HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-05-27 15:42:52
A+ A- Printo artikullin



Njerëzit rendin tek Jezusi nga të gjitha anët



Jemi në kapitullin e tretë të Ungjillit sipas Markut, vargjet 7-12, ku tregohet se Jezusi u tërhoq me nxënësit pranë liqenit të Galilesë. Ungjijtë flasin shpesh herë për vendimin e Jezusit për të ndenjur vetëm, në lutje ose në shoqërinë e nxënësve, por shtojnë pothuajse gjithmonë se njerëzit e kërkojnë dhe e gjejnë. Në pjesën e Ungjillit, që po paraqesim sot, turma e mbledhur rreth Jezusit, duket, sipas përshkrimit të Markut, sikur përfaqëson tërë njerëzimin. Jemi vetëm në fillim të njohjes me Jezusin dhe rreth tij mblidhen njerëz nga Galilea, Jdea, Jeruzalemi, Idumea, Transjordania, Tiri e Sidona. Arsyeja për të cilën shkojnë tek ai është se “kishin dëgjuar çfarë bënte”.RealAudioMP3
Ngarendja e turmës tek Jezusi tregon nevojën e njerëzve për të njohur njeriun sipas Hyjit, për të njohur Birin e Hyjit. Dashuria e Jezusit për të sëmurët dhe mëkatarët, mbrojtja e tyre përballë institucioneve fetare dhe morale të kohës, autoriteti me të cilin shpallte faljen e mëkateve dhe urdhëronte shërimin e lëngatave, i mrekullon të gjithë. Jezusi ka një forcë tërheqëse, që nuk varet nga aftësia e Kishës për ta paraqitur atë si Zot, por nga nevoja e njeriut për shëlbimin që vetëm ai sjell. Në këtë fillim të Ungjillit sipas Markut, njerëzit e kërkojnë Jezusin jo sepse dikush u ka shpjeguar doktrinën e tij, por sepse të sëmurët dhe mëkatarët, që e kanë takuar, kanë gjetur tek ai shërim dhe falje. Drita, që sjell Krishti në jetën e njerëzve, është para së gjithash ai vetë dhe vetëm si rrjedhojë edhe doktrina e tij.
Përballë turmës, që ngarend tek ai, Jezusi u kërkon nxënësve t’i gjejnë një barkë, që të mos e shtypnin. Jezusi nuk dëshiron të humbasë në mes të turmës, sepse ai ka ardhur për çdo njeri dhe marrëdhënia personale me të është më e rëndësishme se marrëdhënia e përbashkët. Rruga nga turma tek bashkësia është e gjatë dhe kalon përmes përvojes vetjake me Krishtin. Mbarë njerëzimi, nevojtar për shëlbim, përbën turmën e madhe që mblidhet rreth Jezusit, por përvoja e shëlbimit është vetjake dhe kush e bën këtë përvojë nuk është më pjesë e turmës, por gur i gjallë për ndërtesën e bashkësisë kishtare. Duke hyrë në barkë, për t’u folur njerëzve që aty, Jezusi u jep mundësinë që të shndërrohen nga turmë, në një popull të shpëtuar, duke u lejuar që të kalojnë një për një, nëpërmjet derës, që është ai vetë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama