HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-01 16:31:46
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Tauran në Algjeri: Papa Françesku u bën thirrje për dialog të krishterëve e myslimanëve



Kardinali Jean Louis Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, gjendet këto ditë në Algjeri, si i deleguar i veçantë i Papës për kremtimin e 100 vjetorit të Bazilikës së Shën Agostinit në Anaba. Papa i ka besuar një mesazh Kardinalit, në të cilin bën thirrje për dialog ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve dhe i falënderon autoritetet algjeriane për kontributin e dhënë për restaurimin e Bazilikës. Para mikrofonit të Radio Vatikanit, kardinali Tauran shpjegoi si Algjeria po rizbulon Kishën Katolike në historinë e vet:RealAudioMP3
Mendoj se është një shenjë e pjekurisë së madhe, sepse populli përvetëson historinë e vet. Atje, sigurisht, të krishterët ishin të pranishë para islamit dhe ata e kanë njohur këtë faqe të historisë së tyre. Kanë pranuar mbi të gjitha se Agostini ishte algjerin... e çfarë algjerini!
Sa ndikim ka figura e Shën Agostinit për zhvillimin e dilogut ndërfetar?
Para së gjithash, Shën Agostini bashkon dy brigjet e Mesdheut; është mendimtar, zheni. Ka pak njerëz me ato përmasa. Ajo që më ka bërë përshtypje gjithmonë është se ka shkruar disa nga faqet më të bukura të teologjisë, kur qyteti i Hiponës ishte i rrethuar: ai kujdesej për refugjatët, në të njëjtën kjohë; ishte një bari që e ndiqte jetën e përditshme të besimtarëve të vet. Do të thosha se kontributi i madh i Agostinit është ky: se feja nuk është në kundërshtim me arsyen.
Çfarë mesazhi i çon Algjerisë nga Papa Françesku?
Letra që më ka drejtuar Papa flet për dialogun ndërfetar – kuptohet – dhe për mirënjohjen e Kishës Katolike për mirëkuptimin dhe bujarinë, edhe të myslimanëve, sepse autoritetet kanë bashkëpunuar edhe ekonomikisht për restaurimin e kësa kishe të bukur.
Çfarë përfaqëson Bazilika e Shën Agostinit në një vend kryesisht mysliman?
U kujton të gjithëve, mendoj, se jemi krijuar për të parë Hyjin: e kjo është një shenjë shumë e fuqishme, mbi të gjitha në një vend mysliman, ku lutja luan një rol të rëndësishëm. Myslimanët luten disa herë në ditë, në publik – privatisht, por edhe publikisht – prandaj është mirë që edhe të krishterët, me anë të madhështisë së kësaj kishe, të kujtojnë se edhe ne e lavdërojmë Zotin, Hyjin e vetëm, dhe se kryejmë me besnikëri detyrat tona.
Sipas jush, sa rëndësi kanë shtegtimet e të krishterëve në Algjeri, në ato vende ku mbijetojnë ende dëshmitë e Kishës?
Unë personalidht besoj shumë në këto gjeste të vogla të jetës së zakonshme, pra edhe në vlerën e shtegtimeve, sepse thurin marrëdhënie njerëzore shumë më të thella sesa shkëmbimet tregtare apo turistike. E aty unë mendoj se Kishat tona duhet të rrinë gjithmonë hapur, për të pritur ata që kërkojnë pak qetësi për të menduar, për t’u lutur, për t’u kujtuar qytetarëve se njeriu nuk jeton vetëm me bukë...
Në çfarë mënyre mund të ndihmojë Këshilli Papnor, që ju drejtoni, në rritjen e dialogut ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve në Algjeri?
Këshilli Papnor ka si synim të përkrahë dhe të bashkërendojë nismat, sepse ne kemi kontakte kryesisht me Konferencat Ipeshkvore, me ipeshkvinjtë vendorë. Dialogu nuk bëhet në Vatikan, por në terren, pra në Algjeri, nëpër famulli, dhe ky dialog i jetës është shumë i rëndësishëm: bashkëjetesa, duke u ballafaquar me të njëjtat probleme, me të njëjtat vështirësi, si besimtarë... Dhe unë mendoj se ky spontanitet në marrëdhënie është baza e çdo dialogu. Dialogu ndërfetar mbështetet gjithmonë mbi miqësinë: duhet të njihemi, të duhemi dhe të bëjmë një copë rrugë bashkë.
Bazilika e Shën Agostinit në Anabë është si një fanar për qytetin, aty mbi kodër. Çfarë domethënieje ka për algjerinët e sotëm?
Se fetë nuk janë një rrezik, por, përkundrazi, janë burim paqeje e bashkëjetese vëllazërore. Prandaj, kjo bazilikë kujton se nuk ka një të ardhme përveç të ardhmes së pranuar bashkarisht.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama