HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-01 11:08:27
A+ A- Printo artikullin



Gjoni XXIII: Seminari “i rrethuar nga telat me gjemba”



Duke ecur në gjurmët e Papës Ronkali, përmes shfletimit të librit të Terezio Boskos “Gjoni XXIII- Papa i mirë”, arrijmë tek “Seminari ‘i rrethuar nga telat me gjemba”, siç titullohet fragmenti, që zgjodhën për emisionin e sotëm. Jemi gjithnjë në Paris.RealAudioMP3

Shtëpia e Nuncit bëhet shumë shpejt pikëtakimi për miqtë. Imzot Ronkali thoshte:
- Më pëlqen më shumë t’i takoj kundërshtarët rreth një tryeze të mirë, sesa t’i përmbyt me nota diplomatike e protesta.
Lidhi, kështu, miqësi të përzemërt me socialistin Auriol e me antiklerikalin Herriot. Ministri Shuman thoshte për Nuncin:
- Është i vetmi njeri në Paris, pranë të cilit ndjehem, edhe fizikisht, në paqe.
Në Francë kishte shumë kampe përqendrimi për gjermanët e burgosur gjatë luftës. Imzot Ronkali i vizitoi një për një.
Mbështeti me të gjitha mënyrat meshtarin Françesk Stok, që organzoi në Shartrë “seminarin e rrethuar nga telat me gjemba”, ku mblodhi 949 seminaristë gjermanë, të shpërndarë në të gjitha kampet e përqendrimit.
U siguroi atyre tekste teologjie, u interesua për studimet e tyre e, të Enjten e Madhe të vitit 1947, shuguroi meshtarë disa nga banorët e barakave fantazmë.
29 nëntor 1952. Një mesazh urgjent nga Roma, nënshkruar nga imzot Montini, e njofton se është ndërmjet kardinajve të rinj, që Papa do t’i krijojë në koncistorin publik. Ati i Shenjtë e emëron Patriarkë të Venedikut.
15 janar 1953. Në Elizeo, në sallonin vezullues të Armaturave, Roja Republikane e pret me qëndrimin “për nder armë”. Ambasadorët radhiten me uniformat e mëdha. Presidenti i Francës, Auriol ka lidhur në gjoks flamurin tringjyrësh. Nunci gjunjëzohet e merr kësulën e kuqe të kardinalit, nga socialisti i vjetër që, i emocionuar dukshëm, menjëherë pas, e përqafon miqësisht.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama