli e u tha:
Pse e kërkoni të Gjallin ndërmjet të vdekurve? Pse e vajtoni të pakalbshmin, si të ishte duke u kalbur nën dhe? Shkoni e kumtojani dishepujve të tij!
Kjo është dita e bërë nga Zoti, të gëzohemi e të galdojmë në të!
Pashkë mahnitëse, Pashkët e Zotit, Pashkë! Pashkët e shenjta aguan për ne. Pashkë! Ta përqafojmë me hare njëri-tjetrin. Sepse Pashkët i japin fund trishtimit! Sepse sot Krishti, duke dalë rrezëllues nga varri, si dhëndrri nga gjerdeku, i mbushi gratë plot me gëzim, duke u thënë:
Çojani lajmin e madh apostujve!
I qoftë lumni Atit e të Birit e Shpirtit Shenjt; si ka qenë n’e parë, tash e përgjithmonë e jetës! Amen.
Është dita e ringjalljes. Ta mbushim botën me rrezet e gëzimit të festës, të rrokemi me njëri tetrin, ta quajmë njeri-tjetrin ‘vëlla’. Vëlla, atë që e duam; vëlla edhe atë, që na urren. T’i falim të gjithë, për hir të ringjalljes e të ngjitet deri në qiell brohoria jonë e festës:
“Krishti u ngjall prej së vdekurish, me vdekjen e tij, e mundi vdekjen!
E të vdekurve ndër varre u dha përsëri jetë!".

“Stiki” janë vargjet e Psalmit 67(68), të cilat gërshetohen me troparet, me ‘stikirà’, vargje teologjike e poetike, që i këndojnë ngjalljes së Zotit dhe gëzimit të Pashkëve të krishtera. Këndohen zakonisht në Natën pa gjumë të Pashkëve bizantine, në përfundim të lavdeve të natës, para se të kremtohet liturgjia hyjnore. Përsëriten, pastaj, në kremtimitn e mbrëmësoreve, gjatë shpalljes së Ungjillit të Ngjalljes (Gjn. 20,19-25).
Janë tekstet më të bukura, më poetike e më lirike të liturgjisë së Pashkëve. Jehon, përmes tyre, kumtimi gazmor i Ngjalljes së Zotit. Ky variant i përket shekullit VI-VII, por në të ndjehen fort motivet teologjike të Etërve lindorë.
“Stikirà” këndojnë gëzimin e Kishës për ngjalljen e Zotit, mister qëndror i fesë e i jetës; janë him i fitores, motiv i shpresës të patundur, ftesë për vëllazërim universal, thirrje për faljen e armiqve, grishje për shkëmbimin e përqafimit të paqes në Krishtin i cili, me përshëndetjen e tij të Pashkëve, u prin të gjithëve drejt pajtimit me Atin.
Siç ndodhi në Pashkët e viteve 1988 e 1990, kur Solemniteti u kremtua njëkohësisht në Perëndim e në Lindje, edhe sivjet ‘stiki’ e ‘stikira’, tekstet poetike të Kështu sivjet këndët e Lindjes e të Perëndimit, të liturgjisë romake e asaj bizantine, shpallën njëherësh besimin në Ngjalljen e Zotit!
Ndjehet fort, kështu, urimi me të cilin Gjon Pali II hapi Mijëvjeçarin e tretë: që Kisha të marrë frymë me të dyja mushkëritë, duke formuar një korp të vetëm, Korpin e Krishtit.
____
1 Të dielën e tretë të Pashkëve, në traditën bizantine meditohet përsëri për agimin e Solemnitetit, në një këndvështrim tejet të veçantë - siç na e kujton sinassari (përmbledhja e jetëve të shenjtorëve ortodoksë) - përkujtohet Shën Jozefi i Arimatesë, Nikodemi e, sidomos, gratë mirofore, ato që, pasi shkuan te Varri i Krishtit e e gjetën të zbrazët, u kumtuan apostujve lajmin e madh të Ngjalljes. Këtë të dielë paraqiten dy perikopé ungjillore: e para lexohet në mëngjes, e është tregimi i ngjarjes, simbas Lukës (Lk 24, 1-12).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama