HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-01 11:05:54
A+ A- Printo artikullin



Si lindi devocioni i muajit të Zojës?



Devocioni i muajit të Zojës, muajit të majit, filloi në vitet 1700, përmes veprimtarisë së tre jezuitëve, që kryenin misionin e tyre në veri, në qendër e në jug të Italisë. Më i njohuri është atë Alfons Muxareli. Etërit jezuitë zgjodhën pikërisht muajin më të bukur të vitit, kur natyra është në kulmin e lulëzimit, që t’i ftonin të gjithë besimtarët për ta nderuar Nënën e Zotit, lulen më të bukur të njerëzimit.RealAudioMP3
Po, ç’përfaqëson Maria për gratë e kohëve tona?
Gruaja e ditëve tona frymëzohet nga Maria, por sipas figurës biblike, e jo sipas disa klisheve tradicionale, që e paraqesin si grua pasive, që pëson pa bëzajtë. Pali VI në ‘Marialis Cultus”, e kundërshton këtë mënyrë paraqitjeje, duke i ftuar besimtarët të shfletojnë Ungjillin për ta njohur Marinë, grua aktive, që e kupton mirëfilli përgjegjësinë e vet, që merr vendime e ‘Madhëron Zotin’, sipas kritereve të dijes hyjnore e jo të dijes njerëzore.
Marisë i lutemi duke thënë Rruzaren Shenjte. Nuk është praktikë që i përket së kaluarës, e aq më pak lutje mekanike – na kujton shpesh Papa. Po ç’vlerë ka sot kjo lutje mariane?
Rruzarja duhet konsideruar si mënyrë për të vënë në jetë atë që kremtojmë në liturgji e që e shpallim në Shkrimin Shenjt.
Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës.
Megjithatë Rruzarja lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit.
Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik.
Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.
Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq.
Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën.
Me dëshirën e Gjon Palit II, Rruzares iu shtuan edhe Misteret e Dritës.
Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit.
Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë.
Kujtojmë se dita e parë e muajit të Zojës u kremtua në qindra kisha e kapela, kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës, edhe në Shqipëri e në Kosovë, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa e në shenjtëroren e mirënjohur të Zojës në Letnicë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama