HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-01 11:08:42
A+ A- Printo artikullin



Atentati kundër Gjon Palit II: kush e armatosi dorën e Ali Agçait?



Në emisionin e djeshëm e lamë Gjon Palin II, të cilin po e ndjekim përmes librit “Kam jetuar me një shenjt” të kardinalit Stanislau Xhivish, në vitin 1980, kur i dërgoi një letër presidentit sovjetik Brezhnjev për të mos lejuar ndërhyrjen me dhunë të komunistëve në Poloni, ku sapo ishte formuar sindikata e lirë “Solidarnosh”. Brezhnjevi nuk iu përgjigj kurrë asaj letre, por ndoshta ngarkoi dikë të përgjigjej në vendin e tij. Pesë muaj më vonë, më 13 maj 1981, Ali Agçai qëlloi kundër Gjon Palit II në Sheshin e Shën Pjetrit. Qëlloi për ta vrarë. “Unë e di se mora shenjë aty ku duhej” do të thoshte më vonë.
“Më parë, kur ai[Papa] ishte gjallë – kujton kardinali Xhivish, në intervistën me gazetarin italian Gian Franco Svidercoschi – e tregoja shpesh këtë ditë tragjike. Arrija ta tregoja edhe me qartësi, pra, kujtoja pak a shumë gjithçka. Ato dy të shtëna në Sheshin e Shën Pjetrit, sepse unë vetëm dy dëgjova, e Ati i Shenjtë që më rrëshqiste nga duart, e gara e dëshpëruar për të shkuar drejt shërbimeve shëndetësore të Vatikanit, pastaj në spitalin “Gemelli”, e ndërhyrja kirurgjikale që nuk mbaronte kurrë, e doktor Buxoneti që, në një çast, doli e më kërkoi Vajimin e të sëmurëve për Papën, pra ishte rëndë, një hap nga vdekja, e unë lutesha, lutesha, qaja e lutesha, derisa ndjeva dikë, që më preku në krah e më dha atë lajm të mrekullueshëm: kishte shpëtuar!
Më parë, pra, kur ai ishte gjallë, arrija të tregoja për atë ditë. Madje doja ta tregoja, sepse pastaj erdhi ajo ndihmë nga Lart, që ia ktheu jetën Atit të Shenjtë. E ai vetë ishte mëse i bindur për këtë. Jeta iu dhurua sërish. Kur, pas atentatit, shkoi në kriptën e Vatikanit, tha: ‘Edhe unë mund të kisha qenë këtu tani, për amshim! Më shpëtoi ndërhyrja e Zojës së Fatimës’.
Për fjalët e saj filloi të interesohej që kur ishte akoma në spital. Donte ta plotësonte, e pastaj edhe e plotësoi, kërkesën e Nënës së Zotit lënë në duart e fëmijëve të Fatimës. E deshi edhe që njëri nga plumbat (tjetri nuk u gjet kurrë) të vendosej në kurorën e shtatores së Virgjërës në shenjtërore”.
Sot e kësaj dite nuk i është dhënë akoma përgjigje të plotë pyetjes: Kush e armatosi dorën e Ali Agçait? Sikari turk u ngarkua nga Kremlini të vriste Papën Gjon Pali II, apo nga ndonjë grup i çmendur i shërbimeve sekrete të Evropës Lindore? Si e ashtuquajtura “pistë bullgare”, ashtu edhe “pista islamike”, nuk bindën askënd si atëherë, ashtu edhe sot. Situata e vitit 1981 sugjeron se fati i Papës kishte të bënte shumë me Solidarnoshin - që ai mbështeste moralisht, e jo financiarisht, pohon kardinali Xhivish, duke i quajtur të rreme të gjitha aluzionet për këtë çështje – të cilin komunistët donin ta zhduknin.
Në natën ndërmjet 12 e 13 dhjetorit, në Poloni u vendos shtetrrethimi. U arrestuan mijëra vetë. Sindikata pushoi së ekzistuari me vendim të regjimit. “Ati i Shenjtë e mori vesh nga sekretarët e tij e pastaj nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit – kujton kardinali Xhivish. Lajmi e tronditi thellë. Që në Engjëllin e Tënzot shprehu keqardhjen për tragjedinë, që po përjetonte atdheu i tij. Protestoi me të gjitha forcat. U lut. Shkroi një letër të ashpër për Jaruzelskin, pas vrasjes së minatorëve në Vujek. Ndërkaq, solidariteti i gjithë botës derdhej në Poloni, duke mbajtur të ndezur dritën e shpresës. Mbërriti udhëtimi i dytë i Papës Gjon Pali II në Varshavë. Por për këtë do t’ju flasim nesër.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama