HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-05-11 14:36:10
A+ A- Printo artikullin



Papa shuguron 13 priftërinj: jini të mëshirshëm, Jezusi erdhi për të falur, jo për të dënuar



“Jini të mëshirshëm, pa u lodhur kurrë”. Është porosia e Papës Françesku në Meshën, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë së cilës shuguroi 13 priftërinj të rinj. Ndërmjet tyre, 13 italianë, 4 me origjinë nga Amerika Latine, një nga Pakistani, një nga Koreja e Jugut, një nga Vietnami. Në Ditën Botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, Papa Françesku kërkoi aftësinë e faljes, duke nënvizuar se meshtarët nuk janë padronë të doktrinës, por besnikë ndaj saj. Françesku shprehu dhimbjen për të gjithë ata që, në Rrëfim, ndjejnë sesi u mbyllen portat e Kishës në fytyrë. RealAudioMP3

“Shëmbëllesë e Krishtit, Kryemeshtar i Amshuar!”. Kështu e fotografoi Françesku misionin e meshtarëve. Për t’i porositur, pastaj, të jenë shembëlltyrë e mëshirës së Hyjit:
Këtu dua të ndalohem e t’ju kërkoj, pash dashurinë e Jezu Krishtit: mos u lodhni kurrë së qeni të mëshirshëm! Ju lutem! Kijeni aftësinë e faljes, që pati vetë Zotit, i cili nuk erdhi të dënojë, por të falë! Kini mëshirë, shumë! E nëse nisni të dyshoni se jeni tepër falës, mendoni për atë meshtarin shenjt, për të cilin ju fola, që shkonte para tabernakullit e thoshte: ‘Më fal, o Zot, se kam falur edhe shumë. Po je ti vetë që ma dhe këtë shembull ‘të keq’!’ Kështu është…”.
Pastaj Papa u rikthye tek përgjegjësia e Rrëfimit:
Po unë po ju them se më dhemb shumë, kur gjej njerëz, që nuk shkojnë më të rrëfehen, sepse janë sulmuar keqas, kanë dëgjuar britma e kanë parë sesi portat e Kishës u mbylleshin në fytyrë! Ju lutem, mos bëni kështu: mëshirë, mëshirë! Bariu i Mirë hyn nga porta, e porta janë plagët e Zotit; nëse ju nuk hyni në shërbimin tuaj meshtarak nga plagët e Zotit, nuk jeni barinj të mirë!”.
Predikatarë të Ungjillit, barinj të popullit të Hyjit e prijës të sjelljeve të kultit, posaçërisht në flijimin e Zotit, këta janë meshtarët. Papa e kujtoi, duke vënë theksin mbi ushtrimin e ministerit të doktrinës shenjte, për të nënvizuar, më tej:
“Të jetë, prandaj, ushqim për popullin e Zotit, doktrina juaj, që nuk është juaja e ju nuk jeni padronë të doktrinës! Është doktrina e Zotit! E ju duhet të jeni besnikë ndaj Doktrinës së Zotit! Të jetë, prandaj, ushqim për popullin e Zotit doktrina juaj. Gëzim e mbështetje për besimtarët në Krishtin, parfum i jetës suaj, e kështu, me fjalë e me shembull ta ndërtoni shtëpinë e Zotit, që është Kisha”.
Pjesëmarrës në misionin e Krishtit që, nënvizoi Françesku, është Mësuesi i vetëm. Shpërndajuani të gjithëve këtë fjalë të Hyjit, tha akoma, që ju vetë e morët me gëzim nga nënat tuaja, nga katekistët. E këtu, një porosi:
“Lexojeni e meditojeni me zell Fjalën e Zotit, për ta besuar atë, që lexuat; për ta mësuar, atë që morët nga feja; për ta jetuar, atë, që mësuat”.
E pastaj, ftesa për besnikëri ndaj Fjalës:
“Vlerësojeni, atë që bëni; imitojeni, atë që kremtoni”.
E edhe një nxitje tjetër, më pas:
“E mendoni atë që thoshte Shën Agostini për barinjtë, të cilët kërkonin t’i pëlqenin vetvetes e i përdornin delet e Zotit për sofrat e për petkat e tyre, për t’u veshur me madhështi, për një shërbim, që nuk dihej nëse ishte i Zotit. Së fundi, duke marrë pjesë në misionin e Krishtit, Krye e Bari, në bashkim vëllazëror me ipeshkvin tuaj, impenjohuni t’i mblidhni besimtarët në një familje të vetme për t’u prirë kah Hyji Atë, përmes Krishtit, në Shpirtin Shenjt. Ta keni gjithnjë parasysh shembullin e Bariut të mirë, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të shpëtuar atë, që ishte e humbur!”.Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, pastaj, Papa komentoi faqen ungjillore të së Dielës IV të Pashkëve, kujtoi Ditën kushtuar thirrjeve meshtarke e rregulltare dhe i ftoi të gjithë të ecin në gjurmët e Krishtit, Bariut të Mirë.







Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama