HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-27 11:00:55
A+ A- Printo artikullin



Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria ‘Në këto kohët e fundit” par. 55, 56



Ç’duhet bërë, për ta njohur më mirë Marinë? Për ta parë këtë Yll të bukur të detit? E kush do të jenë ata, që do të radhiten përkrah saj në luftën përfundimtare të së mirës me të keqen, të Hyjit me djallin? E si do të jenë, ata që do të korrin fitoren përfundimtare? Përgjigjet Shën Luigji Maria Grignion de Monfort përmes veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, kapitulli “Maria ‘Në këto kohët e fundit”, paragrafi 55, 56 RealAudioMP3

55. Së fundi, Hyji deshi që Nëna e tij e Shenjtë të jetë sot më e njohur, më e dashur, më e nderuar se kurrë ndonjëherë; gjë që do të ndodhë pa asnjë dyshim, nëse të paracaktuarit do të hyjnë, me hirin e dritën e Shpirtit Shenjt, në praktikën shpirtërore e të përkryer, që do t’ua rrëfej në vijim. Atëherë do ta shohin qartë, përsa ua lejojnë caqet e fesë, këtë yll të bukur të detit e do të prekin portin e mirë, pavarësisht nga stuhitë e piratët, duke ndjekur sjelljen e saj; do ta njohin madhështinë e kësaj sovraneje e do t’i kushtohen plotësisht shërbimit të saj, si nënshtetas e skllevër në dashuri; do të shijojnë ëmbëlsinë e saj e mirësinë amtare e do ta duan me gjithë shpirt, si bij të dashur; do ta njohin mëshirën, me të cilën ajo është përplot e nevojën për ndihmën e saj e do të ngarendin kah Ajo për gjithçka i shqetëson, si tek avokatja e ndërmjetësuesja pranë Jezu Krishtit; do ta marrin vesh se ajo është mjeti më i sigurt, më i lehtë, më i shpejtë e më i përsosur për të shkuar tek Jezu Krishti e do t’ia kushtojnë korp e shpirt, pa asnjë kusht, për t’i përkitur, si ajo, Jezu Krishtit.

56. Po kush do të jenë këta shërbëtorë, skllevër e bij të Marisë?
Do të jenë zjarr i përflakur, shërbëtorë të Zotit, që do ta kallin botën me zjarrin e dashurisë hyjnore.
Do të jenë shigjeta të mprehta në dorën e fuqishme të Marisë për t’i shporuar tej për tej armiqtë e saj.
Do të jenë bijtë e Levit, të pastruar plotësisht nga zjarri i turbullirave të mëdha e tejet të bashkuar me Hyjin, që do të kenë arin e dashurisë në zemra, kemin e uratës në shpirt e mirrën e pendesës në korp. Do të jenë shkulm i erëmirës së Jezu Krishtit për të varfërit e të vegjlit, e duhmë e mortjes për të mëdhenjtë, të pasurit, krenarët e kësaj bote.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama