HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-20 14:33:15
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë lajmin e mirë (XVIII) – E shtuna dhe njeriu



Marku na tregon se Jezusin e “vrojtonin”, për të parë a do të shëronte të shtunën dhe për ta paditur. Autoritetet fetare të kohës donin ta hidhnin poshtë mësimin e tij, duke vënë në dukje mospërkimin e sjelljes së tij me traditat fetare të Izraelit. Në këtë fragment të Ungjillit sipas Markut, në sinagogë gjendet një njeri me një dorë të tharë, të cilit Jezusi i thotë: “Rri në mes”. RealAudioMP3
Gjatë të gjithë tregimit ungjillor shohim se Jezusi kthen në qendër të vëmendjes njerëzit nevojtarë dhe mëkatarë. Sigurisht, kuptimi i parë i kësaj kërkese konkrete të Jezusit në sinagogë ka të bëjë me dëshirën e tij, që të gjithë të mund ta shikonin ngjarjen, që do të ndodhte, por ajo shpreh edhe përmbysjen që realizon Jezusi. Ai ka ardhur për të kthyer në qendër njerëzit, të cilët shoqëria, politika, pushteti dhe feja i lënë mënjanë, sepse i shohin si të paaftë dhe mëkatarë. Për Jezusin, në qendër gjendet njeriu që ka nevojë për shpëtim.
Vetëm përballë njeriut të paaftë për t’u shpëtuar vetë, ka kuptim pyetja teologjike, fetare dhe morale rreth asaj që është e lejueshme apo e palejueshme. Nëse kjo pyetje shtrohet pa mbajtur parasysh njeriun e ligështuar nga e keqja, atëherë ligji moral vetëm e vret edhe më shumë të lënduarin. Me njeriun e sëmurë në qendër, Jezusi pyet: “A është e lejueshme, ditën e shtunë, të bësh mirë, apo të bësh keq; ta shpëtosh jetën, apo ta mbytësh?” (Mk 3,4).
Në këtë fragment të shkurtër të Markut gjejmë edhe një përmbysje të perspektivës. Në fillim, të gjithë vrojtojnë Jezusin, për ta paditur. Tani të gjithë mbeten të heshtur dhe Jezusi i shikon të gjithë, i hidhëruar dhe i trishtuar, për shkak të kokëfortësisë së tyre. Pak më sipër, në po këtë Ungjill, Jezusi kishte thënë se e shtuna është krijuar për njeriun dhe jo anasjelltas, prandaj i thotë të sëmurit, që ishte në mes të sinagogës, para vështrimeve të heshtura të të gjithëve: “Shtrije dorën!”.
Farisenjtë dhe herodianët, të shqetësuar, u mblodhën për t’u këshilluar si ta vrisnin. Feja, që nuk mbështetet në mëshirën dhe dashurinë e Hyjit, në forcën e tij për ta ripërtërirë njeriun e prekur nga e keqja, feja e ngurtësuar në kategoritë morale dhe teologjike, që e ka humbur sysh njeriun dhe i shërben sistemit, shkandullohet nga Jezusi. Ai vetë e ka thënë: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Erdha të thërras mëkatarët e jo të drejtët” (Mk 2,17).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama