HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-13 16:10:13
A+ A- Printo artikullin



E shtuna për njeriun



Jemi në fund të kapitullit të dytë të Ungjillit sipas Markut dhe Jezusi është përsëri në udhë me nxënësit. Nga tregimi i Markut mund të kuptojmë se nxënësit ndjehen të lirë me Jezusin dhe sillen tashmë sipas frymës së tij. Ata e dinin rëndësinë e së shtunës, por këpusin kallinjtë e grurit pa frikë se po thyenin ligjin e Moisiut. Nga i njëjti tregim mësojmë se Jezusi dhe nxënësit janë nën vëzhgimin e autoriteteve fetare të Izraelit, të cilët e pyesin Mësuesin “pse [nxënësit] bëjnë çfarë nuk lejohet të shtunën” (Mk 2,24).RealAudioMP3
E shtuna është dita e fundit e krijimit të botës, në të cilën Hyji reshti së krijuari dhe pushoi. Njëri nga dhjetë urdhërimet, që mori Moisiu në malin Sinai, thotë: “Kujtohu ta shenjtërosh ditën e shtunë. Gjashtë ditë puno dhe kryej të gjitha punët e tua, kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd. Mos bëj kurrfarë pune ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji, që banon tek ti. Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë. Prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi” (Dal 20,8-11). Pushimi i së shtunës, sipas traditës biblike, duhet kuptuar si një shenjë e fortë e ngjashmërisë së jeriut me Hyjin. Kush nuk e shenjtëron të shtunën, bie në skllavërinë e gjërave të botës dhe humbet epërsinë që duhet të ketë njeriu mbi botën e krijuar. Puna është e lidhur me nevojën e njeriut për të jetuar në këtë botë, ndërsa pushimi është tregues i një nevoje të tjetër, që gjendet thellë brenda nesh: i nevojës për Hyjin.
Farisenjtë i kapin nxënësit e Jezusit duke bërë “punë” ditën e shtunë. Janë duke ecur me Jezusin nëpër arat me grurë dhe këpusin disa kallinj. “Pse bëjnë çfarë nuk është e lejueshme?” – e pyesin.
Jezusi i befason me përgjigjen e tij, jo vetëm sepse u citon rastin e Davidit nga Besëlidhja e Vjetër, por sepse paraqitet si ai që ka autoritetin e plotë për të shpjeguar kuptimin e të shtunës: “E shtuna u krijua për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën” (Mk 2,27). Jezusi e vendos njeriun edhe një herë në qendër të krijimit, aty ku njeriu kishte qenë para se të hynte mëkati në botë. “Biri i njeriut është Zot edhe mbi të shtunën” – shpall ai solemnisht, duke treguar kështu, se është vetë autori i ligjit dhe se ligji nuk është dhënë për të përligjur pushtetin fetar mbi ndërgjegjet e njerëzve, por për ta kthyer njeriun edhe një herë në qendër të krijimit. Kështu ai e përsos ligjin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama