HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-05-09 15:11:57
A+ A- Printo artikullin



Françesku: shenjtorët nuk janë heronj, por mëkatarë të përvuajtur, që e lënë Jezusin t’i shenjtërojë



Shenjtorët nuk janë heronj, por mëkatarë, që e ndjekin pas Jezusin në udhën e përvujtërisë e të kryqit, kështu e lënë veten në duart e tij, që t’i shenjtërojë. Sepse askush nuk mund ta shenjtërojë vetveten. Ky, thënë me dy fjalë, ishte lajtmotivi i homelisë së sotme, mbajtur nga Papa Françesku gjatë Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Duke u nisur nga Leximi i parë, që përshkruan kthimin e Shën Palit i cili, nga armik i Kishës, u bë shenjt, Papa Françesku shpjegoi ç’ kuptim ka shprehja “Kisha është e shenjtë”:
“Po si mund të jetë e shenjtë, nëse të gjithë jemi brenda saj? Mëkatarë, të gjithë, këtu. E Kisha, shenjte! Ne jemi mëkatarë, po ajo është e shenjtë. Është nusja e Jezu Krishtit e Ai e do, Ai e shenjtëron, e shenjtëron ditë për ditë me flijimin e tij eukaristik, sepse e do me gjithë zemër. E ne jemi mëkatarë, por në një Kishë të shenjtë. E edhe ne shenjtërohemi me këtë përkatësi ndaj Kishës: jemi bij të Kishës e Kisha Nënë na shenjtëron, me dashurinë e saj, me Sakramentet e Dhëndrit të saj”.
Në letrat e tij, Shën Pali, kujtoi Papa, u flet shenjtorëve, na flet ne: mëkatarë, por bij të Kishës shenjte, të shenjtëruar përmes Korpit e Gjakut të Krishtit:
“Në këtë Kishë shenjte Zoti zgjedh disa njerëz, për ta vënë më në pah shenjtërinë, që ta shohin të gjithë se është Ai, që shenjtëron, se askush nuk mund ta shenjtërojë vetveten, se nuk mund të ketë asnjë lloj kursi, për t’u bërë shenjt, se të jesh shenjt, nuk do të thotë të bëhesh fakir a ndonjë gjë tjetër, sipas këtij stili… Jo! Nuk është kështu! Shenjtëria është dhuratë e Jezusit dhe e Kishës së Tij e, për ta vënë në pah këtë, Ai zgjedh njerëz, në të cilët duket qartë puna e tij për shenjtërim”.
Në Ungjill, vërejti Papa, ka shumë shembuj shenjtorësh: është Magdalena, nga e cila Jezusi nxori shtatë djaj; Mateu, që ishte tradhtar i popullit të vet, ia zhvaste paratë njerëzve të vet, për t’ua dhënë romakëve; është Xakeu e shumë e shumë të tjerë, që na tregojnë të gjithëve rregullën e parë të shenjtërisë; është e nevojshme që Krishti të rritet në ne, e ne të zvogëlohemi, ai të lartohet, e ne të poshtërohemi. Është rregulla e shenjtërisë; përulja jonë, që Zoti të rritet.
Kështu Krishti zgjedh Saulin, salvuesin e Kishës: po Zoti e pret! E pret e e bën ta ndjejë pushtetin e Tij. Sauli verbohet e bindet e nga i madh, që ishte, bëhet si fëmijë: bindet. Zemra e tij ndryshon krejtësisht, e me të, edhe jeta e tij. Po Pali nuk bëhet hero, shpjegoi Papa. Pikërisht ai, që predikoi Ungjillin në botën mbarë, e mbyll jetën me një grup të vogël miqsh, këtu, në Romë, viktimë e dishepujve të vet: një ditë, pa shkrepur ende agimi, në portën e tij trokasin 4-5 ushtarë, e marrin e ia presin kokën. Kaq. Asgjë më tepër. I mbaroi kështu ditët e veta, i madhi, që kishte predikuar në mbarë botën! U zvogëlua, u zvogëlua, u zvogëlua… Ndryshimi ndërmjet heronjve e shenjtorëve, pohoi në vijim Papa Françesku, është dëshmia, ngjasimi me Krishtin. Ecja pas Jezu Krishtit, në udhën e tij, udhë e kryqit. E shumë shenjtorë të tjerë përfundojnë përvujtërisht. Shenjtorët e mëdhenj! Që më sjellin në mend ditët e fundit të Gjon Palit II, vijoi Papa, duke u kujtuar të pranishmëve se këtë fund të Papës shenjt e panë të gjithë, sepse krejt pranë ditëve tona: “Nuk mundi më as të fliste, atleti i madh i Hyjit; luftëtari i madh i Hyjit mbaroi kështu: i asgjësuar nga sëmundja, i përvuajtur, si Jezusi. Kjo është udha, që përshkojnë të mëdhenjtë. E është edhe udha nëpër të cilën përshkohet shenjtëria jonë. Nëse ne nuk e lëmë zemrën tonë të shndërrohet përmes udhës së Jezusit, e nuk e mbartim kryqin çdo ditë, kryqin e zakonshëm, të thjeshtë, e nuk e lëmë Jezusin të rritet, nëse nuk ecim nëpër këtë rrugë, nuk jemi të shenjtë. Po nëse e përshkojmë këtë udhë, ne të gjithë do të japim dëshmi për Jezusin, që na do aq shumë. Edhe pse jemi mëkatarë. Ne jemi mëkatarë, po Kisha, shenjte. Është Vasha e Jezusit!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama