HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2014-05-27 15:41:55
A+ A- Printo artikullin



Atë Lombardi: për Papën, pedofilia mund të krahasohet me sakrilegjin. I vendosur për të mbrojtur më të brishtët



Për Papën, pedofilia mund të krahasohet me sakrilegjin. Së shpejti, Ati i Shenjtë do të takohet me viktimat e shpërdorimeve seksuale. Është një nga pikat kulmore të intervistës së drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi për Radio Vatikanin. Atë Lombardi ndalet në shtegtimin historik të Papës Françesku në Tokën Shenjte, por edhe në pikat delikate të konferencës së shtypit të Atit të Shenjtë me gazetarët në avionin e kthimit për në Romë: RealAudioMP3
Pamë një numër të pabesueshëm ngjarjesh domethënëse e mendoj se fakti që u përqendruan në një kohë kaq të shkurtër duhet të na ftojë, tani, për një reflektim më të qetë, në mënyrë që ta asimilojmë pasurinë e tyre, sepse nëse i mbajmë të gjitha të ngjeshura njëra pas tjetrës, ka rrezik të mos i kuptojmë disa aspekte. Pikë së pari, aspekti ekumenik i takimit me Patriarkun Bartolomeu, i cili ishte edhe synimi i këtij udhëtimi. Por, si përmasat e marrëdhënieve me botën hebraike e myslimane, ashtu edhe tematikat e paqes që duhet arritur e si duhet arritur, ishin tema të jashtëzakonshme, mbi të cilat duhet të meditojmë gjatë që t’ua kuptojmë vlerën. Do të thosha se u perceptua kalimi i 50 vjetëve nga takimi i parë [ndërmjet Palit VI dhe Atenagorës]. Nga pikpamja ekumenike, nuk kanë kaluar kot, janë përmirësuar sidomos marrëdhëniet me ortodoksët, por edhe me konfesionet e tjera të krishtera. Kremtimi, lutja e përbashkët në Bazilikën e Varrit të Krishtit, ishte një nga çastet më intensive nga pikpamja shpirtërore. Një çast tjetër i tillë ishte edhe Mesha e fundit në Çenakull: një vend që frymëzon jashtëzakonisht, vendi i Eukaristisë, vendi i Rrëshajve, vendi i zbritjes së Shpirtit të Shenjtë… Prandaj, nuk duhet ta harrojmë edhe këtë çast, këtë përmasë shpirtërore, që Papa, pavarësisht nga koha e ngjeshur, e përjetoi thellësisht.
Në fund të udhëtimit, siç bëri edhe pas kthimit nga Rio de Zhanejro, Papa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, çdo pyetjeje, krejt lirisht, gjë që bëri shumë përshtypje…
Po. Unë vërtet u befasova. Jo vetëm nuk ka frikë, por është i gatshëm t’i bëjë ballë çdo çështjeje. Unë u përpoqa, ashtu si në udhëtimin e Rios, ta kufizoj kohën dhe numrin e pyetjeve, ose t’i orientoj ato më shumë drejt argumenteve të udhëtimit. Papa, jo. Deshi qartas t’i përgjigjej me gatishmëri çdo pyetjeje e koha u kufizua vetëm nga udhëtimi, i cili nuk ishte shumë i gjatë. Po të kishte qenë më e gjatë distanca, Papa do ta kishte vazhduar konferencën.
Në njërën nga përgjigjet, Papa Françesku foli për statusin e Jeruzalemit dhe theksoi qëndrimin e Kishës Katolike për këtë çështje…
Po, kjo është pikë e rëndësishme, sepse pati një pyetje për këtë temë. Papa tha qartë se problemi, nga pikpamja politike, nga pikpamja e sovranitetit territorial - nëse duhet të jetë kryeqytet i një apo dy shteteve, ku duhet të jenë kufijtë – nuk është në kompetencën e Selisë së Shenjtë, por duhet të zgjidhet me bisedime dypalëshe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, duke pasur parasysh rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Por, Selia e Shenjtë, prej kohësh, ka formuluar një qëndrim të vetin mbi statusin e veçantë të Qytetit të Shenjtë. Asaj i intereson përmasa fetare e qytetit, sidomos “Qyteti i Vjetër”, ku ndodhen vendet e shenjta, të cilat u përkasin si të krishterëve, ashtu edhe hebrenjve e myslimanëve e botës mbarë. Pra, këtë “Jeruzalem historik” e të shenjtë, Vatikani dëshiron që asnjëra nga palët të mos e quajë ekskluzivisht të vetin, sepse është pasuri e gjithë botës e sepse vendet e shenjta nuk janë muze apo monumente, por vende ku bashkësitë e besimtarëve të kenë mundësi të shkojnë për të jetuar fenë e tyre. Për këtë arsye, tradicionalisht, Selia e Shenjtë flet për një status të veçantë, të garantuar nga bashkësia ndërkombëtare, që të ruajë karakterin historik, material dhe fetar të atyre vendeve. Po ashtu, edhe hyrjen e lirë të banorëve e të shtegtarëve, si të atyre lokalë, ashtu edhe të atyre që vijnë nga anekënd botës.
Tashmë të gjitha mediat botërore kanë pasqyruar fjalët e Papës, i cili e krahasoi pedofilinë nga ana e një anëtari të klerit me meshën e zezë. Një koment për këto fjalë?
Papa tha gjëra të rëndësishme për pedofilinë, për të cilën iu bënë sërish pyetje. Foli për pedofilinë, veçanërisht në rastin e personave me detyra në Kishën Katolike, ose me përgjegjësi në të, pavarësisht se problemi është më i gjerë. Papa bëri këtë krahasim, që është mjaft origjinal. Është karakteristikë e tij, gjetja e krahasimeve të forta, kësaj radhe, nga këndvështrimi i shenjtërisë së jetës njerëzore, në veçanti, i jetës së të pafajshmëve, të të miturve të pafajshëm, që dhunohen nga ky krim. Atëherë, mesha e zezë është sakrilegj, pasi përdoret Korpi i Krishtit për ta fyer Atë, prandaj është krim nga pikpamja e fesë, e këndvështrimit tonë mbi Sakramentin e Eukaristisë: një krim absolutisht i rëndë, përçmim i dinjitetit të Korpit të Krishtit. Krahasimi i krimit të pedofilisë me këtë është një dënim jashtëzakonisht i ashpër, për besimtarin është ndoshta dënimi më i ashpër që mund të jepet, sepse thotë: po dhunojmë trupin e Krishtit, mishin e Tij, po dhunojmë një dinjitet të shenjtë për ne, që praktikisht, është ai i fëmijëve të pafajshëm. Në këtë kuptim, është krahasim që tregon për dënimin thelbësor, të jashtëzakonshëm të Papës ndaj këtij lloj krimi. Lajmi i parë, që dha Papa, është vendimi i tij për t’u takuar së shpejti me viktimat e abuzimeve seksuale. Por për këtë, Papa, siç mund të kuptohet lehtë, krijoi një konfuzion të vogël për datën, pasi foli për ditët e para të qershorit, por, në të vërtetë, nëse e kam kuptuar mirë punën, data nuk është caktuar akoma. Papa nënvizoi vullnetin për të ndërhyrë me vendosmëri, pa u ndalur as para dinjitetit ipeshkvnor, nëse ka përgjegjësi të rënda. Papa nuk shpjegoi më tej përgjegjësitë e ipeshkvijve që kanë heshtur, por e ka të qartë se ata që qeverisin mund të kenë përgjegjësi edhe për gjërat që s’kanë bërë, jo vetëm për të këqiat, që i kanë bërë personalisht.
Papa foli edhe për reformën e Kuries, për IOR-in…
Natyrisht, e dimë se ky është një argument, për të cilin ka vëmendje të vazhdueshme. Papa tha, ashtu si herë të tjera, se është bërë më shpejt nga parashikimi reforma, që ka të bëjë me çështje të karakterit ekonomik, pasi vëmendja e opinionit publik për to ishte më e madhe, prandaj duhej ndërhyrë me përparësi. Iu referua edhe punës në IOR me komisionet e ndryshme, për saktësimin e llogarive, pra për gjetjen e të gjithë atyre, që nuk kanë të drejtë të shërbehen nga IOR-i.
Së fundi, Papa deshi të saktësojë se Sinodi i ardhshëm për familjen nuk është Sinod i përqendruar vetëm në dhënien e kungimit të divorcuarve…
Po, kjo ishte shumë e rëndësishme. Papa foli gjatë për këtë, pasi shihet se shqetësohet për ta ruajtur gamën e gjerë baritore të çështjeve të Sinodit: temën e familjes, të misionit të saj, të dëshmisë së krishterë në jetën familjare… është temë e jashtëzakonshme, vërtet e jashtëzakonshme, jetësore dhe tepër e rëndësishme. Atëherë, përqendrimi në një pikë të vetme, siç mund të jetë ajo e Kungimit për të divorcuarit, sado delikate dhe e dhimbshme, ka rrezik ta kufizojë shumë perspektivën dhe vëmendjen. Ndërsa, reflektimi i gjithanshëm për familjen, për natyrën e saj, për mënyrën e ruatjes e të promovimit të vlerave të saj, për shërbimin e saj ndaj të gjithëve, për dashurinë ndërmjet burrit e gruas e, kështu me radhë, është shërbim i madh për të gjithë popullin e krishterë e do të thosha, edhe për njerëzimin mbarë. Prandaj, Papa e ka shumë për zemër, që të mos zvogëlohet horizonti i udhës sinodale, që është mjaft e gjatë: tani, kemi sinodin e vjeshtës, pastaj atë të vitit të ardhshëm… Është udhë e gjatë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama