HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-05-02 13:44:39
A+ A- Printo artikullin



Papa: qaj për të krishterët e kryqëzuar që, edhe sot, vriten në emër të Zotit



Edhe sot ka shumë “zotërues të ndërgjegjeve”: në disa vende, ka edhe nga ata, që mbysin, në emër të Zotit, e edhe nga ata, që e mbyllin njeriun në burg, vetëm sepse ka me vete një Ungjill a një kryq. E pohoi Papa Françesku, sot paradite, gjatë Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Papa tregoi se iu mbushën sytë me lot, kur mësoi se disa të krishterë janë kryqëzuar, këto ditë.
Në qendër të homelisë së Papës, Ungjilli i shumëzimit të bukëve e peshqve dhe leximi, shkëputur nga Veprat e Apostujve, në të cilin dishepujt e Jezusit fshikullohen me kamxhik nga Sinedri. Papa Françesku propozoi tri ikona: e para, dashuria e Jezusit për njerëzit, vëmendja për problemet e tyre. Zoti, vërejti Papa, nuk shqetësohet për të ditur kush janë ata, që po e ndjekin. As nëpër mend nuk i shkon të bëjë ndonjë farë regjistrimi, për të parë nëse Kisha është shtuar me ndjekës të rinj. Jo! Ai flet, predikon, do, shoqëron, bën udhë me njerëzit, gjithnjë zemërbutë e i përvujtë. E flet me autoritet, me forcën e dashurisë.
Ikona e dytë është xhelozia e ndezur e autoriteteve të kohës. Nuk mund ta duronin Krishtin, pohoi Papa, i grinte xhelozia, kur shikonin se njerëzit shkonin pas Jezusit. E kishin zili, ishin xhelozë. Sjellje e shëmtuar, kjo. Nga xhelozia, arrinin në zili. E ne e dimë se babai i zilisë, është vetë djalli, nga i cili hyri zilia në botë. Këta njerëz, vijoi të shpjegonte Papa Françesku, e dinin mirëfilli kush ishte Jezusi: e dinin! Ishin po ata, që kishin paguar rojën për të dëshmuar se Apostujt e kishin vjedhur korpin e Jezusit:
Kishin paguar, për t’ia mbyllur gojën së vërtetës. Po njerëzit qenkan të këqinj, me të vërtetë! Sepse kur paguajmë për të fshehur të vërtetën, kjo është ligësi vërtet e madhe. E, prej këndej, njerëzia e dinte kush ishin këta soj njerëzish. Nuk i ndiqnin. I duronin mbi kokë, vetëm sepse kishin autoritet; autoritetin e kultit, të disiplinës kishtare të asaj kohe, autoritetin mbi popullin. Jezusi ua thotë ndër sy të vërtetën. U kujton se i ngarkojnë besimtarët me barrë të rënda e i bëjnë t’i mbartin mbi shpinë. Këta soj njerëzish, nuk mund ta honepsin butësinë e Jezusit, nuk mund ta lejojnë butësinë e Ungjillit, nuk e tolerojnë dashurinë. E, paguajnë, të shtyrë nga zilia, nga urrejtja”.
Gjatë mbledhjes së sinedrit, ndërmjet ziliqarëve është edhe një njeri i urtë, Gamalieli, që i fton krerët fetarë t’i lirojnë apostujt. Kështu, pohoi Papa, janë këto dy ikona të para: Jezusi, që preket në shpirt, duke parë njerëzit si grigjë pa bari, e autoritetet fetare:
“Këta, me manovrat e tyre politike, me manovrat kishtare, kujdesen veç për të vijuar sundimin mbi kurriz të popullit… E kështu i sollën aty Apostujt, pasi foli ky njeri i urtë, i thirrën apostujt, i shtruan në kamxhik e u dhanë urdhër të mos guxonin më të flisnin në emër të Jezusit. Pastaj i lanë të lirë. ‘Sepse, diçka u duhej bërë, menduan, e u dhanë një dru të mirë, për t’i lënë më pas, të lirë’. E padrejtë kjo, po ata e bënë. Ishin zotër të ndërgjegjeve e mendonin se kishin pushtet të bënin ç’të donin. Zotër të ndërgjegjeve. Edhe sot në botë ka njerëz të tillë… e janë shumë”.
Unë, tha në vijim Ati i Shenjtë, qava, kur pashë në mjetet e komunikimit lajmin e të krishterëve të kryqëzuar, në një vend jo kristian. Edhe sot, nënvizoi me forcë, ka njerëz të tillë që, në emër të Zotit, vrasin e persekutojnë. Por edhe sot, shikojmë shumë që, ashtu si apostujt, gëzohen, kur gjykohen të denjë për të pësuar poshtërime për emrin e Jezusit. Kjo, pohoi, është ikona e tretë e sotme. Gëzimi i dëshmimit:Ikona e parë: Jezusi me njerëzit, dashuria, udha, që na mësoi Ai vetë, në të cilën duhet të shkojmë. Ikona e dytë: hipokrizia e prijësve fetarë të popullit, që e kishin rënduar popullin me gjithfarë urdhërimesh, me gjithë atë mori ligjesh të akullta, të ashpra e që arrijnë deri në atë pikë, sa të paguajnë për të fshehur të vërtetën. Ikona e tretë: gëzimi i martirëve të krishterë, gëzimi i shumë vëllezërve e motrave tona, që e provuan, në rrjedhë historie, këtë gëzim, këtë lumni, ndërsa gjykoheshin të denjë për të pësuar poshtërime, në emër të Jezusit. E sot janë shumë! Mendoni se në disa vende, vetëm pasja e një Ungjilli, të çon në burg. Ti nuk duhet ta mbash as kryqin; të bëjnë të paguash gjobë. Po zemrën e ke plot me gëzim. Tri ikona: t’i shikojmë mirë sot. Janë pjesë e historisë sonë të shëlbimit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama