HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-19 15:37:38
A+ A- Printo artikullin



AIF: bën përparime IOR, më shumë sinjalizime për transaksione të dyshimta



U paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Raporti i dytë vjetor i Autoritetit të Informacionit Financiar (AIF) të Selisë së Shenjtë. Dokumenti, që i referohet vitit 2013, ka të bëjë me veprimtarinë e informacionit financiar dhe të mbikqyrjes për parandalimin dhe luftën kundër riciklimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Është rritur numri i sinjalizimeve për transaksione të dyshimta, të cilat nga 6, që ishin në vitin 2012, kanë kaluar në 202, në vitin e kaluar. Gjithashtu, është realizuar inspektimi i parë i jashtëzakonshëm i IOR-it (Institutit për Veprat fetare), i cili dëshmon se ky institucion, i njohur si Banka e Vatikanit, ka bërë përparime thelbësore. Raporti u paraqit nga drejtori i AIF-it, René Brülhart:
“Nëse e hedhim vështrimin mbrapa, 2013-a ka qenë një vit sfidash, por me përmirësime thelbësore e zhvillime pozitive. Jam i kënaqur që kam mundësi të punoj më tej me objektivat e arritura, për të forcuar edhe më shumë një sistem funksional dhe të qëndrueshëm, edhe në Selinë e Shenjtë, [si në vendet e tjera]”.
Respektimi i standarteve ndërkombëtare është verifikuar edhe nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Evropës, i cili është shprehur pozitivisht për përpjekjet e Vatikanit. Ndër sinjalizimet e AIF-it, pesë i kanë kaluar promotorit të drejtësisë për hetime të mëtejshme:
“AIF-i e bën punën e vet, një punë analitike, e pastaj vendos nëse një rast i caktuar mund t’i kalohet promotorit të drejtësisë, ose jo. Pasi ndodh kjo, rasti nuk është më kompetencë e organizmit tonë. Promotori i drejtësisë vepron në mënyrë krejtësisht të pavarur”.
Nga autoritete të ngjashme jashtë Vatikanit, AIF-it i kanë ardhur 28 kërkesa për informacion, edhe këto, në rritje në krahasim me 1 kërkesë të vitit 2012. Ndërsa vendet e huaja kanë kërkuar sqarime për 53 raste, në krahasim me 3 të vitit 2012. Ky shtim, shpjegoi Brülhart, është rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar. AIF-i është bërë anëtar i Egmont Group, rrjeti global i Njësive të Informacionit Financiar, dhe ka nënshkruar marrëveshje me Gjermaninë, Italinë, Hollandën, Slloveninë dhe SHBA-të.
Nga ana tjetër, janë pakësuar shumat “cash” dhe çeqet pa emër mbi 10 mijë euro, që dalin ose hyjnë në Vatikan, falë kontrolleve më të rrepta. Në tre muajt e parë të këtij viti, AIF-i ka kryer një inspektim në Institutin për Veprat Fetare (IOR), për të verifikuar zbatimin e masave, që parandalojnë dhe pengojnë riciklimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Pasi vërtetoi përparimet, organizmi formuloi një plan veprimi për t’i përshtatur procedurat me ligjet në fuqi e për t’i përmirësuar ato.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama