HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-04-30 13:34:19
A+ A- Printo artikullin



Gjon Pali II: Fundi i një iluzioni të rremë



Udhëtimi i parë i Papës Gjon Pali II në Poloni e thirrjet për të mos pasur frikë qenë tmerr i vërtetë për komunistët, tregon kardinali Stanislau Xhivish, në librin “Kam jetuar me një shenjt”, që po shfletojmë këto ditë. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Sovjetike (në të cilin bënte pjesë edhe Gorbaçovi) miratoi një dokument të ideologut partiak, Mikhail Suslov. Titulli: “Vendim për të vepruar kundër politikave të Vatikanit në marrëdhëniet me shtetet socialiste”. Rezultati: hyrja e spiunëve në Vatikan për të sabotuar punën e Gjon Palit II.
“Aso kohe – thotë kardinali Xhivish – nuk dihej asgjë. Por që po përpiqeshin të vendosnin ndonjë spiun brenda Vatikanit, këtë e kuptuam fort mirë. Së paku në një rast. Nuk ishte meshtar, por diakon. Sapo e zbuluam, e përzumë dhe u zhduk në mjegullnajë. Por, ka shumë mundësi të ketë pasur të tjerë. Ati i Shenjtë u informua, por nuk i dha shumë rëndësi kësaj gjëje: nuk tregonte aspak frikë e pastaj, thoshte, ‘s’kam asgjë për të fshehur’.
Megjithatë, nga ajo kohë, u morën disa masa e u tregua kujdes më i madh. Për shembull, u vendos të ruheshin në apartamentin papnor disa dokumente të rezervuara ose më të rëndësishme, si edhe letrat private. Në veçanti, kujtoj letrat e primatit Vishinski e të ndonjë kardinali tjetër, ku – mendoni pak – që atëherë, i kërkohej Papës të bënte ndryshime në Kurien Romake.
Për pjesën tjetër, çdo mbrëmje, mbërrinte një punonjës me çantën e vjetër plot dokumente të Sekretarisë së Shtetit. Ati i Shenjtë i lexonte e, për secilën, shkruante sugjerimet e tij. E me sa mbaj mend unë, asnjë lajm nuk doli jashtë Vatikanit. Ndoshta, të infiltruarit e shërbimeve sekrete kishin ndryshuar strategji”.
Ndërkaq, “revolucioni” i filluar nga udhëtimi i Papës Gjon Pali II në Poloni kishte arritur në brigjet e Balltikut. Lek Valesa, elektriçist në kantierin “Lenin” të Dancikës, udhëhoqi punëtorët, në një protestë paqësore, që përfundoi me formimin e Solidarnoshit, sindikatës së parë të lirë në botën komuniste. Gjon Pali II, tregon kardinali Xhivish, mbeti i prekur nga ata punëtorë, që rrëfeheshin në rrugë, merrnin Sakramentin e Kungimit e luteshin para fugures së Zojës së Zeshkët, varur në hekurat e kantierit.
Më 30 gusht 1980, pas 16 ditë greve, u nënshkrua marrëveshja ndërmjet shtetit dhe punëtorëve, më parë në Shtetino e pastaj, në Dancika. Moska u kishte dhënë urdhër komunistëve polakë ta mbyllnin sa më shpejt çështjen, pasi protesta mund të përhapej edhe në vendet e tjera. Megjithatë, gjendja mbeti e nderë edhe më pas. Kishte rrezik të sulmohej Polonia. “Atëherë - kujton ish-sekretari i Karol Vojtilës – Ati i Shenjtë vendosi të bëjë një hap të guximshëm, pa precedent: më 16 dhjetor të atij viti i shkroi një letër presidentit sovjetik, Leonid Brezhnjev. ‘Një komb që vuajti kaq shumë në luftën e fundit e që derdhi kaq shumë gjak, ka të drejtë për vetëvendsoje e liri’. Papa i referohej qartë ‘agresionit’ hitlerian të vitit 1939, por, kujtonte me nënkuptim edhe se Polonia, në po atë periudhë, u sulmua në lindje nga Armata e Kuqe. Gjon Pali II nuk mori kurrë përgjigje. Ky ishte stili i komunistëve të atëhershëm”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama