HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-06 14:33:02
A+ A- Printo artikullin



Kisha e Bathores i kushtohet Shën Gjon Palit II



Të shtunën më 3 maj, gjashtë ditë pas kanonizimit të Gjon Palit II në Vatikan, Papës shenjtor iu kushtua kisha e re e famullisë së Bathores, në kryedioqezën Tiranë-Durrës. Në kremtimin madhështor, kryesuar nga kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, bashkëkremtuar nga Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Ramiro Moliner Ingles dhe Administratori Apostolik i Maçeratës, Imzot Claudio Giuliodori, bashkë me rreth pesëdhjetë meshtarë, morën pjesë besimtarët e shumtë të bashkësisë katolike të Bathores, në festë.
Gjatë homelisë së mbajtur me këtë rast, Imzot Mirdita kujtoi gjallërinë që shfaqi Kisha shqiptare gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II: “Ajo kishë e fshehur thellë në shpirtrat e njerëzve për dhjetra vjet – tha kryeipeshkvi – u dëftua e ringjallur dhe e bukur, e përflakur nga dashuria dhe e ndezur me shpresë, para shoqërisë shqiptare dhe para mbarë botës, më 25 prill 1993, kur në tokën tonë shkeli pasardhësi i shën Pjetrit, Shën Gjon Pali II”.
Famullia e Bathores gjendet në periferinë veriore të kryeqytetit dhe numëron rreth shtatëmijë katolikë, të cilët janë zhvendosur nga qytetet dhe fshatrat veriore të Shqipërisë. Për ndërtimin e kishës së gjallë dhe asaj prej guri, është angazhuar me përkushtim Don Patrizio Santinelli, meshtar fidei donum nga dioqeza e Maçeratës dhe famullitar i Kishës kushtuar Gjon Palit II. Atij iu drejtua edhe falënderimi kryesor i kryeipeshkvit, i cili tha: “Kjo kishë e dukshme dhe e bukur, që sot po ia kushtojmë Hyjit, fryt i angazhimit tënd të palodhur, është shprehje e Kishës së padukshme, që ti ke ndërtuar me durim e përkushtim në shpirtrat e banorëve të Bathores, me anë të predikimit, të sakramenteve dhe të veprave të dashurisë. Jam i sigurt se Hyji ta ka shpërblyer mundin, duke e mbushur zemrën tënde me gëzim e hare.”
Ta dëgjojmë Don Patrizion në mikrofonin tonë...RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama