HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-18 16:57:47
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 19 – 25 maj



19 maj përkujtohet shën Çelestini V, papë. Pjetri nga Morrone, meshtar, jetoi si vetmitar dhe themeloi Urdhrin “Vëllezërit e Shpirtit të Shenjtë”, anëtarët e të cilit më vonë u quajtën çelestinë. U zgjodh papë pak para se të mbushte 80 vjeç, pas një konklavi që zgjati dy vjet, dhe mori emrin Çelestini V. Njeri i shenjtë dhe i përshpirtshëm, u përball me interesat politike dhe ekonomike, në të cilat ishte përfshirë Kisha, në një kohë kur në punët e saj vinte dorë edhe Karli i Anzhuve. Sapo mori vesh që donin ta përdornin, hoqi dorë nga papnia dhe vdiq i mbyllur në kështjellën e Fumones. Dikur u gjykua rreptë nga Dantja, si “ai që për dobsi kreu t’randin mospranim”, sot nderohet si njeri me fe të jashtëzakonshme, me shpirt të fortë, me përvujtni e mençuri.

20 maj përkujtohet Shën Bernardini i Sienës. U shpall shenjt më 1450, gjashtë vjet pas vdekjes. Në moshën 22 vjeçare veshi zhgunin françeskan dhe luajti një rol të rëndësishëm për reformimin e urdhërit. Njihet si flamurtar i devocionit ndaj Emrit të shenjtë të Jezusit. Këtë emër e gdhendi në monogramën IHS, që ua jepte besimtarëve ta puthnin, në fund të predikimit. Qe i ashpër me “ata që mohojnë Hyjin për një thelb hudhre” dhe me ata të cilët ai i quante “ egërsira kthetërgjata, që u gërryejnë kockat të varfërve”.

21 maj përkujtohet Shën Kristofor Magelanes, meshtar, me shokët martirë, të cilët, në vende të ndryshme të Meksikës, të përndjekur për shkak të fesë dhe të përkatësisë në Kishën katolike, u vranë në fillim të shekullit XX nga regjimi antiklerikal.

22 maj përkujtohet shën Rita nga Kasha. Edhe pse ndjeu thirrjen rregulltare, e martuan me një burrë brutal e të dhunshëm, të cilin e ktheu në fe, por edhe e humbi, sepse e vranë për gjakmarrje. Dy bijtë u betuan se do t’ia merrnin gjakun dhe Rita, pasi nuk ua mbushi mendjen të hiqnin dorë nga ky synim, iu lut Hyjit t’ia merrte dy djemtë. Kjo gjë ndodhi dhe ajo hyri në kuvendin e murgeshave agostiniane të Shën Marisë Magdalenë. Aty jetoi shenjtërisht, me një devocion të veçantë për mundimet e Krishtit. Gjatë një ekstaze mori një stigmë(vrragë) në ballë, të cilën e mbarti derisa vdiq.

23 maj përkujtohet Shën Gilberti. Jetoi në shekullin X dhe, pasi braktisi jetën ushtarake dhe përqafoi jetën rregulltare, ndërtoi një kuvend në Zhamblu (Belgjika e sotme), në një pronë të vetën, ku iu kushtua lutjes dhe bashkësisë së murgjërve.

24 maj përkujohet Shën Vinçenci i Lerinit. Hyri në manastirin e Lerinit (Francë),
në moshë të pjekur, në shekullin V. Në atë qendër të rëndësishme të kulturës dhe të përshpirtërisë, shkroi “Commonitorium”, libërth shumë i rëndësishëm kundër herezive, si edhe disa vepra të tjera për kristologjinë dhe Trininë. Shkrimet e tij janë të njohura si për forcën e argumentit, ashtu edhe për elegancën stilistike, për qartësinë dhe saktësinë e mendimit.

25 maj është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama