HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-27 10:36:31
A+ A- Printo artikullin



Gjon Pali II në Shqipëri: porosi që nuk duhen harruar



25 prill 1993 - Papa Gjon Pali II viziton Shkodrën dhe Tiranën: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës.
Përshëndetjen e parë ia drejton mbarë popullit Shqiptar (në aeroport, 25 prill 1993).
Historik, Predku në Katedralen e Shkodrës (25 prill 1993), në të cilin nënvizon me forcë:
“Kjo është dita e falur prej Zotit, ditë gëzimi, e ipeshkvi i Romës erdhi ta kremtojë së bashku me ju. Ipeshkvi i Romës për shumë vjet është lutur për ju, së bashku me gjithë Kishën….. E sot Pasardhësi i Shën Pjetrit… përsërit para Jush, që jeni mbledhur këtu, para Shqipërisë, Evropës, para Kishës universale e para mbarë botës: "Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë.
Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…
Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar!”.
Në përfundim të vizitës: përshëndetja drejtuar mbarë popullit shqiptar nga Sheshi i Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, para largimit nga Shqipëria. Ja disa nga fjalët-testament të Gjon Palit II:
“Ajo që ndodhi në Shqipëri, të dashur Vëllezër e Motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit…. Ju sot e fituat lirinë në një mënyrë krejt të veçantë, pa derdhur gjak. U ngjitët lart mrekullisht, nga një greminë tiranie dhe vdekjeje. Kur dukej se po shuhej çdo shkëndijë besimi, zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall guximi, u ndez përsëri drita e shpresës.
Kjo liri besimi fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, është dhuratë e çmuar e Zotit, e jo vetëm për ata që kanë hirin e fesë. U përket të gjithëve, sepse liria fetare është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të shenjtë dhe të paprekshëm, që është ndërgjegjia, ku njeriu takohet me Krijuesin dhe fiton vetëdijen e plotë të dinjitetin të vet. Nga një liri e tillë… nuk ka përse të trembet askush.
Besimi i çiltër në të vërtetë, nuk i përçan njerëzit; përkundrazi, i bashkon, me gjithë larmitë e tyre. Feja na mëson se kemi një Krijues të përbashkët. E atëherë që të gjithë jemi vëllezër. Kështu feja mbetet Kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe jep kontribut vendimtar për vëllazërimin njerëzor. Liria e vërtetë fetare e shpëton njeriun nga ngacmimet e intolerancës dhe të sektarizmit, duke i krijuar kushtet për dialog konstruktiv, mbi bazën e respektit reciprok.
Popull Shqiptar, më pëlqen të kujtoj në këtë çast shembullin tënd të bashkëjtesës fetare ndërmjet tri bashkësive, që e respektojnë reciprokisht njëra tjetrën. Vijojeni ecjen në këtë rrugë, Vëllezër e Motra të dashura! Do të bëheni, kështu, shembull solidariteti e bashkëjetese paqësore jo vetëm për Atdheun tuaj, por dhe për gjithë zonën e shumëvuajtur të Ballkanit. Kështu, ju mund të siguroni bashkimin kombëtar, të urtë dhe të qëndrueshëm”.
Të mërkurën e parë, pas shtegtimit në Shqipëri, Gjon Pali II i kushtoi mbresave të vizitës baritore audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan (28 prill 1993).
Më 2001, kujtojmë vizitën "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë (2 deri më 4 shkurt 2001) dhe të Kosovës në Vatikan.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama