HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-08 09:51:13
A+ A- Printo artikullin



Evangelii Gaudium (XVII)



Kapitulli i pestë dhe i fundit i thirrjes apostolike Evangelli Gaudium, i Papës Françesku, i kushtohet ungjillëzimit me Shpirtin e Shenjtë.RealAudioMP3 Në Rrëshajë, shkruan Papa, “Shpirti i shtyn apostujt të dalin nga vetvetja dhe i shndërron në lajmëtarë të madhështisë së Hyjit, të cilën secili fillon ta kuptojë në gjuhën e vet” (n. 259). Me fjalën “shpirt”, shpjegon më tej, nënkuptohet fryma që gjendet brenda njeriut, që e shtyn, e motivon, e inkurajon dhe u jep kuptim veprimeve vetjake dhe të përbashkëta. Ungjillëzuesi nuk mund të jetë i ngrysur dhe i kënaqur, por i hareshëm, plot guxim e dashuri dhe i aftë të jetojë në mënyrë shembullore.
“Ungjillëzues me Shpirtin e Shenjtë – shkruan Papa – do të thotë ungjillëzues që luten e punojnë” (n.262). Duhet gjetur baraspesha ndërmjet lutjes dhe punës, për t’i dhënë formë të plotë veprës ungjillëzuese. Strehimi vetëm në lutje apo arratisja në punë janë veprime të pjesshme, që mund t’u interesojnë vetëm grupeve të vogla dhe nuk kanë forcë të madhe depërtuese. Nganjëherë vërehet prirja për t’u ankuar se kohët janë të vështira dhe se shpallja e Ungjillit has në vështirësi të mëdha, “megjithatë duhet të pranojmë se konteksti i Perandorisë romake nuk ishte i përshtatshëm për shpalljen e Ungjillit, as për luftën për drejtësi, as për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor” (n. 263).
Ungjillëzimi zë fill tek takimi me Jezusin, i cili na jep dashurinë e tij dhe na bën të përjetojmë shpëtimin, i cili na shtyn ta duam edhe më shumë. Dashuria e tij përjetohet duke ndenjur nën shikimin e tij, prandaj është e rëndësishme ta lejojmë Jezusin e kryqëzuar të na shikojë, në mënyrë që ai “ta prekë ekzistencën tonë dhe të na shtyjë ta dhurojmë jetën e re që na jep” (n. 264).
“Tërë jeta e Jezusit flet për jetën tonë personale” – shkruan Papa. “Sa herë kthehemi dhe e zbulojmë, bindemi se pikërisht kjo gjë është ajo për ët cilën kanë nevojë të tjerët, edhe pse nuk janë të vetëdijshëm” (n. 265). Ungjilli u përgjigjet nevojave më të thella të njeriut, prandaj duhet të jemi gjithmonë të bindur se duke e shpallur lajmin e mirë, nuk do të zhgënjejmë asnjë njeri, sepse takimi me Krishtin i jep kuptim jetës së të gjithëve: “Kemi një thesar jete dhe dashurie, që nuk mund të mashtrojë, kemi mesazhin, që nuk mund të manipulojë, as të gënjejë” (n. 265). Vetëm nëse e përjetojmë vetë këtë të vërtetë, mund t’ua dëshmojmë në mënyrë bindëse edhe të tjerëve. Ky përjetim është i mundur nëse bëhemi nxënës të Jezusit: “Misionari i vërtetë nuk reht kurrë së qeni nxënës, e di se Jezusi ecën me të, flet me të, merr frymë me të, punon me të. E ndjen Jezusi të gjallë bashkë me të, në mes të punës misionare” (n. 266).
Përveç afërsisë me Jezusin, duhet të kujdesemi edhe për afërsinë me njerëzit, me popullin: “Për të qenë ungjillëzues të vërtetë duhet të zhvillojmë edhe shijen shpirtërore të qendruarit pranë jetës së njerëzve, deri në pikën në të cilën zbulojmë se kjo bëhet burim i një gëzimi të epërm. Misioni është pasion për Jezusin, por, në të njëjtën kohë, është pasion edhe për popullin e tij” (n. 268). Para shikimit të Jezusit, kuptojmë se ai vështron edhe përtej nesh dhe përqafon mbarë njerëzimin, prandaj nuk mund të mos e vëmë re se ai dëshiron të na përdorë ne, për t’i ndenjur afër popullit të vet të dashur. Modeli i afërsisë me popullin është Jezusi vetë, i cili rrinte me mëkatarët, pa u shqetësuar për gjykimet e të tjerëve: “Jezusi dëshiron që ne ta prekim mjerimin njerëzor, që ta prekim mishin e vuajtur të të tjerëve” (n. 270).
Edhe kur na duhet të japim arsyet e fesë sonë, duhet të jemi të kujdesshëm, që të mos i shohim të tjerët si armiq, kundër të cilëve duhet të drejtojmë gishtin. Besëlidhja e Re është plot me shembuj, që na tregojnë se apostujt veprojnë dhe na porosisin të veprojmë “me ëmbëlsi e respekt” (1Pj 3,16).
Nëse shtysa jonë misionare vjen nga dashuria për njerëzit, Hyji na bën të zbulojmë tek populli i tij fytyrën e vet të mrekullueshme: “Sa herë që takohemi me një qenie njerëzore me dashuri, vihemi në gjendje për të zbuluar diçka të re në lidhje me Hyjin. Sa herë që i hapim sytë për ta njohur tjetrin, ndriçohet edhe më shumë feja, për të njohur Hyjin. Si rrjedhojë e kësaj, nëse duam të rritemi në jetën shpirtërore, nuk mund të heqim dorë nga puna misionare” (n. 272). Veprimtaria misionare nuk është një petk që mund të veshim dhe të zhveshim, ajo është pjesë e qenies sonë. Duhe të arrijmë të themi: “Unë jam një mision mbë këtë tokë dhe për këtë arsye gjendem në këtë botë” (n. 273).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama