HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-25 08:20:01
A+ A- Printo artikullin



Evangelii Gaudium – Dialogu shoqëror si kontribut për paqen



Në fund të kapitullit të katërt të thirrjes apostolike Evangelii Gaudium, Papa Françesku flet për rëndësinë e dialogut shoqëror në të cilin duhet të angazhohet Kisha. Tre janë bashkëbiseduesit e saj në shoqëri: shtetet, shoqëria, që përfshin kulturat dhe shkencat, dhe besimet e tjera, që nuk bëjnë pjesë në Kishën katolike. “Në të gjitha rastet Kisha flet duke u nisur nga ajo dritë që i jep feja, sjell përvojën e saj dymijëvjeçare dhe runa gjithmonë në kujtesë jetën dhe vuajtjet e qenieve njerëzore” (n. 238). Subjekti i dialogut nuk mund të jetë një elitë përfaqësuese, e cila mishëron në mënyrë shembullore karakteristikat që duhet t’i përkasin popullit, por vetë njerëzit, me kulturën e tyre dhe me traditën historike. Shteti kujdeset për të mirën e përbashkët, duke u mbështetur në parimet e ndihmës dhe të solidaritetit. Në dialogun ndërmjet shtetit dhe shoqërisë Kisha nuk zotëron zgjidhje për çdo detaj, por “bashkë me forcat e tjera shoqërore, i shoqëron parashtrimet që mund t’i përgjigjen më mirë dinjitetit të njeriut dhe të mirës së përbashkët” (n. 241).
Në veprën e ungjillëzimit Kisha duhet të mbajë hapur dialogun mes fesë, arsyes dhe shkencave. Nëse pozitivizmi shkencor i përjashton format e tjera të njohjes dhe të dijes, Kisha tregon një rrugë tjetër, rrugën e ndërthurjes së përdorimit të metodologjive të shkencave eksperimentale me dijet e tjera, si filozofia, teologjia dhe vetë feja. “Feja nuk ka frikë nga arsyeja, përkundrazi, e kërkon dhe ka besim tek ajo, sepse si drita e arsyes, ashtu edhe ajo e fesë rrjedhin nga Hyji” (n242). Kisha nuk synon ta ndalë përparimin e shkencës, madje gëzohet kur kjo e fundit arrin në përfundime të rëndësishme për njerëzimin, por, në disa raste, shkencëtarët dalin nga fusha e vet e dijes dhe mëtojnë të flasin për fenë duke u mbështetur në metodologjinë e kërkimit shkencor. “Në këtë rast nuk është arsyeja ajo që flet, por një ideologji e caktuar, që ia mbyll rrugën dialogut të vërtetë, paqësor dhe të frytshëm” (n.243).
Një vend të rëndësishëm në shërbimin ndaj paqes shoqërore zë edhe dialogu ekumenik: “Duhet të kujtojmë gjithmonë se jemi shtegtare dhe shtegtojmë së bashku. Për këtë qëllim duhet t’ia hapim zemrën shokut të udhës, pa dyshime, ma mosbesime dhe duhet të shikojmë para së gjithash atë që kërkojmë: paqen në fytyrën e Hyjit të vetëm” (n. 243). Ndarja ndërmjet të krishterëve e bën më të vështirë rrugën e paqes, sepse e dobëson forcën e dëshmisë. Për kapërcimin e ndarjeve Papa bën këtë parashtrim: “Nëse përqendrohemi tek bindjet që na bashkojnë dhe nëse kujtojmë parimin e hierarkisë së të vërtetave, do të mund të ecim me shpejtësi drejt formave të përbashkëta të ungjillëzimit, të shërbimit dhe të dëshmisë” (n. 246). Një tjetër element i rëndësishëm është ai i kujdesit ndaj dhuratës së veçantë që Shpirti i Shenjtë i ka dhënë secilës Kishë të krishterë, që mund t’u shërbejë edhe të tjerave. Si shembull, Papa përmend kolegjialitetin në Kishën ortodokse.
Edhe dialogu me hebrenjtë është shumë i rëndësishëm: “Si të krishterë nuk mund ta konsiderojmë hebraizmin si një fe të huaj, as nuk duhet t’i përfshijmë hebrenjtë tek ata që janë të thirrur për të braktisur idhujt, për t’u kthyer tek Hyji i vërtetë” (n. 247). Dialogu me bijtë e Izraelit është pjesë e jetës së nxënësve të Jezusit.
Një vend të rëndësishëm, në fund të përsiatjes së Papës për shërbimin ndaj paqes shoqërore, që duhet të kryejë ungjillëzimi, zë edhe dialogu ndërfetar, “kusht themelor për paqen në botë” (n. 250). Nuk bëhet fjalë për dialog teknik dhe diplomatik, por për bashkëbisedim të hapur rreth jetës njerëzore. Gjatë këtij bashkëbisedimi “nuk duhet lënë kurrë pas dore lidhja e qenësishme ndërmjet dialogut dhe shpalljes së Ungjillit” (n. 251). Sinkretizmi pa qartësi do të ishte totalitarizëm, sepse do të flijonte vlerat që shkojnë përtej mundësive tona për t’i diskutur, duke mos qenë ne pronarët e atyre vlerave. “Hapja e vëretetë kërkon që të mbetemi të vendosur për bindjet më të thella vetjake, me një identitet të qartë dhe të gëzueshëm, por të hapur për të kuptuar identitetin e tjetrit dhe të vetëdijshëm se dialogu mund ta pasurojë secilin” (n. 251). Në dialogun ndërfetar zënë një vend të veçantë marrëdhëniet me islamin. Papa kërkon që emigrantët islamikë të priten mirë në vendet me traditë të krishterë, por u bën thirrje edhe vendeve islamike që t’i pranojnë të krishterët “duke mbajtur parasysh lirinë që gëzojnë në Perëndim besimtarët e Islamit” (n. 253).
Liria fetare është e domosdoshme për procesin e paqes shoqërore. Ajo realizohet duke i dhënë fesë vendin që i takon në shoqëri, pa e detyruar të mbyllet brenda ndërgjegjeve individuale apo ndërtesave të kultit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama