HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-25 20:38:09
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 26 maj – 1 qershor



Më 26 maj përkujtohet Shën Filip Neri. Pinjoll i një familjeje fisnike fiorentine, u zhvendos në Romë dhe në vitin 1538 themeloi me të rinjtë e qytetit një vëllazëri laikësh, të cilët takoheshin për të adhuruar Hyjin dhe për të ndihmuar shtegtarët. Filipi kalonte shumë kohë në lutje, veçanërisht gjatë natës, në katakombet e Shën Sebastianit. Më 1551 u shugurua meshtar dhe shkoi të jetonte në bashkësinë e Shën Jeronimit, ku shpejt u bë i njohur si rrëfyestar. Punën më të madhe e zhvilloi me të rinjtë. Me ndihmën e disa klerikëve të rinj organizoi Kongregatën e Oratorit dhe ndërtoi Kishën e Re. U bë i famshëm në mbarë Romën dhe ndikimi i tij tek qytetarët e të gjitha shtresave qe i pallogaritshëm.
Më 27 maj përkujtohet Shën Agostini nga Kantërbëri. Papa Gregori i Madh e dërgoi nga Roma, ku ishte Abat Benediktin, për të ungjillëzuar Anglinë, e cila kishte rënë në idhujtari, nën saksonët. Në Angli e priti Etelberti, mbreti i Kentit, i cili ishte martuar me një grua katolike, me prejardhje franke. Etelberti u pagëzua, e ndihmoi Agostinin dhe e lejoi të predikonte në liri të plotë. Pak kohë pas arritjes së tij në Angli u pagëzuan më se dhjetëmijë saksonë. Papa dërgoi misionarë të tjerë dhe e emëroi Agostinin kryeipeshkëv dhe primat të Anglisë.
Më 28 maj përkujtohet Shën Vladislav Demski. Lindur në Stum (Poloni), më 1884, meshtari i kryedioqezës së Gnieznit ra viktimë e nazistëve për shkak të fesë, në Sachsenhausen, më 28 maj 1940. Papa Gjon Pali II e lartoi në nderimet e altarëve bashkë me 107 viktima të tjera, më 13 qershor 1999.
Më 29 maj përkujtohet Shën Aleksandri me dy shokët martirë Sisinin dhe Martirin. Këta martirë të shekullit të katërt bëjnë pjesë në aradhën e ungjillëzuesve që dilnin nga bashkësitë e krishtera të mesdheut dhe përhapnin ljamin e mirë në veriun e gadishullit italik, që ishte porta natyrale drejt kontinentit evropian. Shën Ambrozi, ipeshkëv i Milanos, i dërgoi tek ipeshkvi i Trentos, qytet në të cilin u dogjën të gjallë para altarit të perëndisë pagane Saturn.
Më 30 maj përkujtohet Shën Zhan d’Ark. Vajza e lindur në një familje bujqësh dhe e pashkolluar, doli e re nga shtëpia e t’et, për të ndjekur vullnetin e Hyjit, që iu zbulua me anë të zërave të mistershëm dhe që i thoshte se ajo do ta çlironte Francën nga anglezët. Si u paraqit para oborrit të Karlit VII, mori nga mbreti autorizimin për t’i prirë armatës franceze dhe arriti të çlironte Orleansin dhe të thyente anglezët në Patay. Oborrtarët e mbretit e lanë vetëm, prandaj nuk mundi ta përfundonte luftën sipas planit që kishte bërë. U plagos një herë në afërsi të Parisit dhe në vitin 1430 ra në duart e borgonjonëve, të cilët ua dorëzuan anglezëve. Ata e paditën për herezi dhe gjykata kishtare e Rouenit e dënoi me djegie. U shpall e pafajshme në vitin 1456 dhe Benedikti XV e shpalli shenjtore më 1920.
Më 31 maj përkujtohet Takimi i Marisë me Elizabetën. Maria, arka e besëlidhjes së re, është hyjmbartësja dhe Elizabeta e përshëndet si Nënën e Zotit. Kujdesi plot dashuri i Marisë për Elizabetën, shpreh, bashkë me gjestin e ndihmës për gruan e moshuar, edhe shpalljen e kohës së Mesisë. Gjoni, i cili galdon në kraharorin e Elizabetës, e nis që në barkun e nënës misionin e paraardhësit. Kalendari liturgjik e përkujton në këtë datë, sepse mban parasysh tregimin ungjillor, sipas të cilit takimi ndodhi ndërmjet Lajmërimit të Zojës dhe lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit.
Më 1 qershor është e diel, festa e ngjitjes së Krishtit në qiell.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama