HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-29 10:33:53
A+ A- Printo artikullin



Gjoni XXIII: Vitet e pjeshkës së lulëzuar



Nis një rrugë krejt e re, e papritur, për priftin e thjeshtë të Nënmalit, dom Anxhelo Ronkalin. Na e rrëfen Terezio Bosko në librin “Gjoni XXIII-Papa i mirë”, nën titullin “Vitet e pjeshkës së lulëzuar”.RealAudioMP3

Që prej tre vjetësh don Anxhelo vijon të japë mësim në seminar. Por një ditë të bukur të vitit 1921, ipeshkvi çon e e thërret. I lë para një zarf të vulosur e, duke vënë buzën në gaz, i thotë:
- Kemi një lajm të ri për ju, nga Roma. Me kërkesën personale të Papës, ju do të shkoni atje, për të drejtuar Veprën e Propagandës së Fesë.
Don Anxhelo mrekullohet. Është dyzet vjeç. Beson se ka punuar mirë. E tani i duhet të nisë nga e para. Të shkojë e të varroset në një zyrë të Romës... Po është Papa, ai që e thërret. E don Anxhelo niset…
Nuk e di se për të do të fillojnë vitet e gjata të botës lindore. Papa e shuguron ipeshkëv dhe e cakton përfaqësues të vetin në Bullgari.
E ai shkruan në ditar: “Në mëngjes zbrita në kishë për meshën shenjte. Duke u përgatitur, pashë nga dritarja një degë pjeshke në lule. Në vend që të gëzohesha, mendova: “Kush e di a do ta shoh këtë lulëzim edhe vitin e ardhshëm!. E Zoti, për të më ndëshkuar, më bëri ta shoh dhjetë pranvera me radhë”.
Herën e fundit, lulet e pjeshkës i pa nga dritarja në pranverën e vitit 1934. Ndonjë muaj më pas, Papa e thirri dhe e dërgoi delegat apostolik në Turqi e në Greqi.
Këtu ndjeu vringëllimën e një lufte tjetër, së dytës, që përfshiu e tronditi për vdekje mbarë botën. Vite të vështira, me fëmijë e pleq grekë, që vdisnin nga uria nëpër rrugë...
Ishte buzëmbrëmje, kur e lajmëruan për një telefonatë dramatike. Një anije plot me fëmijë hebrenj, po i afrohej bregut, në një port të Turqisë. Kishte ikur nga një shtet i pushtuar nga nazistët, por autoritetet turke nuk donin t’ai dinin fare për udhëtarët e vegjël. Kishin frikë nga inati i çmendur i Hitlerit. T’i ktheje mbrapsht këta fëmijë, do të thoshte t’i nisje drejt dhomave me gaz.
Imzot Ronkali thirri në telefon ambasadorët e të dy kombeve asnjanëse e të largëta. Bisedimet qenë dramatike. Në fund, fëmijët u nisën, natën, drejt një porti të sigurt. (Dëshmi e atë S. Montiko).
Një herë tjetër, njëzet e katër mijë hebrenj hungarezë kishin ikur në Rumani. Hitleri kërkonte t’i kthente mbrapsht me çdo kusht. Edhe atë natë, telefonata e nunciaturës siguroi një lidhje të gjatë të Ronkalit me mbretin Boris e, në agim, hebrenjtë ishin të shpëtuar.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama