HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-02 14:20:11
A+ A- Printo artikullin



Papa: paratë të mos e ndotin futbollin. Lojtarëve: të jeni sportivë, të rinjtë ju shohin



Faktori ekonomik të mos e shtypë përmasën festive të futbollit e lojtarët të jenë vërtet sportivë, të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë, që mbart mbi vete fama. Këto dy këshilla u dha Papa Françesku drejtuesve të Federatës Italiane të Futbollit dhe skuadrave të Fiorentinës e të Napolit, që i priti në audiencë në prag të finales së Kupës së Italisë, e cila do të luhet nesër mbrëma në Stadiumin Olimpik të Romës. E Papa kujtoi fëmijërinë:
“Si fëmijë, kam shkuar disa herë në stadium e kam kujtime të mira. Kam shkuar vetëm e me familjen. Çaste të gëzuara, të dielën, së bashku me familjarët. Uroj që futbolli e çdo sport tjetër shumë popullor të rizbulojë përmasën e festës. Sot, edhe futbolli lëviz brenda një xhiroje të madhe biznesi, për shkak të reklamës, të televizionit, etj., etj.. Por faktori ekonomik nuk duhet të mbizotërojë mbi atë sportiv, sepse rrezikon të ndotë gjithçka, si në nivelin ndërkombëtar e kombëtar, ashtu edhe në atë lokal”.
Duhet reaguar pozitivisht e nga lart, theksoi Ati i Shenjtë, i cili i ftoi drejtuesit e lojtarët ta ndjejnë përgjegjësinë e rikthimit të dinjitetit sportiv në ndeshjet e futbollit:
“Jeni në qendër të vëmendjes e shumë prej admiruesve tuaj janë të rinj, ose shumë të rinj; kijeni parasysh këtë, mendoni se sjellja juaj ka rezonancë, për mirë ose për keq. Të jeni gjithnjë sportivë të vërtetë!”.
Mendimi i fundit, për sportin në përgjithësi. Ai, nënvizoi Papa Françesku, ka në vetvete një vlerë të madhe edukative, ndikon në mirërritjen e njeriut:
“Zhvillim personal, me trupin e shpirtin në harmoni, dhe zhvillim shoqëror, me solidaritet, me besnikëri e me respekt. Futbolli çoftë gjithnjë përpara këtë potencialitet! Punë të mbarë të gjithëve e nesër mbrëma, qoftë një festë e bukur sportive. Këtë ju uroj”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama