HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-06 12:03:45
A+ A- Printo artikullin



Jezusi, e reja që përtërin gjithçka



Jemi gjithnjë më kapitullin e dytë të Ungjillit sipas Markut dhe sot do të lexojmë vargjet 18-22, ku disa vetë i afrohen Jezusit dhe e pyesin: “Pse nxënësit e Gjonit dhe nxënësit e farisenjve agjërojnë, ndërsa nxënësit e tu nuk agjërojnë?”.RealAudioMP3 Në traditën hebraike, agjërimi tregon vullnetin e njeriut për t’u lidhur ngusht me Hyjin në lutje, duke lënë pas dore nevojat e trupit. Edhe Jezusi vetë e filloi predikimin pasi kishte agjëruar dyzet ditë dhe pasi ishte përballur me tunduesin. Si nga tradita hebraike, ashtu edhe nga Besëlidhja e Re, mësojmë se shoqërimi i lutjes me agjërimin e pasuron jetën shpirtërore të besimtarit dhe nxjerr në pah lirinë nga gjërat e kësaj bote. Jezusi nuk e hedh poshtë agjërimin, përkundrazi, i porosit të vetët ta zbatojnë këtë praktikë fetare me kujdesin për të mos u dukur para njerëzve, sepse agjërimi ka vlerë vetëm në marrëdhënie me Hyjin: “Kur të agjëroni – i porosit Jezusi nxënësit në Ungjillin sipas Mateut – mos u ngrysni, si shtiracakët, që e shtrembërojnë fytyrën për t’u treguar njerëzve se po agjërojnë. Ti përkundrazi, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë dhe laje fytyrën, që njerëzit të mos e shohin se po agjëron, por vetëm Ati yt, që është në fshehtësi” (Mt 6,16).
Megjithatë, Ungjilli sipas Markut na tregon se Jezusi dhe nxënësit e tij nuk morën pjesë në një agjërim që po bënin nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë. Nuk e dimë me çfarë qëllimi ishte shpallur ai agjërim, por dimë përgjigjen e Jezusit për mospjesëmarrjen e nxënësve: “A mund të agjërojnë, vallë, të ftuarit në dasëm, kur dhëndrri është me ta? Derisa ta kenë dhëndrrin me vete, nuk mund të agjërojnë, por do të vijnë ditët, kur dhëndrri do t’u hiqet, e atëherë do të agjërojnë” (Mk 2,19-20).
Jezusi flet për bashkësinë e nxënësve të tij si bashkësi festive dhe ai vetë është arsyeja e festës. Ai është dhëndrri hyjnor që e sjell Hyjin afër në një mënyrë krejt të re, sepse është vetë Hyj. Mënyra e vjetër e traditës hebraike dhe e riteve fetare tejkalohet në Krishtin. Kush e pranon Jezusin me fe dhe e ndjek me jetë, përtërihet tërësisht, prandaj nuk ka më vend për të vjetrën. Jezusi nuk e arnon njeriun dhe jetën e tij shpirtërore, por e bën krijesë të re, brenda së cilës hedh verën e hyjnisë, Shpirtin e Shenjtë të Hyjit: “Askush nuk e qep një arën të ri në një rrobë të vjetër, se arni i ri e gris të vjetrin dhe grisja bëhet më e madhe. E askush nuk derdh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i pëllcet kacekët dhe humbin edhe vera edhe kacekët, prandaj: verë e re në kacekë të rinj” (Mk 2,21-22).
Jezusi nuk e shfuqizon agjërimin, por tregon se agjërimi i krishterë është i ri, sepse është i lidhur me Krishtin: “Do të vijë dita kur do t’ua heqin dhëndrrin” – thotë. Ajo ditë nuk është vetëm dita e kryqëzimit të Jezusit, por të gjitha herët kur bashkësia e nxënësve, që është nusja, dhe secili anëtar i bashkësisë nuk i rri besnik dhëndrrit hyjnor. Megjithatë, lidhja me Krishtin është e pazgjidhshme, sepse “edhe nëse ne nuk jemi besnikë, ai mbetet besnik” (2Tim 2,13).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama