HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-11 11:22:27
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 12 -18 maj



Më 12 maj përkujtohen Shën Nereu dhe Akuileu. Sipas traditës së përçuar nga Papa Damasi, ishin dy ushtarë, të cilët u kthyen në fenë e krishterë duke parë forcën e martirëve. U dënuan në Romë nën perandorin Dioklecian, u mbytën me shpatë dhe u varrosën në varrezat e Domitilës.

Më 13 maj përkujtohet Zoja e Fatimës, e cila iu duk për herë të parë tre barinjve të vegjël pikërisht në këtë datë, më 1917. Zoja iu duk gjashtë herë Luçisë së Jezusit, Françeskut dhe Gjaçintës dhe u la një mesazh për mbarë njerëzimin. Ipeshkvi i Leirisë, në letrën baritore me rastin e mbylljes së pesëdhjetëvjetorit të dukjeve të Zojës, pohoi se mesazhi i Fatimës “përmbledh një përmbajtje doktrinore aq të gjerë, sa mund të pohohet me siguri se nuk i shpëton asnjë temë themelore e fesë sonë të krishterë…”.

Më 14 maj përkujtohet Shën Matia Apostull. Për Matinë flitet në kapitullin e parë të Veprave të Apostujve, kur e thërrasin për të plotësuar numrin dymbëdhjetë, duke zëvendësuar, kështu, Judën Iskariot. E zgjedhin me short, ndër dy kandidatët që kishin qenë nxënës të Jezusit qysh nga pagëzimi në lumin Jordan. Tjetri ishte Jozefi, i quajtur Barsaba. Pas Rrëshajëve Matia fillon të predikojë, si të gjithë apostujt e tjerë. Nuk kemi lajme të sakta për mënyrën dhe vendin e vdekjes së tij. Tradita thotë se u martirizuan në Jeruzalem dhe se më vonë Shën Helena, nëna e perandorit Kostandin, e mbarti trupin e tij në Trier, ku nderohet edhe sot.

Më 15 maj përkujtohet Shën Izidori, bujk. U lind në Madrid rreth vitit 1070 dhe u largua nga shtëpia shumë i ri, për të punuar si bujk. Falë punës së tij, fushat, që deri atëherë prodhonin pak, u bënë shumë pjellore. Merrte pjesë në meshë çdo ditë dhe i kushtonte aq shumë kohë lutjes, saqë disa nga bashkëpuntorët e paditën se i hiqte kohën punës. Kur Madridin e pushtuan Almoravidët, u zhvendos në Torrelaguna, ku u martua me një grua me emrin Mari. Familja e Izidorit dhe e Marisë ishte strehë e sigurtë për të varfërit. Asnjë i varfër nuk u largua nga shtëpia e tij pa një lëmoshë. Vdiq më 15 maj 1130 dhe turpi i tij ruhet në kishën e Shën Andresë në Madrid.

Më 16 maj përkujtohet i Lumi Vladimir Gjika. U lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik. Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare. Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Më 17 maj përkujtohet Shën Pjetër Liu Venjuan, katekist kinez i martirizuar në vitin 1834 për shkak të fesë në Krishtin.

Më 18 maj është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama