HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-05-18 18:42:18
A+ A- Printo artikullin



Papa në lutjen Mbretëreshës Qiellore: përgojimet nuk sjellin harmoni



“Konfliktet në Kishë zgjidhen duke u ballafaquar, duke diskutuar, duke u lutur”. Kështu u shpreh sot Papa Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Papa, pastaj, u lut për popullsitë e dëmtuara nga përmbytjet në Ballkan dhe kujtoi se dje, në Rumani, u shpall i Lum ipeshkvi Anton Durkoviçi, martir i fesë. RealAudioMP3

Duke u ballafaquar, duke diskutuar, duke u lutur: kështu zgjidhen konfliktet në Kishë. E theksoi Papa Françesku, në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore:
“Duke u ballafaquar, duke diskutuar, duke u lutur! Të sigurt se përgojimet, zilitë, xhelozitë, nuk mund të sjellin kurrë pajtim, harmoni, as paqe”.
Në këtë udhë mund të na shndrisë dhurata e Shpirtit Shenjt, që të dimë ta nderojmë njëri-tjetrin e të bashkohemi gjithnjë më shumë në fenë e në dashurinë e krishterë, me zemër të hapur për nevojat e vëllezërve:
“Kur ia lëmë udhëheqjen Shpirtit Shenjt, Ai na çon drejt harmonisë, unitetit, respektimit të dhuratave e talenteve të ndryshme. A e kuptuat mirë? Të marrin fund përgojimet, fund zilitë, fund xhelozitë”.
Nga ana tjetër, kujtoi Ati i Shenjtë, edhe në Kishën e zanafillës nuk mungonin tensionet e mosmarrëveshjet, siç ndodh edhe sot në famullitë tona:
Në jetë nuk mungojnë konfliktet, problemi është si përballohen!”.
Kur bashkësia e parë e krishterë, e përbërë nga njerëz të një kulture e të një etnie të vetme, asaj judaike, nisi të zgjerohej, duke ua hapur portat mjediseve kulturore greke, në gjirin e krishterimit, që për vullnet të Jezusit, u përket mbarë popujve, lindën vështirësitë e para: pakënaqësitë, ankimet, zërat, që i kundërviheshin njëri-tjetrit lidhur me ndihmën ndaj njerëzve të varfër. Atëherë Apostujt bënë një mbledhje të zgjeruar, ku merrnin pjesë edhe dishepujt, për të diskutuar së bashku, të gjithë:
Problemet nuk zgjidhen duke u mbuluar, duke bërë sikur nuk ekzistojnë! E është gjë e bukur kur ballafaqohen haptas barinjtë e besimtarët e tjerë”.
Rezultati ishte ndarja e detyrave. Apostujt vendosën t’i kushtohen lutjes dhe shërbimit të Fjalës së Zotit, ndërsa shtatë njerëz, diakonë, shërbimit të sofrave për të varfërit: këta u zgjodhën, sepse njerëz të ndershëm, me emër të mirë, përplot me Shpirtin Shenjt e me urti.
Pas kremtimit të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi përmbytjet e mëdha, që dëmtuan rëndë zona të tëra të Ballkanit, posaçërisht të Serbisë e të Bosnjë-Hercegovinës:
Ndërsa ia besoj Zotit viktimat e kësaj fatkeqësie natyrore, u shpreh afërsinë time personale të gjithë atyre, që po jetojnë orë ankthi e trazire”.
Më pas Papa kujtoi se dje, në Rumani, u shpall i Lum ipeshkvi Anton Durkoviçi, martir i fesë. I persekutuar nga regjimi komunist rumun, shpjegoi Papa, vdiq në burg nga etja e uria, në vitin 1951:
Së bashku me besimtarët e Jashit e dhe të mbarë Rumanisë, falënderojmë Zotin për këtë shembull”.
Duke përshëndetur rreth 50 mijë besimtarët dhe shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa inkurajoi, më në fund, shoqatat e vullnetariatit, në Ditën kushtuar të sëmurit onkologjik dhe u lut për të sëmurët e familjet e tyre.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama